Pesë komuna shpallin Qyqavicën zonë me interes të përgjithshëm

Ekonomia July 17, 2018 - 17:16
Lexo detajet

Kryetarë të pesë komunave të Kosovës, Bekim Jashari (Skenderaj), Ramiz Lladrovci (Drenas), Agim Bahtiri (Mitrovicë), Xhafer Tahiri (Vushtrri) dhe Xhafer Gashi (Obiliq) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptim, të martën, me të cilin shpallin Qyqavicën zonë me interes të përgjithshëm, raporton “Zëri.info”.

Takimi është mbajtur në Skenderaj, në restorant “Freskia”, ndërsa pos kryetarëve të këtyre komunave merrnin pjesë edhe nënkryetarët e komunave, drejtorë të drejtorive komunale, kryesues të kuvendeve komunale dhe zyrtarë të tjerë. Takimi mes kryetarëve dhe drejtuesve më të lartë të nivelit lokal të këtyre komunave u konkretizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit.

Pesë komunat, ajo e Skenderajt, Drenasit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Obiliqit nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për shpalljen e zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm, për ta ruajtur zonën dhe për të investuar në të, në mënyrë që Qyqavica të shndërrohet në zone turistike, kulturore dhe rekreative.

“Qëllimi i këtij memorandumi është shpallja e zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm për të investuar në të mirën e qytetarëve. Po ashtu ky memorandum mirëkuptimi, ka për qëllim që zona e Qyqavicës të shërbejë si urë lidhëse në mes të pesë  komunave të lartcekura, duke përfshirë edhe tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe me gjerë. Me rastin e shpalljes së kësaj zone në interes të përgjithshëm do të krijohet një zonë turistike, rekreative, kulturore dhe biznesore, po ashtu do të bëhet dhe ruajtja e ambientit, kujdesi ndaj ujërave si dhe sipërfaqeve të gjelbëruara”, thuhet mes tjerash në Memorandumin e nënshkruar.

Ndryshe, Memorandumi i Mirëkuptimit për shpalljen e zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm obligon pesë komunat që të lobojnë te Qeveria e Kosovës për rregullimin e rrugës të gjatë 18 kilometër, në mënyrë që të lehtësojë investimet në këtë zonë. /Zëri