‘Kosova është e orientuar për ekonomi të lirë dhe ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime’

Ekonomia July 17, 2018 - 14:14
Lexoni më shumë detaje

“Liria ekonomike e Kosovës ka marrë vlerësim pozitiv nga Heritage Founndation, duke u ranguar më mirë se disa vende të rajonit dhe BE-së. Kjo është dëshmi e orientimit tonë për ekonomi të lirë, duke marrë për model ekonomitë më të mëdha në botë si ajo e ShBA-ve”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e organizatës “The Heritage Founndation”, të kryesuar nga James Carafano, zëvendës president dhe udhëheqës i Isntitutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme dhe Anthony Kim, menaxher i hulumtimeve dhe autor i publikimit “Indeksi i Lirisë Ekonomike”, përcjell “Zeri.info”.

Haradinaj ka informuar Carafano dhe Kim për progresin e Kosovës në fushën e të bërit biznes, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe për përkushtimin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Haradinaj gjatë këtij takimi, duke theksuar nevojën e investimeve amerikane në Kosovë, tha se investimet e tyre, ne veçanti në miniera dhe energji dhe jo vetëm me energjinë me thëngjill, por edhe në energjinë e ripërtërishme, si dhe në sektorë të tjerë, do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Zona e Veçantë ekonomike Amerikane dhe investimi nga Contour Global, janë vetëm disa nga ato që Qeveria i ka ndërmarrë për ta fuqizuar partneritetin ekonomik me ShBA-të dhe dëshmi e përkushtimit tonë për të krijuar ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për investitorët e huaj, në këtë rast investitorët amerikan”, ka shtuar kryeministri Haradinaj, transmeton "Zeri.info".

Haradinaj tha se Qeveria është e përkushtuar për stabilitet politik dhe institucional, një funksionim më i mirë i gjyqësorit, luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe përmirësimin e infrastrukturës.

The Heritage Foundation është Institucion konservator i hulumtimit dhe edukimit në Uashington që harton dhe promovon politikat publike të bazuara në parimet e ekonomisë së lirë të tregut.

Kujtojmë se liria ekonomike e Kosovës është vlerësuar për herë të parë në Indeksin e vitit 2016. Në renditjen botërore për vitin 2018, Kosova zë vendin e 56 me gjithsejtë 66.6 pikë. /ZËRI/

Image

Image

Image

Image

Image