Brenda tre vjetëve, rreth 1000 të punësuar në Vushtrri

Ekonomia July 17, 2018 - 08:42
Mësoni më shumë detaje

Projekti më i madh në 50 vjetët e fundit në komunën e Vushtrrisë do të nisë të realizohet sivjet, pasi që ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës dhe kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri kanë nënshkruar marrëveshjen për Parkun Industrial në Lumadh të Vushtrrisë ose Zona e Lirë Ekonomike, siç e quan kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Më këtë marrëveshje Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) merr përsipër financimin e zonës ekonomike “Parku Industrial në Lumadh”, realizimi e së cilës do të fillojë këtë vit dhe do të përfundojë në vitin 2020. Parku Industrial në Lumadh të Vushtrrisë do t'i ketë 14.8 hektarë dhe do të jetë në funksion të zhvillimit të biznesit dhe të krijimit të vendeve të reja të punës.

“Ky është investimi më i madh në 50 vjetët e fundit për biznesin në Vushtrri, i cili u mundëson bizneseve kushte më të mira të punës. Shumë shpejt do të fillojnë investimet në Lumadh dhe pastaj do të fillojë edhe thirrja publike për bizneset që të vendosen aty”, tha kryetari Tahiri pas nënshkrimit të marrëveshjes, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkaq ministri i MTI-së, Bajram Hasani, tha se kjo është një ditë e mirë për Vushtrrinë, sepse do të ketë punësime të reja dhe krijim të kushteve më të mira për biznese.

LEXO EDHE: Drejtësia shpërblen uzurpatorët

Pas kompletimit të infrastrukturës në zonën ekonomike “Parku Industrial në Lumadh” dhe vendosjes së bizneseve aty parashihet që të gjenerohen njëmijë vende të reja pune.

“Këto investime janë në kuadër të prioriteteve të MTI-së, që të krijojmë zona ekonomike. Po ashtu këto zona do të shërbejnë për investitorët e huaj e konkretisht për bizneset që do të investojnë në Vushtrri. Ne po marrim përsipër mbështetjen financiare, që kjo zonë mund të kapë shumën e 1.5 milion eurosh, por krejt varet sa do të shkojë projekti, por për pak nuk do ta lëmë keq dhe për këtë e siguruam kryetarin. Kjo kontratë do të realizohet brenda tri vjetëve të ardhshme dhe shumë shpejt do të fillojmë punën në këtë zonë”, tha Hasani.

Ndryshe, kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri me t'u ulur në karrigen e të parit të kësaj Komune ka insistuar për bërjen e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh një hapësirë, siç ka thënë Tahiri, të mjaftueshme dhe shumë të përshtatshme për bizneset. 

Gjatë një takimi që kryetari Tahiri paraprakisht e pati zhvilluar me banorët e zonës ka thënë se tashmë nga buxheti i shtetit janë siguruar 1.2 milion euro për investime në periudhën 3-vjeçare në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh.

“Punësimin e njerëzve e bëjnë bizneset e Komuna është këtu që t'u krijojë kushte sa më të mira bizneseve për rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese e shërbyese”, tha kryetari Tahiri.

I pari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka takuar edhe disa prej bizneseve, me të cilët kanë biseduar për problemet e tyre, si dhe kanë shqyrtuar mundësitë e përkrahjes së bizneseve për të siguruar zhvillim ekonomik lokal të qëndrueshëm, duke përfshirë edhe përkrahjen për Zonën e Lirë Ekonomike.

Kryetari Tahiri ka ripërsëritur se Komuna është shumë e interesuar që të krijojë kushte të favorshme dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve në Vushtrri, “sepse ato janë bartëse të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik lokal dhe se Komuna do të bashkëpunojë me të gjitha organizatat që mbështesin fuqizimin e bizneseve”.

“Tani do të fillojmë ta realizojmë projektin për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, një hapësirë shumë e përshtatshme për veprimtari të ndryshme ekonomike, ndërsa sa për të filluar me projektin kemi gjetur edhe mbështetje financiare. Kemi iniciativa dhe mbështetje edhe nga organizata dhe nga donatorë për përkrahjen e projekteve për bizneset, duke përfshirë edhe bizneset e bujqësisë. Ne jemi të interesuar dhe të vendosur të fillojmë me ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë dhe kjo këmbëngulje e vazhdueshme ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes. Ajo pjesë është ideale për veprimtari të subjekteve të ndryshme ekonomike. Hapësira gjendet pranë rrugës rajonale dhe ka pozitë ideale. Me ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh krijohen kushte për të gjitha bizneset e interesuara dhe në këtë mënyrë do të krijohen mbi njëmijë vende pune për të rinjtë e komunës së Vushtrrisë”, ka ripërsëritur kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.