Drejtësia shpërblen uzurpatorët

Ekonomia July 17, 2018 - 08:36
Mësoni më shumë detaje

Për uzurpuesit e pronave private dhe publike nuk janë aplikuar dënime me burgim, por vetëm gjobë financiare prej 600 eurosh. Avokati i Popullit një praktikë të tillë e sheh si shqetësuese, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Avokati i Popullit e ka vlerësuar si shqetësues faktin se praktika në lëndët penale që lidhen me uzurpimin dhe riuzurpimin e pasurisë së paluajtshme në asnjë rast nuk ka paraparë paraburgim për uzurpuesin, ndërsa gjoba më e lartë e shqiptuar ndaj tyre ka qenë 600 euro.

Ndonëse uzurpimi konsiderohet si vepër penale, kryesit e kësaj vepre asnjëherë nuk janë vendosur prapa grilave.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) në raportin vjetor për vitin 2017, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Pushteti nuk shqetësohet për mungesën e opozitës në dialog

Kritika të shumta ka drejtuar ky institucion edhe në adresë të organeve të hetuesisë e të drejtësisë.

“Prokuroria rrallëherë kërkon nga Gjykata që të dëbohen uzurpuesit dhe në aktgjykim pala e dëmtuar, pronari i patundshmërisë, drejtohet vetëm në kontest në rast se dëshiron të mbrojë dhe të realizojë të drejtën e vet në disponim të lirë me pasurinë dhe në posedimin e së njëjtës”, theksohet në raportin e IAP-së.

Duke iu referuar të gjeturave të raportit, në këtë mënyrë nuk zgjidhet asgjë, por zgjidhja e problemit prolongohet për disa vjet, pasi që uzurpatori pavarësisht gjykimit të dënimit penal përdor pasurinë e paluajtshme si më parë.

Përndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka pasur numrin më të madh të ndërmarrjeve të uzurpuara. Nga një aksion i AKP-së, i përkrahur nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës, shumë ndërmarrje janë liruar nga uzurpatorët.

Aktualisht, sipas AKP-së, janë vetëm 22 asete të uzurpuara, nga 217 sa ishin më herët. Madje këto 22 raste të pronave të uzurpuara figurojnë në veri të vendit.

Për t’i shmangur këto probleme në rekomandimet e Avokatit të Popullit kërkohet vëmendja e organeve gjyqësore në procedimin në kohë të duhur të këtyre lëndëve me prioritet.

“... Deri më tani një numër i madh i lëndëve, i cili ka të bëjë me uzurpimin e pasurisë, zgjat mesatarisht tri vjet (edhe atë vetëm të fillohet me procedimin në procedurën e gjyqësore të shkallës së parë), kurse deri në plotfuqishmërinë e vendimeve dhe dëbimin e uzurpatorëve ose kompensimin pronarët presin mesatarisht prej 6 deri në 10 vjet”, sqarohet në mes të tjerash në gjetjet e raportit.

Njohësit e sistemit të drejtësisë kërkojnë sanksione rigoroze

Ndëshkime më të ashpra për uzurpatorët e pronave kanë kërkuar edhe njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” Riza Smaka, njohës i fushës së sundimit të ligjit, i ka quajtur uzurpatorët si persona të dëmshëm për shoqërinë.

“Uzurpatorët janë aq grabitës. Pa bazë ligjore ilegalisht përvetësojnë prona shtetërore, publike e të individëve të pafuqishëm për t’i mbrojtur pronat e veta. Ata dhe ato janë persona tepër të rrezikshëm dhe të dëmshëm për shoqërinë politike moderne”, është shprehur Smaka.

Ai njëkohësisht e ka quajtur uzurpimin krim dhe vepër penale.

“Sanksionet natyrisht se do të duhej të ishin rigoroze. Do të duhej të ishte edhe persekutimi adekuat, edhe imediat, i menjëhershëm dhe tepër serioz. Uzurpimet janë krime, janë vepra penale. Ajo është vepër penale e rëndë, është kriminalitet kundër pasurisë”, ka sqaruar Smaka.

Se kryesve të këtyre veprave në Kosovë po u shqiptohen dënime të buta mendon edhe hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Arben Kelmendi.

Në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” Kelmendi e quan fatkeqësi faktin se dënimet e buta po zbehin besimin e qytetarëve për pavarësinë dhe profesionalizimin e sistemit gjyqësor të Kosovës.

“Sipas Kodit Penal të Kosovës, Neni 232, kushdo që në mënyrë të kundërligjshme uzurpon pronën e paluajtshme të personit tjetër ose një pjesë të saj dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet. Fatkeqësisht në Kosovë tash e sa vite është evidente fenomeni i shqiptimi i dënimeve “të buta” për kryesit e veprave penale dhe atë jo vetëm në rastet e uzurpimeve të paligjshme, por edhe në rastet e tjera, si p.sh. aktet e ndryshme korruptive dhe të ngjashme”, thuhet në përgjigjen e Kelmendit.

Më tutje, hulumtuesi në KDI ka shtuar se dënimet e tilla mund t’i inkurajojnë individët dhe grupet kriminale në qëllimet e tyre uzurpuese, pasi sipas tij gjobat e shqiptuara nga gjykatat mund të jenë simbolike në krahasim me përfitimet e jashtëligjshme, që mund t’i realizojnë nga uzurpimet e tilla.

Kalaja: Grupet e organizuara përfituan miliona nga shfrytëzimi i pronave

Aspektin e përfitimit të grupeve të caktuara në kuadër të uzurpimit e ka përmendur drejtori i qendrës kosovare për transparencë dhe llogaridhënie “Kund 16”, Fidan Kalaja.

“Dukuria e uzurpimit të pronave private, publike e shtetërore ka qenë dhe është njëra nga dukuritë ku abuzimi dhe përfitimi material ka qenë i niveleve më të larta. Persona e grupe të organizuara kanë përfituar miliona euro nga shfrytëzimi i këtyre pronave, duke mos u ndëshkuar ligjërisht për abuzimin me të mirën publike”, është shprehur Kalaja.

Ai ka shtuar se niveli i veprimeve të institucioneve të drejtësisë në angazhimin me pronat e uzurpuara ka qenë zero.

“Pandëshkueshmëria e këtyre personave dhe grupeve që kanë abuzuar me pronat e uzurpuara ka krijuar një sistem kriminal shumë profitabil. Një kompani publike paguan qindra mijëra euro qira në vit në një pronë të uzurpuar nga një ish-zyrtar i lartë publik e zyrtarë partie mu në qendër të Prishtinës”, ka shtuar më tutje.

 IKD: Dënimet me gjobë nuk janë treguar efektive

Politika ndëshkimore në Kosovë vazhdimisht ka qenë problem në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës, ku në raste të shumta ka pasur dënime kontradiktore dhe jo unike. Kështu është shprehur Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Shala ka përmendur udhëzuesin, të cilin e ka miratuar Gjykata Supreme lidhur me politikën ndëshkimore e që ka mbetur vetëm në letër, sipas tij.

“Ndonëse i njëjti nuk është obligativ për gjyqtarët, ai paraqet një pikë shumë të fortë reference lidhur me matjen e llojit dhe të lartësisë së dënimeve. Por, i njëjti udhëzues ka mbetur në letër dhe nuk është zbatuar”, ka thënë Shala për gazetën “Zëri”.

Për këtë ai ka kërkuar vlerësimin e drejtë të fakteve të gjykatave në të gjitha rastet në përgjithësi.

“Gjykatat në të gjitha rastet duhet që të bëjnë vlerësim të drejtë të fakteve dhe në mënyrë të përpiktë të vlerësojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me llojin dhe lartësinë e dënimit, pasi në shumicën e rasteve dënimet me gjobë dhe me kusht nuk janë treguar shumë efektive”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, në listën e uzurpatorëve jorrallëherë kanë munguar zyrtarët e lartë shtetërorë, në mesin e tyre kryetarë komunash e zëvendësministra.

Avokati i Popullit ka kërkuar reagimin e autoriteteve në garantimin e mbrojtjes së plotë të të drejtave pronësore si të drejta themelore të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë, pa përjashtime.