Zyrtarët e pasur përfitojnë edhe pensione nga shteti

Ekonomia July 16, 2018 - 08:36
Mësoni më shumë detaje

Zyrtarët e lartë shtetërorë nuk po ngopen me të ardhurat e tyre të majme, disa prej tyre vazhdojnë të marrin edhe pensione nga buxheti i shtetit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deputetët Bekim Haxhiu, Anton Quni, Enver Hoti e Shkumbin Demaliaj kanë deklaruar pasuri qindra mija euroshe në formularët e pasurisë së Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Por, në regjistrat e deklarimit të tyre figurojnë edhe pensionet invalidore e të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), nga të cilat duket se nuk heqin dorë pavarësisht të ardhurave tejet stabile.

Mbi 300 mijë euro kap vlerën vetëm pasuria që ka nën pronësi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Ndërsa nuk qëndron keq as me të ardhurat e tij, shkruan më tutje "Zëri".

Haxhiu merr tri paga dhe një beneficion invalidor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej 3 mijë e 825 eurosh. Paga e tij vjetore nga Kuvendi shkon në 16 mijë e 612 euro.

LEXO EDHE: Rriten azilkërkuesit në Kosovë, prijnë turqit

Por këto nuk janë përfitimet e vetme, siç ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputeti merr pagë sekondare në Universitetin e Prishtinës 3 mijë e 224 euro, si dhe 1 mijë e 624 euro si ligjërues në kolegjin “Rezonanca”.

Sikur Haxhiu përfitime thuajse të ngjashme gëzon edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni. Mbi 400 mijë euro është vlera e pasurisë së tij, ku përfshihen banesa, shtëpia, lokali afarist e oborri.

Quni ka deklaruar edhe dy vetura, një të tipit “BMW X5” 8 mijë euro, si dhe një “Mercedes” 3 mijë euro nën pronësi të fëmijëve. Ai paguhet 21 mijë euro në vit nga Kuvendi.

Por, pavarësisht kësaj page ka deklaruar të jetë edhe përfitues i një pensioni të TMK-së prej 3 mijë e 468 eurove.

Radha e përfitimeve të pensioneve nga deputetët nuk përfundon me kaq. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Shkumbin Demaliaj ka bërë publike pasurinë e tij 500 mijë euroshe.

Demaliaj merr pagë mujore 8 mijë e 139 euro. Bashkë me pagën e tij përfiton edhe një pension invalidor prej 3 mijë e 828 eurosh. Demaliaj nuk është i vetmi përfitues pensioni në familjen e tij, bashkëshortja e tij gëzon pension veterani 2 mijë e 40 euro, si dhe prindi i tij pension të familjeve të dëshmorëve 5 mijë e 400 euro.

Pension nga shteti merr edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate Enver Hoti, i cili ka të deklaruar pasuri prej 225 mijë eurosh. Për punën në Kuvend në vit Hoti paguhet 22 mijë e 523 euro, ndërsa pensioni i tij i TMK-së kap vlerën e 2 mijë e 634 eurove.

Ministrat me pensione

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë të vetmit që përfitojnë pensione në kurrizin e shtetit. Sikur ta të njëjtat përfitime i gëzojnë edhe ministra e ish-ministra.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) Rrustem Berisha ka deklaruar pagë vjetore 14 mijë e 652 euro, pagë vjetore nga Qeveria 22 mijë e 817 euro, si dhe një pension vjetor nga FSK-ja 5 mijë e 736 euro.

Vlera e pasurisë së Berishës arrin në 747 mijë euro, ku përfshihen tokat bujqësore, punuese, livadhet, arat e stani i drurit. Ministri e ka deklaruar edhe një pajisje bujqësore të 20 mijë eurove, si dhe një veturë të tipit “Touran” 7 mijë e 500 euro.

Beneficione nga shteti gëzon edhe ish-paraardhësi i Berishës, Agim Çeku. Paga vjetore e tij nga Kuvendi, të cilën e ka deklaruar, vlente 24 mijë e 701 euro, ndërsa vlera totale e pasurisë plot 158 mijë euro.

Çeku i ka nën pronësi dy vetura, një të tipit “VW Touareg” të 10 mijë eurove, si dhe një “Ford” dhuratë prej një miku e që vlen 1 mijë e 500 euro. Me gjithë këto të ardhura Çeku përfiton edhe pensionin e TMK-së 6 mijë e 720 euro. Të paktën kështu bëhet e ditur në regjistrin e deklarimit të pasurisë së tij.

Qeveria ua kryen edhe kompensimet e burgut politik disa deputetëve. 9500 euro është vlera e kompensimit të burgut nga Qeveria për deputeten Flora Brovina, siç ka deklaruar në formularët e pasurisë.

Paga e saj arrin në 19 mijë e 700 euro, ndërsa nuk ka të deklaruar pasuri përveç një detyrimi financiar ndaj bankave komerciale në vlerë të 390 eurove.

Njohësit ligjorë: Përfitimet e zyrtarëve, të kundërligjshme

Këto përfitime, të cilat aktualisht po i gëzojnë deputetët pavarësisht pasurisë së majme, po i cilësojnë si të kundërligjshme njohësit e sistemit ligjor në Kosovë.

Mazllum Baraliu, njohës i fushës ligjore, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka konfirmuar se përfitimet e tilla janë të kundërligjshme.

“Është e kundërligjshme. Në qoftë se gëzon një të drejtë përjashtohet nga e drejta tjetër, nuk mund të gëzojë nga një sistem i sigurimeve sociale më shumë se një të drejtë. Është çështje ligjore dhe morale që do të duhej të respektoheshin dispozitat ligjore dhe morale. Me ligj nuk lejohet më shumë se një e drejtë nga sistemi i sigurimit social”, ka deklaruar Baraliu.

Më tutje ai ka përmendur rastet kur eprorë të Policisë së Kosovës janë përjashtuar nga e drejta pas këtyre përfitimeve.

“Jo vetëm deputetët, por po marrin edhe funksionarë të tjerë disa nga eksponentë të Policisë, eprorë të Policisë. Janë përjashtuar nga kjo e drejtë ose janë propozuar të përjashtohen nga Inspektorati i Policisë”, ka theksuar në mes të tjerash Baraliu.

Të njëjtin mendim e ka dhënë edhe njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj. Ai ka thënë për gazetën “Zëri” se duhet të merren masa që të mos lejohet keqpërdorimi i buxhetit shtetëror.

“Është e kundërligjshme dhe duhet të merren masa për ta. Në njëfarë forme nëse marrin pensione që u takojnë si munden në të njëjtën kohë të punojnë edhe në institucione. Nëse është e kundërligjshme duhet të merren masa që të mos lejohet një gjë e tillë dhe të mos keqpërdoret buxheti i Kosovës. Kjo është totalisht e papërgjegjshme dhe nuk është e drejtë”, ka thënë ai.

Kërkohet ligj unik për pensionet

Për kalimin e kësaj gjendjeje njohësi i sistemit ligjor në Kosovë, Riza Smaka, propozon krijimin e një ligji unik me të cilin do të rregulloheshin pensionet.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Smaka ka thënë se çdo veprim që do të bëhej pa ligjin unik për pensionet nuk do të ishte në rregull me ligjin dhe me kriteret shoqërore.

“Në vend të asaj metodologjie do të ishte i nevojshëm ligji unik për pension. Me ligjin për pension që do të bëhej si duhet do të diskutohej për kategoritë e caktuara, do të ishte parë kush do të kishte të drejtë. Çdo veprim që do të bëhej pa ligjin për pensionet, pa ligjin unik nuk do të ishte në rregull me ligjin e as me kriteret shoqërore”, ka deklaruar Smaka.

Sipas tij, kështu do të pamundësohej privilegjimi i kategorive të caktuara.

“Sepse ndonjë kategori do të privilegjohej e tjera do të deprivilegjohej, tjetra do të abstrahohej, do të lihej anash krejt, gjë që nuk është në rregull. Duhet të bëhet një ligj për pensionet unik, që përfshin kategoritë edhe zejtarët, deputetët, ish-funksionarët e të nisë nga presidenti”, ka përfunduar në mes të tjerash ai.