ATK-ja arkëton 220 milionë euro brenda 6 muajsh

Ekonomia July 12, 2018 - 14:37
Lexo detajet

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka arritur të mbledhë 27 milionë euro më shumë sesa në vitin e shkuar, për periudhën 6 mujore janar-qershor.

Tabela e realizimit të të hyrave, e cila është prezantuar sot nga ATK, tregon që për vitin 2018 nga tatimet janë arkëtuar 220 milionë euro.

Për të njëjtën kohë, një vit më parë, janë mbledhur 193 milionë euro.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, tha se ATK ka arritur një progres mjaft të mirë çdo vit e më shumë dhe kjo është falë të gjithëve bashkëpunëtorëve në punën e ATK-së.

 “Rezultati i mirë ka rritur progresin e ATK-së, të arriturat kanë qenë të mundura falë bashkëpunimit të donatorëve, të OJQ-ve, asociacioneve të ndryshme, bizneseve, shoqatat dhe partnerët e interesit. Këto janë arritur falë përkrahjes së Ministrisë se Financave dhe në emër të ATK-së dua të falënderoj secilin nga ju për kontributin që zhvilluat ATK-në në këtë nivel që është”, tha Imeri.

Imeri tha se anketat dhe raportet, që janë bërë nga komunat e ndryshme të Kosovës, kanë bërë që ATK të shohë progresin e saj më mirë dhe besueshmërinë e qytetarëve tek administrata.

“Jam i bindur që kemi punë për të bërë, por nuk duhet anashkaluar të arriturat me një vlerësim të lartë pozitiv që shihet qartë nga anketa e tatimpaguesve, nga raporti i Bankës Botërore, Raporti Monitorues i Fondit Kombëtar etj”, tha Imeri.

Ndërsa, Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se ATK çdoherë po përmirësohet më mirë dhe sipas tij Administrata Tatimore e Kosovës është një administratë, me të cilën duhet të krenohemi të gjithë për punën që bënë.

“Administriata Tatimore e Kosovës nga viti në vit po përmirësohet me performancën e ATK-së dhe shërbimin që ofrojnë. Kemi një administratë ku mundemi me u krenu sa i përket punës së tyre”, tha Gashi.

Gashi shtoi se Ministria e Financave po ndihmon sektorin privat dhe është e angazhuar të rrisë me shumë prodhimin vendor. Ai tha se Kosova duhet të eksportoj më shumë se sa të pranoj import.

“Ministria e Financave ka marrë masa dhe hapa për lehtësimin e sektorit privat dhe shërbimin sa më të mirë e sidomos të ndërmarrjeve prodhuese. Ne jemi të interesuar të rrisim më shumë prodhimin dhe ta rrisim importin e prodhimeve tona, në vendet e ndryshme më shumë, dhe të pranojmë mallra të huaja më pak”, tha Gashi.