BE-ja, 30 milionë euro grante për digjitalizimin e Ballkanit Perëndimor

Ekonomia July 12, 2018 - 08:34
Lexoni më shumë detaje

Bashkimi Evropian (BE) i ka ndarë 30 milionë euro grante për vendet e Ballkanit Perëndimor për të investuar në ndërtimin e një infrastrukture më të mirë digjitale, përkatësisht në lidhjen me brez të gjerë (broadband), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo u bë e ditur në fund të muajit të kaluar në Sofje të Bullgarisë, ku Komisioni Evropian kishte filluar programin digjital për Ballkanin Perëndimor “Asambleja digjitale 2018”.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov dhe komisionarja për Ekonomi Digjitale dhe Shoqëri, Mariya Gabriel.
Kjo e fundit ka deklaruar me këtë rast se digjitalizimi është i pakufishëm, ku përfshin rajone dhe kontinente, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: 15 asamblistë, peng të moskonstituimit të KQZ-së

Qëllimi i Asamblesë Digjitale është të sigurojë që qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor mund t’i korrin plotësisht përfitimet e ritmit të shpejtë dhe të pashmangshëm të transformimit digjital.

Angazhimi për agjendën digjitale do të sigurojë që qytetarët të kenë aftësi për t’i përputhur kërkesat e ekonomisë së re dhe të ndihmojnë modernizimin e administratave publike, forcimin e sigurisë kibernetike, rritjen e lidhjes dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Po ashtu u bë e ditur se BE-ja dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë një qëllim të përbashkët për të përmirësuar sigurinë dhe besimin në internet.

Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve në besim, në siguri dhe në digjitalizimin e industrisë në Ballkanin Perëndimor për të siguruar që të gjithë sektorët të përfitojnë nga risitë digjitale.

Agjenda digjitale po ashtu synon të mbështesë vendosjen e mjeteve të e-qeverisjes, e-prokurimit dhe e-shëndetësisë dhe do të ndihmojë në rritjen e aftësive digjitale në mesin e qytetarëve. “Kjo do të bëhet duke mbështetur përfshirjen dhe përfaqësimin e Ballkanit Perëndimor në nismat dhe në ngjarjet e BE-së”.

Përndryshe, agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor është një përpjekje e përbashkët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbisë) dhe Komisionit Evropian. Ajo u prezantua më 6 shkurt 2018 si njëra nga gjashtë nismat kyçe të objektivave të angazhimit në komunikimin për një perspektivë të besueshme të zgjerimit për angazhimin e zgjeruar të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Një angazhim për fillimin e agjendës digjitale u njoftua gjatë Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor në prill të këtij viti, i cili përfshinte një udhërrëfyes për uljen e tarifave të roamingut midis partnerëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

Në Samitin e Triestes në korrik 2017 liderët e Ballkanit Perëndimor miratuan integrimin digjital si njëri nga katër komponentët e planit shumëvjeçar të veprimit për një zonë ekonomike rajonale.