Rikallo: Nuk kemi fond të posaçëm për kompensimin e dëmeve nga shiu

Ekonomia July 10, 2018 - 12:36
Detajet

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari e Zhvillim Rural, për situatën e tokave bujqësore, pas dëmeve nga reshjet e mëdha të shiut. Rikallo ka thënë se nuk ekziston asnjë fond i posaçëm për kompensimin e dëmeve, raporton “Zëri. Info”.

Anëtarët e Komisionit, drejtuan një varg pyetjesh për ministrin Rikalo, me pretekstin se janë të detyruar t'i shtrojnë pyetje nga fushat e ndryshme, për shkak të mos prezencës në seanca.

Në anën tjetër, Adem Arifaj shef i divizionit për mbrojtjen e bimëve nga ministria e Bujqësisë, ka treguar se aktualisht deri më tani dëmet kanë arritur në 1 milion e 200 mijë euro.

"Nga viti 2011 janë ndarë mjete por jo të mjaftueshme. Dëmet që janë kompensuar janë në masë të vogël për shkak të mjeteve të disponueshme. Ne nuk kemi vijë buxhetore për kompensimin e dëmeve", ka sqaruar Arifaj.

Për situatën e dëmeve të tokave bujqësore janë shprehur te shqetësuar kryetari i komisionit Daut Haradinaj, i cili kërkonte te dinte nëse do të ndahen fonde për kompensimin e fermerëve.

Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Andin Hoti i cili u shpreh  se në bazë të një raporti që posedon mbi 4 milionë euro janë dëmet deri tash në Rahovec nga të reshurat.

Image

Ai ka kërkuar me ngulm nga ministri të dijë për kompensimin e fermerëve.

Pati pyetje edhe për publikimin e përfituesve të listës së granteve si dhe për dyshimet se kompania "Concept Pro", ka lidhje me bashkëshorten e ministrit Rikallo.

Aktualisht, kryetari i komisionit Daut Haradinaj ka kaluar në një çështje tjetër për çmimin e ulët të mjedrave në treg. Ministri po përgjigjet në pyetjet e parashtruara./Zëri/