Ministri Lluka paralajmëron privatizimin e Telekomit

Ekonomia July 10, 2018 - 08:58
Mësoni më shumë shumë detaje

Ka mjaftuar një diskutim disaorësh me përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës që ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ta gjejë alternativën për t’ua paguar pagat punëtorëve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Punëtorët e Postës të hënën paradite i mbyllën zyrat. Ata nuk pranuan të ofrojnë asnjë shërbim për qytetarët në zyrat e tyre postare pa i marrë pagat.

Por, situata ndërroi krejtësisht pas ndërmjetësimit që ministri Valdrin Lluka arriti me kryetarin e Sindikatës së Postës, Etrit Hotin.

Lajmin se greva e punëtorëve është ndërprerë dhe tashmë kanë filluar t’u shpërndahen pagat e ka konfirmuar ministri Lluka në një konferencë para gazetarëve. Lluka ka premtuar një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme për muajt në vijim.

LEXO EDHE: Kuvendi pa deputetë, opozita kërkon zgjedhje

“Do të bëjmë zgjidhje afatgjate dhe më të qëndrueshme. Si rezultat do të fokusohemi në muajt e ardhshëm në strategjinë e Postës së Kosovës, në rritjen e shërbimeve në menaxhimin më të mirë të shpenzimeve operative”, deklaroi ministri, shkruan më tutje "Zëri".

Më tutje ai komentoi edhe mundësinë për privatizimin e Telekomit, duke aluduar se është zgjidhja më e mirë për t’ua siguruar ekzistencën punëtorëve.

“Telekomi do të privatizohet. E vetmja formë për të siguruar një ekzistencë edhe për ata punëtorë, edhe për Telekomin është privatizimi. Jo tani, sepse ka vështirësi të mëdha financiare dhe nuk ka të interesuar investitorë të huaj, por në një kohë afatmesme diku rreth dy vjet besoj që duhet të privatizohet. Posta duhet të mbetet shtetërore, por duhet të ndihmohet”, shtoi në mes të tjerash i pari i MZHE-së.

Posta me 1004 punëtorë

Posta e Kosovës aktualisht numëron 1004 punëtorë. Këto shifra i ka bërë publike zëdhënësi për Informim në Postën e Kosovës, Arsim Mehmeti.

Në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” Mehmeti ka rikonfirmuar lajmin për ndërprerjen e grevës dhe rikthimin e punëtorëve në vendet e tyre të punës.

“Sot pritet të dalin pagat. Greva është ndërprerë. MZHE-ja ka dhënë komunikatë për medie se do t’i realizojë kërkesat e sindikatave. Aktualisht posta numëron 1004 punëtorë”, ka thënë shkurt Mehmeti.

Gazeta “Zëri” ka siguruar numrin e punëtorëve të Postës duke filluar prej vitit 2012 dhe rritjen e shifrave ndër vite.

“Në vitin 2012 kanë qenë 928 punëtorë, në 2013-n 948 punëtorë, një vit më pas 990, në vitin 2015 mbi 1 mijë punëtorë, në 2016-n për dy numra më shumë në 1 mijë e dy punëtorë, ndërsa në vitin 2017 plot 1019 mijë punëtorë”, kështu thuhet në përgjigjen që Mehmeti ia pati dhënë “Zërit”.

Pas arritjes së marrëveshjes për mbulimin e pagave të punëtorëve të Postës, përfaqësuesit e Sindikatës së kësaj ndërmarrjeje dolën me një komunikatë për medie, duke falënderuar punëtorët për grevën e dinjitetshme, si dhe ministrin Lluka për realizimin e kërkesave.

Komunikata e tyre drejtuar medieve theksonte angazhimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik në mbulimin e humbjeve të Postës nga Shërbimi Universal Postar, implementimin e strategjisë së Postës për dalje nga kriza, si dhe qëndrueshmërinë financiare për ofrim të shërbimeve të institucioneve shtetërore për Postën e Kosovës.

“Pas zotimit të ministrit Lluka, si dhe zotimit nga menaxhmenti se pagat do të paguhen sot deri në orën 16:00 greva është ndërprerë. Punëtorët janë kthyer në vendet e punës dhe janë duke ofruar shërbimet në të gjitha zyrat postare”, theksohej në mes të tjerash në komunikatën e tyre.

Kërkesat e punëtorëve:

Pagesa e menjëhershme e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës si obligim ligjor për humbjet në shërbimin universal postar, implementimi i strategjisë së dërguar nga Posta e Kosovës në Qeveri, e cila garanton stabilitet afatgjatë financiar dhe ndalimi i favorizimit të operatorëve privatë për faktin se shërbimet e njëjta Qeveria mund t’i kryejë me ndërmarrje me kualitet të lartë e kosto të ulët ishin vetëm disa prej kërkesave që detyruan punëtorët e këtij menaxhmenti të hyjnë në grevë.

“Kjo grevë njëorëshe është vetëm hapi ynë i parë sindikal, që do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të PK SHA. Greva organizohet për shkak se punëtorët e Postës ende nuk i kanë marrë pagat si pasojë e mosrealizimit të obligimeve të Qeverisë dhe institucioneve të tjera ndaj Postës së Kosovës”, thuhej më herët në njoftimin e tyre.

Ndërsa më herët paralajmëruan se nuk do ta ndalin aktivitetin sindikal deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Ndryshe, ministri në konferencë tregoi se Qeveria është e angazhuar ta ndihmojë Postën të krijojë të hyra për vete, por sipas tij Qeveria duhet ta subvencionojë Postën momentalisht.