Gjermania e Zvicra alarmohen me mashtruesit e aviobiletave

Ekonomia July 09, 2018 - 19:52
Detajet

Media të fuqishme në Zvicër e Gjermani, gjatë ditës së djeshme, por edhe sot kanë publikuar një hulumtim, ku kanë gjetur se si kompani mashtruese të cilat nuk kanë madje as edhe zyrë po i mashtrojnë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në këto shtete duke iu ofruar bileta avioni me çmime shumë të lira, por në të shumtën e rasteve, ata bijën viktimë e individëve mashtrues që duke ndërruar në vazhdimësi emrat e kompanive po arrijnë të mashtrojnë një numër të madh qytetareve.

Gazeta Zvicerane “Blick” ka raportuar se familja Hasani  kërkonte të vizitonte të afërmit e tyre në Kosovë. Megjithatë, më vonë kupton se ka qenë e mashtruar me biletat. Tashmë shpreson që përmes ligjit t'i marrë paratë e humbura.

Një vit kurseu shqiptaro-zvicerani Egzon Hasani (57, emri i ndryshuar) me familjen e tij njëmbëdhjetë anëtarëshe për pushimet verore. Ata dëshironin të vizitonin të afërmit e tyre në afërsi të Prishtinës. Në kohën kur Hasani kërkonte fluturime më të lira nga Bazeli, gjeti kompaninë ajrore ‘Germany Airlines’, e cila i ofroi 3590 franga për udhëtim për gjithë familjen, shkruan albinfo.ch.

Shumë para për familjen Hasani. Megjithatë, babai i rezervoi biletat dhe i dërgoi. Tani ata gëzohen të gjithë në vendlindje. Kjo zgjati deri në momentin kur një e afërme e 57-vjeçarit zbuloi se kompania ajrore gjermane largonte sistematikisht shqiptarët të cilët dëshironin të fluturonin nga Bazeli në Prishtinë. Familja mezi u besonte syve.

Megjithatë Urs Holderegger, shef federal i fluturimeve civile (Basel), vërteton për “Blick” frikën e Hasanit: “Kjo kompnai ajrore nuk jep udhëtime të thjeshta. Prandaj nuk ka fluturim.”

Në Basel janë paraqitur shumë raste me firma të dyshimta. Kontaktet me shoqërinë ajrore janë thuajse të pamundura, ndërsa ankesat të pavlefshme. “Atje na thanë neve se një ankesë do të ishte e kotë”, thotë Egzon Hasani.

Një rast mashtrimi?

A është familja shqiptare fajtore për këtë? Jo, pasi në internet ka plot oferta të rrejshme që duken si origjinale dhe nga ku shumë persona mund të mashtrohen.

“Kush është i pacipë këtu?” pyet Egzon Hasani i zemëruar. Gjurmët e firmës mashtruese shkojnë drejt Gjermanisë me një pronar firme me emrin: Metehan M.*. I martuar. Baba krenar. Dhe mashtrues? Ai nuk ka reaguar ndaj pyetjes nga Blick.

Papritur numri i Germany Airlinies nga Zvicra nuk punon dhe gjithçka bëhet e pa arritshme për kontakt. Fatmirësisht numri i kontaktit nga Gjermania punonte dhe Blick arrin të kontaktojë shoqërinë ajrore duke pasur konfrontime në bisedë: Germany Airlines nuk mashtron njerëzit, nuk ofron fluturime, nuk ka uebsajt. Blick pyet për pronarin Metehan M. “Unë nuk e njoh këtë tip”, thotë gruaja me theks shqiptar në telefon.

Si do të shkojë më tej?

Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve (SKS)  e ka marrë rastin për shqyrtim: mbrojtësit e konsumatorit kanë ngritur një aktpadi kundër “Germany Airlines” dhe rasti është paraqitur edhe te Policia Federale (Fedpol). Nëse Hasani do t’i marrë përsëri 3500 frangat, mbetet e hapur. Ata dje fluturuan me paratë e mbetura në Prishtinë.

MASHTRIMET:

Rasti “Kosova Jet Express”

Shumë qytetarë të Kosovës, të cilët kanë jetuar në Zvicër, gjatë vitit që lamë pas kanë rënë viktimë e kompanisë “Kosova Jet Express”. Shumë qytetarë është dashur të presin më orë, madje deri në dy ditë në Aeroport për të fluturuar, por nuk kanë mundur, kështu që ata janë detyruar t’i blejnë edhe një herë biletat për t’u kthyer në vendet ku ata jetojnë e punojnë.

Rasti “Dardania Airways”

Kompania “Dardania Airways” gjatë muajit qershor vitit 2016 dyshohet se kishte mashtruar rreth pesëmijë bashkatdhetarë. Kah fundi i muajit maj të vitit që lamë pas pronari i kësaj agjencie për ta pasur më të lehtë mashtrimin kishte afruar afër vetes edhe bashkëpunëtorë. E gjithë shitja e biletave duke mashtruar ka ndodhur brenda një periudhe 3-javore, për aq kohë sa edhe ka qëndruar “Dardania Airways” në sistemin e “webkos.de”. Në mashtrim të bashkatdhetarëve ndihmë agjencisë “Dardania Airways” i ka ofruar edhe pronari i touroperatorit “Alba Air”. E për të qenë sa më efektiv në operacionin që kishin filluar, pronari i “Alba Air”-it kishe lëshuar në shfrytëzim “Call center”-in e tij, që ka në zyrat e “Alba Air”-it në qendër të Prishtinës.

“Belle Air” mashtroi 26 mijë pasagjerë

Mashtrimet më të mëdha me bileta aeroplani i ka bërë aviokompania “Belle Air”. Vetëm në vendin tonë më shumë se 26 mijë qytetarë janë viktimë e kësaj kompanie. Dyshohet se në mashtrim ishin të përfshira edhe touroperatorë si “Select Fly”, “Air Munich”, “Reisebüro Prishtina”. I gjithë ky organizim ishte bërë me ndihmën e “Select FLY”. “Belle Air” në fund të nëntorit të vitit 2013 kishte shpallur falimentimin.

“Airbuchurest” la në aeroport 4600 pasagjerë

Po atë vit, 2013, rreth 2800 udhëtarë kishin mbetur pa udhëtuar në destinacionet e tyre, pasi aviokompanitë “Airbuchurest”, “Adria Airways” dhe “Air Dolomiti” nuk kishin realizuar fluturimet, për të cilat kishin shitur bileta. Në ndihmë për të mashtruar këtyre aviokompanive u kishte ardhur “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Biletat nga këto aviokompani ishin shitur nga Dyseldorfi, Shtutgardi e Baseli.

Kthimi i pasagjerëve nuk ishte realizuar pasi aviokompania “Airwings” kishte mbyllur zyrat për shkak të presionit të pasagjerëve. “Airbuchurest”, një kompani nga Rumania me pronar të nacionalitetit turk, së bashku me kompaninë “Levingstone” nga Italia dhe “Adria Airways” nga Sllovenia kishin operuar gjatë kohës shtator dhe gusht 2012, duke realizuar fluturime nga Dyseldorfi, Stutgarti e Baseli.

Një vit më herët në rrugë kishin mbetur po ashtu rreth 1800 udhëtarë, kësaj radhe nga aviokompanitë “Airbuchurest” dhe “Mistral”. Pjesë e këtyre mashtrimeve ishin edhe touroperatorët “Airwings”, “Eurowings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Gjatë vitit 2011 ishin organizuar fluturimet gjatë muajit gusht dhe shtator, ku destinacioni ishte nga Dyseldorfi, Stutgarti e Baseli drejt Prishtinës në bashkëpunim me kompaninë “Eurowings”.

Rasti “Vallahia Air”

Në vitin 2013 mashtrime me bileta kishte bërë edhe “Vallahia Air”, duke lënë rrugëve rreth 400 pasagjerë. Organizator i kësaj kompanie ishte “Flywings”. Në këto mashtrime kontributin e tyre e kishin dhënë edhe institucionet e Kosovës, pasi që në atë kohë licencuan aviokompani mbrapa të cilave po qëndrojnë persona mashtrues.

“Livingston” mashtroi 1700 pasagjerë

Për këta mashtrues ishin në dijeni edhe institucionet e Kosovës, pasi që vite më parë mashtruan udhëtarët përmes aviokompanisë italiane “Livingston”, duke përfituar rreth një milion euro. Edhe viti 2012 nuk kishte kaluar pa mashtrime, pasi në skenë kishin dalë kompanitë si “Airbuchurest”, “Levingstone”, “Adria Airways”, të cilat kishin lënë në rrugë rreth 1700 pasagjerë. Në ndihmë këtyre aviokompanive për mashtrim u kishin dalë këta touroperatorë: “Airwings”, “Uskana”, “Reisebüro Prishtina” dhe “Eurowings”.

“Mistral” la në rrugë 2000 udhëtarë

Aviokompania “Mistral” i kishte lënë në rrugë rreth 2000 udhëtarë në vitin 2010. Në ndihmë i kishin ardhur touroperatorët “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”.

“Pron Air” la në rrugë 3500 pasagjerë

Mashtrimi i madh i udhëtarëve kishte ndodhur edhe në vitin 2009 nga aviokompania spanjolle “Pron Air”, të cilët kishin lënë në rrugë rreth 3500 pasagjerë. Në ndihmë për mashtrim të bashkatdhetarëve me bileta të aeroplanit ishin përfshirë “Air Dardania”, “Munich Airlines” dhe “Air Kosova”.

Rasti “Aurora Airlines”

Edhe vitin kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës, më 2008-n, udhëtarë në rrugë kishte lënë edhe kompania ajrore “Aurora Airlines”. Rreth 4500 pasagjerë kishin mbetur pa udhëtuar drejt destiancioneve të caktuara, pasi ishin anuluar fluturimet. “Aurora Airlines” ka qenë kompani me orgjinë nga Sllovenia. Në ndihmë për mashtrim kësaj aviokompanie i kishin ardhur “Airkosova” dhe “Munich Airlines”, të cilat kishin shitur biletat në destinacionet nga Gjermania: Stuttgart, Hannover, Dysseldorf, Mynhen dhe kanë sjellë udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës, ku kthimi i tyre nuk ishte realizuar.

“Bardha Travel” la në det VIP-at

Në listën e aviokompanive mashtrueseve hyn edhe “Bardha Travel”, e cila kishte lënë nëpër oborre të hoteleve në Turqi disa zyrtarë të lartë të shtetit. Në atë kohë kompania në fjalë kishte joshur VIP-at kosovarë me oferta joshëse me çmime të ulëta, por në fund të gjithë ata që kishin fluturuar me këtë kompani kanë mbetur në rrugë, duke u detyruar që edhe një herë ta paguajnë aranzhmanin te ndonjë kompani tjetër.

Rasti “Tafa Air” dhe “Illyrian”

Po ashtu edhe “Tafa Air” dhe Illyrian” hyjnë ne listën e kompanive mashtruese, të cilat u kanë marrë paratë kryesisht bashkatdhetarëve dhe nuk ua kanë kryer shërbimet. Në vitin 2009 në prag të ndërrimit të motmoteve “Tafa Air” kishte lënë në Aeroport duke pritur me orë e ditë të tëra mijëra pasagjerë dhe në fund e kishte shpallur falimentimin, praktikë kjo e ndjekur nga rrjeti kriminal i mashtruesve me aviobileta. Po ashtu njëjtë si kjo kishte vepruar edhe kompania “Illyrian”, ku fillimin e operimit të saj në atë kohë e kishte inauguruar ish-ministri i Financave, Ahmet Shala. Madje si për çudi në atë kohë Shala kishe fluturuar drejt Shqipërisë me kompaninë e njëjtë edhe pse ajo nuk kishte pasur leje për operim në vendin tonë.