PSD-ja e LVV-ja në 'luftë' për Ndërmarrjen Publike Banesore

Ekonomia July 07, 2018 - 08:26
Lexo detajet

Partia Socialdemokrate dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë shpallur “luftë” njëra-tjetrës për pozitën e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore. Përfaqësuesit e LVV-së po thonë se kryeshef legjitim i ndërmarrjes është Nexhat Kryeziu, i cili edhe aktualisht është duke menaxhuar atë, ndërsa përfaqësues të PSD-së po thonë se kryeshef të kësaj ndërmarrjeje e kanë emëruar Hajdar Hoxhën, i cili së paku deri më tash nuk ka mundur ta ushtrojë këtë pozitë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dy partitë politike, Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), e cila drejtohet nga kryetari aktual i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, dhe Lëvizja Vetëvendosje e  Albin Kurtit, i kanë shpallur “luftë” njëra-tjetrës për pozitën e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore. Kjo ndërmarrje viteve të kaluara, por edhe sot e kësaj dite, drejtohet nga Nexhat Kryeziu, i cili edhe ka përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Por në anën tjetër përfaqësues të PSD-së thonë se kryeshef i kësaj ndërmarrjeje më nuk është Kryeziu, por Hoxha.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” ky i fundit thotë se atij po i pamundësohet hyrja në NPB.  “Bordit të kaluar i ka skaduar mandati dhe deri më tani nuk ka emërim të ndonjë bordi. Unë me vendimin që posedoj jam u.d. i kryeshefit, mirëpo për funksionin në fjalë nuk po më lejojnë të ushtroj”, ka thënë Hoxha.

Po për këtë gjë janë deklaruar edhe anëtarë të Komisionit të Aksionarëve në NPB. Ata kanë thënë që Hoxha nuk është emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, por është me vendim dhe se këtë vendim të tyre ata e kanë dërguar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për një opinion ligjor lidhur me vendimin. Ministria lidhur me këtë çështje ka dalë me një opinion ligjor. Në këtë vendim MZHE-ja ka konstatuar se Bordi i Aksionarëve të NPB-së ka të drejtë të marrë vendime për emërimin e drejtorëve.

E kjo gjë nuk po u pëlqen aksionarëve të LVV-së, si dhe zyrtarëve pranë Nexhat Kryeziut në këtë ndërmarrje, të cilët po e mbështesin atë dhe po e akuzojnë se emërimi i Hajdar Hoxhës në këtë ndërmarrje është bërë për interesa personale.

Vendimi për emërimin e Hajdar Hoxhës dërgohet në Gjykatë

Zyrtarë nga kabineti i kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore për “Zërin” kanë konfirmuar se Nexhat Kryeziut i ka skaduar mandati në këtë ndërmarrje, porse ai po qëndron në krye të kësaj ndërmarrjeje deri në kohën kur do të emërohet një kryeshef i ri ligjor. “Nexhat Kryeziu është përzgjedhur sipas konkursit të publikuar nga Bordi i Drejtorëve të NPB-së në mars të vitit 2015 për kohë të pacaktuar, megjithëse është e vërtetë se kontratën e punës e ka nënshkruar në kohëzgjatje për tre vjet. Duke parë që organet kompetente komunale (Komisioni Komunal i Aksionarëve) nuk i kanë kryer obligimet me ligj dhe se janë vonuar në përzgjedhjen e organeve të reja Bordi aktual i Drejtorëve në mbledhjen e datës 23.03.2018 ka vendosur që kryeshefi ekzekutiv të vazhdojë të ushtrojë detyrën deri në një vendim tjetër të Bordit. Sipas Ligjit Nr. 03/L-123 për Shoqëritë Tregtare, Neni 171.3 pavarësisht nga skadimi i mandatit, anëtarët e Bordit të Drejtorëve vazhdojnë me ushtrimin e detyrave të tyre derisa të zgjidhet pasardhësi, në mënyrë që veprimtaria e Bordit të vazhdojë pa pengesë”, thuhet në përgjigjen e kthyer nga Vlora Nrecaj, zyrtare në NPB.

Sipas kësaj përgjigjeje, emërimi i Hajdar Hoxhës në krye të NPB-së është një vendim joligjor dhe përmban konflikt interesi. “Sa i përket emërimit ad hoc të z. Hajdar Hoxhës (Auditorit të Brendshëm të NPB-së) në pozitën u.d. kryeshef ekzekutiv në NPB nga 2 anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve më duhet të theksoj se: në asnjë ligj dhe akt tjetër nënligjor nuk ekziston në kompetencën e Komisionit Komunal të Aksionarëve  një emërim i tillë pa konkurs, duke shkelur procedurat ligjore në tërësi dhe me konflikt interesash. Me sa kemi njohuri aksionari i caktuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës z. Egzon Azemi ka ushtruar padi në Gjykatë me kërkesë për anulimin e vendimit për emërimin e z. Hajdar Hoxhës nga dy aksionarët tjerë për shkak se vendimi si i tillë është në kundërshtim me ligjin”, thuhet tutje në përgjigje.

Kukaj: NPB-ja nuk po funksionon

Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Aksionarëve në NPB, Dren Kukaj, për gazetën “Zëri” ka sqaruar rrethanat në të cilën gjendet NPB-ja. Sipas tij, problemi qëndron te veprimet e jashtëligjshme të personave brenda kësaj ndërmarrjeje. “Problemet janë ngjallur atëherë kur disa persona aty kanë gjetur vullnetin që jashtëligjshëm të veprojnë brenda ndërmarrjes. Ne kemi parashikuar një sjellje në kuadër të kornizave ligjore që na i përcakton ligji në raport me punën që e bën Ndërmarrja Publike Banesore, mirëpo një sjellje të tillë e kemi hasur fatkeqësisht nga disa persona në Ndërmarrjen Publike Banesore e këtu përfshihen pjesëtarë të menaxhmentit të kaluar, i cili tashmë funksion aty edhe pse jashtë aspektit ligjor, qëndron jashtë mandatit”, ka thënë Kukaj. Ndonëse është i obliguar me ligj Kukaj ka thënë që atij nuk i është lejuar që t’i shohë aplikacionet e aplikantëve për Bordin e ri të Ndërmarrjes dhe fajin për këtë ia hedh menaxhmentit të kaluar. “Ne kemi vendosur tashmë një konkurs për emërimin e bordit, mirëpo deri më tani asnjëherë nuk kam arritur që t’i shoh aplikacionet ndonëse jam i obliguar me ligj që t’i shoh ato të aplikantëve. Kjo ka ndodhur për shkak se ata persona, anëtarët e mbetur të Bordit të Drejtorëve dhe ish-kryeshefi ekzekutiv që po qëndron aty jashtëligjshëm, i kanë zaptuar ato dokumente dhe unë nuk e di kush ka aplikuar”, ka thënë ai. Për gjithë këto gjëra Kukaj ka njoftuar se vendimin për emërimin e Hajdar Hoxhës në krye të NPB-së e ka dërguar në MZHE për ta parë ligjshmërinë e tij. “Për shkak të asaj që ngjau në Ndërmarrjen Publike Banesore unë kam bërë kërkesë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht në Departamentin për Politika dhe për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike që të na japë një opinion ligjor lidhur me vendimin në bazë të të cilët Hajdar Hoxha është përcaktuar në pozitën e kryeshefit ekzekutiv”, shtoi ai.

Azemi: NPB-në e ka kapur Shpend Ahmeti

Lidhur me pretendimet e Dren Kukës dhe të Hajdar Hoxhës se ky i fundit nuk po lejohet ta ushtrojë detyrën e kryeshefit ekzekutiv, asamblisti dhe aksionari i kësaj ndërmarrjeje nga LVV-ja, Egzon Azemi, ka thënë se kjo gjë po ndodh për arsye se Hoxha në këtë pozitë është emëruar jashtëligjshëm. “Këto shkelje kanë të bëjnë me mosthirrjen e rregullt të mbledhjeve dhe ata po e njohin si kryeshef Hajdar Hoxhën, i cili është zgjedhur si kryeshef i kësaj ndërmarrjeje pa asnjë kriter. Pra në një mbledhje ku janë dy pika krejtësisht tjera të rendit të ditës në atë mbledhje qenka marrë një vendim ose në një kafe sigurisht që një shok i Shpendit, një anëtar i PSD-së të zgjidhet kryeshef i Ndërmarrjes Publike Banesore. Pra, për shkak të kësaj ne kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë çdo vendim të jashtëligjshëm”, ka thënë Azemi.

MZHE: Vendimi për emërimin e kryeshefit

Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes një opinioni ligjor ka konstatuar se vendimi për emërimin e Hajdar Hoxhës në pozitën e kryeshefit ka qenë në përputhje me ligjin, pasi vendimi për emërimin e kryeshefit të një ndërmarrjeje publike merret nga Bordi i Aksionarëve. Po ashtu sipas këtij vendimi një person nuk mund të qëndrojë në krye të një ndërmarrjeje nëse atij i ka skaduar mandati trevjeçar. “NJPMN-ja mban qëndrim se nuk mund të ketë vazhdim të mandatit të NP-ve përtej afatit kontraktual, përjashtimisht kur Bordi i Drejtorëve kryen procedurën e hapur dhe konkurruese. Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës. Pra, NJPMN-ja konsideron se kjo normë është e qartë, rrjedhimisht mosaplikimi i saj paraqet shkelje të dispozitave ligjore në fuqi”./ZËRI