Protestë paralajmëruese para grevës së përgjithshme

Ekonomia July 06, 2018 - 07:57
Lexo detajet

Punëtorët e “Trepçës”, të cilët kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, kanë marrë mbështetjen e BSPK-së, që i ka bërë thirrje Qeverisë t’i plotësojë të gjitha kërkesat e punëtorëve të “Trepçës”. Sadiku: Është protestë paralajmëruese, presim deri më 9 korrik, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kanë kaluar dy javë qëkur Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Trepçës” i kishte dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që ta kthejë në pikën zero draftstatutin e hartuar nga Bordi i “Trepçës” dhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në mënyrë që draftstatuti i ri t’i përfshijë kërkesat e punëtorëve të “Trepçës” e që janë njohja e pensionit në 70 për qind dhe marrja e vjetërsisë 50-55 vjet, stazhi i punës e Ligji për Sigurimin Shëndetësor.

LEXO EDHE: Rritet numri i të miturve që kryejnë vepra penale

Por, meqë nuk janë përfillur kërkesat e punëtorëve një numër i minatorëve të “Trepçës” kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke përsëritur kërkesat.

Ata kanë thënë se do të presin deri më 9 korrik që kërkesat e tyre të plotësohen e nëse deri atëherë nuk ndërmerret asgjë, atëherë minatorët do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Minatorët që protestonin kanë marrë mbështetjen e fuqishme të BSPK-së, që ka kërkuar nga institucionet e Kosovës t’i plotësojnë të gjitha kërkesat e punëtorëve. Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë se protestat do të vazhdojnë derisa të plotësohen kërkesat.

Ata kanë thënë se do të presin deri më 9 korrik që kërkesat e tyre të plotësohen e nëse deri atëherë nuk ndërmerret asgjë, atëherë minatorët do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Minatorët që protestonin kanë marrë mbështetjen e fuqishme të BSPK-së, që ka kërkuar nga institucionet e Kosovës t’i plotësojnë të gjitha kërkesat e punëtorëve. Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë se protestat do të vazhdojnë derisa të plotësohen kërkesat.

“Çdo gjë që shkruan në pankarta është legjitime në suazat të ligjit, edhe kërkesat e juaja dhe këto duhet të realizohen. Jemi këtu për ta dhënë një mesazh, një paralajmërim që Qeveria jonë të marrë guxim dhe të fillojnë të zgjidhjen problemet tona. Kërkesat tona: njohja e pensionit në 70 për qind dhe marrja e vjetërsisë 50-55 vjet, stazhi i punës e Ligji për Sigurimin Shëndetësor”, ka nënvizuar ai.

Ndërkaq Shyqyri Sadiku, kryetar i SP-së të Punëtorëve të “Trepçës”, tha se punëtorët do të presin deri më 9 korrik e nëse nuk ka ndonjë përgjigje, atëherë situata do të eskalojë.

“Po i paralajmërojmë se kemi ardhur të protestojmë, është protestë paralajmëruese. U drejtohemi institucioneve, pasi po presim qe 19 vjet të përmbushen kërkesat tona nga Qeveria, nga Kuvendi e të tjerat që këto kërkesa t’i marrin parasysh. Draftstatuti, asetet e ‘Trepçës’ i kanë përjashtuar nga ligji”, tha kryesindikalisti i “Trepçës”.

Ai ka shtuar se gjendja aktuale në ‘Trepçë nuk është e mirë për shkak të draftstatutit dhe kërkesave të minatorëve, të cilat janë të arsyeshme.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni Parlamentar kanë kërkuar afat dyjavor që të japim mundësi që kërkesat dhe vërejtjet tona të shqyrtohen ose të futen në draftstatut.

Nëse ky afat skadon dhe nuk ka përgjigje pozitive nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni Parlamentar, atëherë afati i fundit është 9 korrik 2018, ku janë të paralajmëruara greva të përgjithshme ose protesta në rrugë. Ne kemi dalë me katër kërkesa, përkatësisht Ligji për ‘Trepçën’ të kthehet prapa dhe të bëhet plotësim-ndryshimi i atij Ligji, i cili nuk na jep hapësirë për t’i i futur të gjitha kërkesat tona në draft, draft-statuti i hartuar nga Bordi i ‘Trepçës’ të kthehet në pikën zero, kërkesat e minatorëve të rregullohen me ligj dhe paralelisht me atë ligj dhe me statut të shkohet në një pako dhe të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesa e katërt është se fizibiliteti për “Trepçën” është i papranueshëm për neve dhe kemi kërkuar që të bëhet një fizibilitet i ri”, ka thënë Sadiku.

Në anën tjetër, Bordi i “Trepçës” vazhdon të insistojë që çështjet sociale të rregullohen me ligj të veçantë për të gjithë punëtorët e “Trepçës”.

“Ata mendojnë se kërkesat sociale duhet të futen në statut. Mirëpo shumica e anëtarëve të Bordit dhe Qeveria e Kosovës vlerësojnë se çështjet sociale nuk duhet të futen në statut, por të rregullohen përmes formave ligjore. Edhe unë jam për zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve, por në këtë fazë përmbushja e tyre nuk është në të mirë të ‘Trepçës’ e as të punëtorëve, pasi që ka kosto të lartë buxhetore. Nxjerrja e statutit dhe miratimi i tij në Kuvendin e Kosovës i hap rrugë regjistrimit të ndërmarrjes ‘Trepça’ dhe fillimit të funksionalizimit”, ka sqaruar kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” Ardian Syla, sipas të cilit në mungesë të statutit Ligji për “Trepçën” edhe dy vjet pas miratimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk mund të zbatohet.                 

Në draftstatutin që ka hartuar Bordi i “Trepçës” janë përfshirë të gjitha njësitë, ndonëse disa prej tyre pohohet se nuk janë përfshirë fare në të, siç janë: Fabrika e municionit të gjuetisë në Skenderaj, Fabrika e proceseve dhe e pajimeve, Fabrika e baterive.

Por, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ka thënë se në draftstatutin e tyre janë të përfshira të gjitha 27 asetet e “Trepçës”.