Ministria e Shëndetësisë shpenzon miliona euro për insulina të shtrenjta

Ekonomia July 06, 2018 - 07:42
Lexo detajet

Ministria e Shëndetësisë e ka gati tenderin prej 3.2 milionë eurosh për furnizim me insulina analoge, ndonëse insulinat humane kanë çmim prej gati pesëfish më të lirë. Spitalet e shteteve të rajonit blejnë më shumë insulina humane sesa analoge, me qëllim që ta kursejnë buxhetin e shtetit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës së shpejti pritet ta shpallë fituesin e tenderit prej 3.2 milionë eurosh për furnizim me insulina analoge, të cilat kanë një çmim shumë më të lartë sesa insulinat humane, ndonëse do të mundë të përdoreshin për të njëjtin qëllim.

Insulinat analoge janë pesëfish më të shtrenjta sesa insulinat humane, të cilat Ministria që udhëhiqet nga Uran Ismaili po bëhet gati t’i blejë nëpërmjet një tenderi.

Insulinat shfrytëzohen për stabilizimin e sheqerit në trupin e njeriut dhe shumë pacientë kosovarë ballafaqohen me mungesë të tyre në spitalet publike.

Çmimi i insulinave analoge sillet prej 5.3 euro deri në 9.7 euro për njësi, përderisa ato humane prej 1.8 deri në 2 euro për njësi.

Në bazë të një hulumtimi që ka bërë gazeta “Zëri” ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë në tenderët e shpallur për këtë qëllim 60 për qind të insulinave i blen humane, me çmim të lirë, ndërsa 40 për qind analoge.

E në vendin tonë të gjitha insulinat që blihen nga shteti janë analoge, por me kosto shumëfish më të lartë.

Ministria një insulinë e bleu 7 euro

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se sipas kontratës së vjetër, Ministra e Shëndetësisë një insulinë e ka blerë nga 5,7 euro deri në 7 euro.

“Insulinat më poshtë kanë qenë të kontraktuara me çmimet si në vijim: ‘Analog Insulinë me veprim të shpejtë’, sasia orientuese vjetore 25,100, çmimi për njësi 5,70 euro, ‘Analog Insulina me veprim të zgjatur’ sasia orientuese vjetore 12,400, çmimi për njësi 7, 00 euro, si dhe ‘Analog Insulinë Bifazike me veprim të mesëm dhe të shpejtë’ sasia orientuese vjetore 143 750, çmimi 5, 85 euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tyre, po me këtë çmim janë blerë insulinat që janë blerë përmes procesit të prokurimit të realizuar në mars të këtij viti e ku vlera e kontratës sipas tyre ka qenë 1,008,902.50 euro, derisa ofertues ka qenë vetëm një operator ekonomik, i cili edhe e ka fituar këtë kontratë, operatori “Meditech”.

Edhe 3.2 milionë euro për insulina

Më tutje zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë konfirmojnë se në procesin e prokurimit, i cili ka përfunduar, por ende nuk është shpallur fituesi, do të blihen edhe mbi gjysmë milioni insulina, derisa vlera e mjeteve të zotuara për këtë qëllim është 3.2 milionë euro.

“Për kontratën e re që do të iniciohet sasitë nga institucionet janë shumëfishuar: ‘Analog Insulinë me veprim të shpejtë’ sasia orientuese vjetore 75,732 copë, ‘Analog Insulinë me veprim të zgjatur’, sasia orientuese vjetore 25,036 copë, si dhe ‘Analog Insulinë Bifazike me veprim të mesëm dhe të shpejtë’, sasia orientuese vjetore 454,164. Kontrata e re që do të lidhet pas përfundimit të procedurave sipas LPP-së nuk do të jetë më e lartë se çmimi nga kontrata paraprake, përkundrazi do të synohet të blihen me çmim sa më të favorshëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tyre, kontrata e lidhur në mars të këtij viti është në shpenzim e sipër të vlerës financiare pasi është iniciuar sipas planifikimeve të vjetra që kanë bërë institucionet për furnizim me insulina, pra sipas planifikimit të institucioneve më 2017-n (sasitë e njëjta).

“Më 2018-n institucionet i kanë dyfishuar sasitë e planifikuara të insulinës (siç shihet edhe nga shumëfishimi i kërkesave) dhe është iniciuar kërkesa për tenderim në vlerë prej 3, 205, 497.52€. Pra, në total për 2017-n kanë qenë sasi orientuese (për tri llojet e insulinës: 177 050 njësi, ndërsa për 2018-n janë shumëfishuar kërkesat, në 554.932 njësi). Kontraktimi i insulinave është iniciuar me çmimet e kontratës së fundit, pra me Nr.  të prokurimit 206/17/050/111”, thuhet në fund të përgjigjeve të dërguara nga Divizioni i Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë.ë

KDI: Listat e shteteve të rajonit përmbajnë edhe insulina humane

Diana Metushi-Krasniqi thotë se problemi i parë është që lista esenciale e barnave në Kosovë nuk është përditësuar qysh 6 vjet e tani, përderisa tregu vazhdon të plasojë produkte të reja.

Sipas saj, shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia përditësojnë këto lista në periudha 2-vjeçare, ndërsa Maqedonia çdo 6 muaj publikon listën e barnave të aprovuara për 6-mujorin vijues.

“Vonesat në përditësimin e kësaj liste parashtrojnë një problem serioz si në cilësinë e barnave, po ashtu edhe në efikasitetin e shfrytëzimit të buxhetit të alokuar. Kjo dëshmohet më së miri edhe nga ankesat për mungesën e barnave dhe të materialeve nga listat esenciale në qendrat mjekësore të Kosovës e që një nga këto mungesa është furnizimi me insulinë, i raportuar në masë të madhe gjatë fillimit të vitit 2018 e që është esencial për jetën e pacientëve”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Më tutje thotë se ajo që bie në sy është se përderisa lista esenciale e barnave në Kosovë përmban vetëm insulinë analoge, listat e shteteve të rajonit përmbajnë edhe insulina humane.

“Gjithashtu kjo listë është tejet e limituar. Në krahasim me Kosovën që ka 7 barna në listë, shtetet si në vijim kanë: Shqipëria 9, Mali i Zi 12, Serbia 21”,  tregon ajo.

“Çohu”: Të hetohet ky proces prokurimi

Arton Demhasaj, nga organizata për dinjitet dhe antikorrupsion “Çohu”, thotë se në vazhdimësi në Kosovë ka pasur keqmenaxhim të mjeteve për furnizim me barna nga lista esenciale.

Sipas tij, derisa të gjitha vendet e rajonit furnizohen me insulina të tilla e Ministria e Shëndetësisë furnizohet me insulina të shtrenjta ky detaj flet mjaft.

“Ky proces milion-prokurimi duhet të hetohet nga organet e drejtësisë së vendit tonë. Të shikohet se pse po ndodh një veprim i tillë, pse nuk ka konkurrencë sa duhet për furnizim me insulina etj.”, ka thënë Demhasaj për gazetën “Zëri”

Rrahmani: Jam i gatshëm të bashkëpunoj me Prokurorinë

Ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani thotë se insulinat i kanë caktuar profesionistët shëndetësorë. Sipas tij, varësisht prej kërkesave janë bërë edhe blerjet.  Mirëpo, siç thotë ai është i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë nëse edhe gjatë kohës së tij ka pasur favorizime nga prokurimi.

“Ne për herë të parë në kohën time gjashtë lloje të insulinave i kemi pasur në proces të kontraktimit dhe i kemi blerë. Ne nuk jemi marrë me atë se pse janë blerë ato analoge më shumë, ne i kemi siguruar një lloj më shumë sesa kanë qenë më herët”, ka thënë ai.

Më tutje ish-ministri këmbëngul se në kohën e tij nuk është keqpërdorur buxheti për furnizim me insulina, por edhe me barna tjerë të listës esenciale.

“Në kohën time nuk besoj që është abuzuar me buxhet sepse çdo kontratë që kam nënshkruar, çdo gjë ka qenë brenda Ligjit të Prokurimit Publik. Çmimet i ka caktuar tregu, ndërsa llojin profesionistët mjekësorë. Nëse ka favorizime të llojit të insulinës nga Zyra e Prokurimit, atëherë Prokuroria është dhe unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me ta”, ka thënë më tutje ish-ministri Rrahmani.

OBSH: Përdorimi i insulinës analoge mund të çojë në pabarazi, nis mes të trajtuarve dhe të patrajtuarve

Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka marrë ofertat për tenderin 3.2-milionësh për furnizim me insulina të shtrenjta, derisa nëpër spitalet publike në vend mungojnë gjërat më elementare.

Në një rekomandim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thuhet se shtimi i insulinave analoge mund të çojë në një pabarazi më të madhe mes të trajtuarve dhe të patrajtuarve, që është shqetësimi më i madh i OBSH-së për vendet në zhvillim dhe të atyre të pazhvilluara, si në rastin tonë Kosova.

Sipas rekomandimit, ofrimi i insulinës sintetike me kosto efektive për një popullsi më të madhe mund t’i plotësojë më mirë nevojat prioritare shëndetësore të një niveli të ulët ose vendi i të ardhurave të mesme sesa dhënia e analogëve më të mirë të mundshëm të insulinës në më pak pacientë.

“Kur kësaj çështjeje ia shtojmë faktin se nuk ka dëshmi shkencore, klinike mbi superioritetin e insulinës analoge në raport me insulinën humane dhe asaj sintetike humane, por ka vetëm një efekt shumë modest gati të papërfillshëm dhe ky dallim në cilësi është shumë i paqartë. Pastaj aplikimi vetëm i insulinës analoge mund të çojë në faktin se insulina humane dhe sintetike humane të bëhet e ‘vjetruar’, që do të ishte me pasoja fatale për shëndetin publik. Ky është një shqetësim i veçantë për popullsinë në rritje me diabet të tipit 2.

Në fund, OBSH-ja rekomandon qasje të barabartë për trajtim më të mirë në dispozicion për diabetin e tipit 1 me insulinë analoge dhe insulinë humane ose sintetike humane, pasi këtu kur të shtrojmë faktin për nevojën për të siguruar pajisje shtesë, të tilla si shirita testimi, gjilpëra dhe shiringa për insulinë, të cilat rrisin ndjeshëm koston për trajtim të diabetikëve. Në botën moderne sot ekziston një koalicion në rritje për përballimin e insulinës për personat në nevojë, është një rrjet akademikësh, klinicistësh, studentësh e pacientësh të përkushtuar për të promovuar akces të barabartë global të insulinës, disponushmëri dhe përballushmëri”, thuhet në rekomandimin e OBSH-së.