Biznesmenët amerikanë investuan 160 milionë euro në Kosovë

Ekonomia July 05, 2018 - 08:32
Mësoni më shumë shumë detaje

Interesimi i biznesmenëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të investuar në Kosovë po rritet nga viti në vit. Duke iu referuar buletinit mujor statistikor të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se vlera e investimeve nga SHBA-ja prej vitit 2007 deri në vitin e kaluar ka arritur në rreth 160 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Rreth 160 milionë euro i kanë investuar biznesmenët nga Amerika në Kosovë prej vitit 2007.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera e investimeve në vitin 2007 ka qenë 8.8 milionë euro, në vitin 2008 biznesmenët nga ky shtet kanë investuar në Kosovë 4.8 milionë euro.

Një vit më pas shuma investuese është rritur për 11.8 milionë euro. Për një milion euro më shumë ka shënuar ngritje vlera e investimeve në vitin 2010 deri në 12.6 milionë euro.

LEXO EDHE: Tenderi 30 mijë euro ''i kurdisur'' i Komunës së Suharekës

Këto shifra janë rritur edhe në vitin 2011 ku vlera e investimeve ka kapur shifrën e 14.3 milionë eurove. Por në vitin vijues vërehet një rënie në këtë aspekt, pasi vlera e investimeve është zvogëluar në 8.5 milionë euro, shkruan më tutje "Zëri".

Në vitin 2013 shuma menjëherë është rritur në 12.7 milionë euro, në vitin 2014 ka shkuar deri në 14.7 milionë euro e në vitin 2015 është rritur gati dyfish me vitin paraprak deri në 25 milionë euro.

23 milionë euro figuron vlera e investimeve nga SHBA-ja në vitin 2016.

Derisa me një përmbledhje vjetore shuma më e madhe e investimeve nga ky vend në Kosovë është listuar në vitin 2017 me gjithsej 26.5 milionë euro.

Në bazë të publikimit të buletinit mujor statistikor të Bankës Qendrore të Kosovës, për investimet e huaja direkte në Kosovë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë renditur në mesin e investitorëve që kanë rritur interesimin për Kosovën.

Për rritjen e interesimit të investimit nga ky shtet njohësit e rrethanave ekonomike po ia kalojnë meritat përmirësimit të ambientit për të bërë biznes në Kosovë.

Zeka: Investimet ndikojnë në krijimin e vendeve të punës

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, e konsideron  inkurajues faktin për konkretizimin e investimeve në fusha të caktuara nga investitorët e huaj.

Zeka i ka thënë gazetës “Zëri”, se në rritjen e interesimit të investitorëve ka ndikuar përmirësimi i mjedisit për të bërë biznes.

“Është inkurajues fakti se ka pasur edhe konkretizim të investimeve në fusha të caktuara nga investitorët amerikanë. Prania e tyre natyrisht që ndikon në krijimin e vendeve të punës dhe në zhvillimin ekonomik. Por edhe në përcjelljen e një porosie tek investitorët e tjerë të interesuar se Kosova ofron një mjedis me mundësi të shumta, por çka është më e rëndësishmja edhe siguri për investime”, ka deklaruar ai.

Mes tjerash drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përmendur edhe raportet e mira fqinjësore me shtetin e Amerikës, duke përfshirë vizitat e tyre të realizuara në Kosovë.

“Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane do të ofrojë atë që ka munguar me vite e që është një ofertë më konkrete, si në aspektin e lehtësirave fiskale, ashtu edhe në aspektin e infrastrukturës. Kohëve të fundit ka pasur edhe vizita të organizuara grupore nga SHBA-ja, siç është ajo nga shteti amerikan i Iowas, me të cilën Kosova ka marrëdhënie të partneritetit shtetëror”, ka theksuar Zeka.

Sipas tij, raportet e tilla duhet të avancohen në nivel tjetër të bashkëpunimit ekonomik për të cilat thotë se ka disa sinjale pozitive.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë këto raporte. Por edhe është në përpjekje të eksplorimit të mundësive për zhvillim të partneriteteve të reja shtetërore dhe afariste”, thuhet tutje në përgjigjen e tij me shkrim.

Shahini: Investimet do të duhej të ishin më të mëdha

Ndryshe nga udhëheqësi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB)-së Agim Shahini.

Shahini ka thënë për gazetën “Zëri”, se investimet e huaja në Kosovë janë më të voglat në krahasim me vendet tjera, siç referohet ai për shkak të politikave investuese jo të favorshme.

“Investimet e huaja është dashur të jenë më të mëdha për shkaqe se në Kosovë ofrohet siguria më e lartë e investimeve duke aluduar me praninë e forcave të sigurisë ndërkombëtare që janë në Kosovë. Tash së fundi po vërehen se nga disa vende përtej Oqeanit kanë shprehur interesim më shumë që të vijnë, por ne këto i konsiderojmë si më shumë të orientuara politikisht dhe ofertat joshëse për ato kompani. Për atë arsye Kosova mund të jetë një vend ku mund të aterojnë investitorët nga vendet e Bashkimit Evropian dhe nga vetë SHBA-ja”, ka deklaruar ai.

Tutje ka shtuar se kompanitë amerikane që vijnë në Kosovë janë të privilegjuara falë miqësisë me ta.

“Kompanitë amerikane që vijnë në Kosovë janë më të privilegjuara falë miqësisë që Kosova ka me SHBA-në dhe falë besimit që kosovarët e kanë në SHBA. Prandaj gjithë këtë që ua ofron Kosova kompanive amerikane investimet janë tepër të vogla. Por shpresoj se investimet që do të vijnë tash me termocentralin e që është kompani amerikane do të rrisë dukshëm praninë e investimeve amerikane në Kosovë”, ka përfunduar mes tjerash kreu i AKB-së.

Shatri: Qeveria po i largon pengesat për investime

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, tregon për hapat konkretë të Qeverisë në largimin e barrierave për investime nga të huajt në Kosovë.

Për gazetën “Zëri” Shatri ka shfaqur interesimin e tij dhe të Qeverisë për rritjen e investimeve nga Amerika.

“Ne jemi të interesuar për investime edhe pse e dimë se në vendin e parë janë gjermanët, turqit. Edhe pse jemi të interesuar për raporte më të mira me Amerikën, për atë i kemi edhe këta hapa. I kemi përkrahës dhe që na ndihmojnë në përgjithësi. Qeveria ka bërë një hap konkret me një zonë ekonomike të veçantë, u ka lejuar një hapësirë në Gjakovë. Ky ka qenë një vullnet i mirë për të hapur rrugën pa pengesë për investimet e jashtme të SHBA-së, të vijnë tek ne. Por edhe ndihmat që ata na i kanë dhënë janë të rëndësishme për funksionimin e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Shatri.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dje kanë festuar 242-vjetorin e Pavarësisë së Shtetësisë.