Në Kosovë janë 1572 deponi ilegale të mbeturinave

Ekonomia July 04, 2018 - 07:53
Lexo detajet

Në raportin e fundit të publikuar ditë më parë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, me mbështetjen e Organizatës Gjermane për Shoqëri të Hapur – GIZ, del se në Kosovë janë hiç më pak se 1572 deponi ilegale të mbeturinave, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mungesa e deponive të mbeturinave vazhdon të jetë një ndër problemet më të mëdha në Kosovë, këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i publikuar ditë më parë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, me mbështetjen e Organizatës Gjermane për Shoqëri të Hapur – GIZ, në të cilin del se në Kosovë janë hiç më pak se 1,572 deponi ilegale të mbeturinave.

LEXO EDHE: INTERPOL-i heq nga uebfaqja kosovarët e kërkuar

E këtë numër të deponive ilegale e mohojnë zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH), të cilët për “Zërin” thonë se nuk e dinë numrin e saktë, por që janë duke punuar një udhëzim administrativ të ri, i cili parasheh gjoba prej 20-100 euro për ata qytetarë që hedhin mbeturina në vende të pacaktuara.

Ndërkaq kjo problematikë është lënë në harresë dhe sipas anëtarëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të cilët për gazetën “Zëri” kanë thënë që shumë shpejt do të kërkojnë hapa konkretë nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje.

MMPH-ja paralajmëron gjoba për ata që hedhin mbeturina

Leutrim Sahiti, zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, ka thënë për “Zërin” se Ministria është duke hartuar një udhëzim të ri administrativ në bazë të të cilit parashihen edhe gjoba për qytetarët të cilët hedhin mbeturina.

“Ne jemi duke punuar në ridraftimin e udhëzimit administrativ për gjobat mandatorë. Ky udhëzim ka qenë në fuqi që nga viti 2015 dhe nuk është implementuar në praktikë për shkak të problematikave të cilat kanë rrjedhur gjatë hartimit të këtij udhëzimi. Gjobat do të jenë prej 20 deri në 100 euro. Në këtë aspekt do të kemi gjoba për personat që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve, personat të cilat hedhin cigaren jashtë kontejnerëve, gjoba që hedhin mbeturina jashtë veturave”, ka theksuar ai.

Ai ka bërë të ditur se ky udhëzim do të miratohet dhe kjo do të ndikojë edhe në reduktimin e deponive ilegale në Kosovë. Ndërsa, i pyetur për të gjeturat e raportit të publikuar nga Organizata Gjermane për Shoqëri të Hapur - GIZ, në të cilin thuhet se janë mbi 1,572 deponi ilegale në Kosovë, Sahiti ka thënë se ato nuk janë të sakta, pasi numri i deponive ilegale aktualisht është më i vogël.

“Sa i përket numrit të deponive ekzistuese, mund të them se ky numër nuk është real për arsye se numri i deponive ilegale ndryshon gjatë kësaj kohe dhe sigurisht se kemi pasur aktivitete të pastrimit nga komunat e Kosovës në disa prej të cilave ka marrë pjesë edhe ministrja Reshitaj dhe sigurisht që ky numër është reduktuar falë angazhimit të shoqërisë civile në këto aktivitete”, ka thënë ai mes të tjerash.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se komunat do të ndihmohen edhe në blerjen e kontejnerëve të rinj, të cilët do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vend.

“Kemi pasur kërkesa nga Komuna për blerjen e kontejnerëve sepse mungesa e kontejnerëve, mungesa e shërbimit për qytetarët sigurisht që ndikon negativisht në përmirësimin e gjendjes. Në këtë aspekt ne jemi duke shqyrtuar mundësinë për dhënien e donacioneve për blerjen e kontejnerëve të rinj, mirëpo kjo është kompetencë e komunave dhe Komuna duhet të merret me këtë çështje”, ka thënë ai

Gaxherri: Qeveria të sjellë një ligj për menaxhimin e mbeturinave

Anëtarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Besa Gaxherri, ka thënë për “Zërin” se Qeveria urgjentisht duhet të sjellë një ligj për menaxhimin e mbeturinave.

“Konsideroj që Qeveria duhet urgjent të sjellë një ligj për menaxhimin e mbeturinave dhe pastaj të sillemi në bazë të atij ligji. Përndryshe Kosova është një kaos i vërtetë sa i përket mbeturinave në përgjithësi dhe deponive, duke përfshirë ato që janë legale edhe ato janë në gjendje shumë të keqe dhe janë të dëmshme për ambientin kudo që janë e të mos flasim për këto që janë ilegale, të cilat nuk i menaxhon askush”, ka thënë ajo.

Gaxherri ka deklaruar se anëtarët e këtij Komisioni do të kërkojnë që urgjentisht të sillet ligji për menaxhimin e mbeturinave dhe në bazë të atij ligji edhe të merren masa.

Bektashi: Gjendja e deponive, shqetësuese dhe alarmante

Agron Bektashi, njohës i çështjeve të ambientit, e ka konsideruar shqetësuese gjendjen e deponive të mbeturinave. Sipas tij, deponitë janë keqmenaxhuar andaj edhe gjendja është alarmante.

“Gjendja e përgjithshme me deponimin e mbeturinave solide është tejet shqetësuese. Shumica e deponive sanitare, të ndërtuara nga EU-ja gjatë viteve 2001-2005 janë afër skadimit të jetëgjatësisë të tyre. Nëse marrim edhe faktin që nga viti 2010 këto deponi janë keqmenaxhuar, atëherë gjendja bëhet akoma më alarmante. Rezultat i kësaj gjendjeje është edhe mosgatishmëria e qeverive qendrore dhe lokale që të merren seriozisht me lokacione te reja të deponive sanitare inxhinierike”, ka thënë ai.

Bektashi ka përmendur deponin e Mirashit në Obiliq, ku siç ka thënë ai, “gjendja është buzë katastrofës ekologjike, kurse Komuna e Prishtinës akoma nuk e ka gjetur lokacionin e përshtatshëm për deponinë e re”.

Ai ka përmendur edhe disa nga masat të cilat duhet të ndërmerren në lidhje me deponitë ilegale të mbeturinave.

“Sanimi urgjent ose mbyllja përfundimtare e deponive ekzistuese e posaçërisht të atyre rajonale në Mirash, në Prizren dhe në Gjilan dhe gjetja e lokacioneve tjera të përshtatshme për deponi të reja sanitare. Aplikimi në nivel shumë më të lartë dhe më afatgjatë i procedurave ricikluese, aplikimi i teknikave më të mira botërore, të njohura si 3R: Ripërdorimi, Redukimi dhe Riciklimi dhe në të njëjtën kohë zvogëlimi i sasisë së mbeturinave për deponim”, ka thënë ai.

Sipas tij, masat që janë duke u ndërmarrë janë shumë të ngadalshme dhe joefikase. Bektashi ka theksuar se mosintervenimi në gjendjen e deponive mund të ketë edhe efekte negative të cilat ndikojnë edhe në shëndetin e qytetarëve.

Ndërsa Arif Krasniqi, nga Partia Eko-Lëvizja e Gjelbër, ka thënë për “Zërin” se niveli për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë është shumë i vogël dhe për këtë faj kanë komunat, si dhe Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor.

“Në bazë të gjendjes që shohim në Kosovë kujdesi dhe interesimi i menaxhimit të mbeturinave nuk është i nivelit të duhur dhe për këtë duhen kujdesur komunat nëpërmjet operatorëve të tyre, të cilat i cakton ajo, si dhe duhet të mbikëqyren edhe nga dikasteret e MMPH-së”, ka thënë Krasniqi.