Ministria e Infrastrukturës bën shkelje ligjore me ushtrues detyre si dhe favorizon minoritetet

Ekonomia July 03, 2018 - 12:54
Detajet

Zyra Kombëtare e Auditmit ka gjetur se në Ministrinë e Infrastrukturës ka pasur dy raste kur ushtruesi i detyrës së një pozite të lirë në këtë ministri ka vazhduar punën më shumë se sa tre muaj, shkruan “Zëri.info”.

Sipas këtij raporti kjo gjë nuk duhet të ndodh pasi që kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Shërbimin Civil.

“Sipas nenit 30 të LSHC 03/L-149: nëpunësit civilë, me urdhër nga eprori, janë të detyruar që përkohësisht ta zëvendësojnë një koleg i cili mungon ose ta plotësojnë një vend të lirë të punës, nëse veprimtaria e zakonshme e institucionit do të pengohej nga mungesa e nëpunësit civil. Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj. Në MI, në dy raste kemi vërejtur që nëpunësit civil (udhëheqës divizioni) kanë mbajtur pozitën ushtrues detyre më tepër se tre muaj (18 përkatësisht 23 muaj)”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti rreziku qëndron tek menaxhimi efikas dhe tek tejkalimet e afateve të përcaktuara me ligj.

“Mbajtja e pozitave me UD në periudha të gjata kohore duke i tejkaluar afatet e përcaktuara ligjore, rrit rrezikun për menaxhim efikas, me përgjegjësi dhe kompetencë të plotë”, thuhet tutje në raport.

LEXO EDHE: ‘Sheikët’ e drejtësisë

MI- Kompenson punonjësit pa vijueshmëri në punë dhe pa realizim të detyrave

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje në Ministrinë e Infrastrukturës pasi që kjo e fundit ka kompensuar një punëtor me para edhe pse ai nuk ka figuruar në listën e vijueshmërisë, shkruan tutje “Zëri.info”.

“Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës, neni 4 pika 3 thuhet: orari i punës fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:00 përveç nëse rregullohet ndryshe nga organizata. Gjithashtu neni 7 vijueshmëria në punë: gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo nëpunës civil shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose regjistrin elektronik si dhe mospërfillja e orarit të punës paraqet shkelje disiplinore. Në një rast kemi vërejtur që MI nuk kishte dëshmi për vijueshmërinë në punë për një zyrtar. I njëjti asnjëherë nuk figuron në regjistrin e ardhje vajtjeve në punë gjatë vitit 2017 ndërsa kompensimi vjetor për këtë të punësuar ishte 4,564€”, thuhet në raport.

Po ashtu nga ky raport ka dal që në Ministrinë e Infrastrukturës nuk ka dëshmi për kryerjen e punëve. Sipas raportit janë gjithsej 31 raste të minoriteteve.

“Gjithashtu nuk ka dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që është ngarkuar në MI. Në listën e pranuar nga zyrtarët përgjegjës të MI-së, vërehet se ekzistojnë edhe 31 punonjës/raste tjera të ngjashme, ku të gjithë i përkasin komunitetit të minoriteteve”, thuhet në raport.

Këto shkelje dëmtojnë buxhetin e Kosovës dhe janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, thuhet në raport.

“Mos vijueshmëria në punë dhe mos realizimi i detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me kontratën e punës është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe paraqet shembull jo të mirë punonjësit tjerë. Kompensimi i tillë i zyrtarëve e dëmton buxhetin dhe reputacionin e organizatës në përgjithësi, gjithashtu e rrit rrezikun që organizata të dështoj në realizimin e objektivave të saja”, thuhet në raport. /ZERI