‘Sheikët’ e drejtësisë

Ekonomia July 03, 2018 - 08:17
Mësoni më shumë shumë detaje

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryeprokurori i Shtetit dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës tash e tutje do ta gëzojnë pagën e njëjtë sikurse të kryeministrit të Kosovës. Tash e tutje paga mujore bruto e tyre do të jetë 3.098 euro, nga 1.515 euro sa ka qenë deri më tani, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Dymijë e shtatë euro me vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj është paga e gjyqtarit të Gjykatës Themelore, e cila edhe është paga më e vogël aktualisht në sistemin e drejtësisë në vend.

Në dokumentet e siguruara nga gazeta Zëri shihet se kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryeprokurori i Shtetit dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës tash e tutje do ta gëzojnë pagën e njëjtë sikurse të kryeministrit të Kosovës.

Tash e tutje paga mujore bruto e tyre do të jetë 3.098 euro, nga 1.515 euro sa ka qenë deri më tash.

LEXO EDHE: Konjufca: Asociacioni po bëhet me instruksione të Serbisë

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, do të gëzojë pagë të njëjtë si të kryeministrit, shkruan më tutje "Zëri".

Me vendimin e ri për pagat e zyrtarëve shtetërorë Peci nga buxheti i shtetit do të paguhet 3.098 mijë euro, nga 1 mijë e 515 euro sa figuronte paga e tij.

Po ashtu kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, do të gëzojë pagë mujore bruto 3.098, nga 1 mijë e 515 euro sa merrte më parë.

Tash e tutje paga vjetore e Idrizit do të jetë hiç më pak se 37 mijë e 170 euro.

Pa përfitime nuk do të shpëtojë as kryetari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme Sahit Sylejmani, që do të përfitojë 92,5 për qind të pagës së kryetarit të Supremes.

Paga mujore bruto e propozuar është 2.865 euro, nga 1 mijë e 432 euro sa ishte më parë. Për punën që bën tash e tutje Sylejmani do të marrë një pagë vjetore prej 34 mijë e 382 eurosh. Po ashtu, përveç kryetarëve të gjykatave, nga vendimi do të përfitojë edhe kryeprokurori i Shtetit, gjyqtarët e Supremes e të Gjykatës së Apelit.

Gjyqtarët me paga rreth 3 mijë euro

Nëntëdhjetë për qind të pagës së kryetarit të Gjykatës Supreme do t’i marrin edhe gjyqtarët e këtij institucioni. Paga mujore bruto e propozuar me vendim të ri është 2 mijë e 655 euro, nga 1 mijë e 364 euro sa ishte më parë.

Paga bruto për një pozitë me 5 për qind llogaritet të jetë 2 mijë e 788 euro, ndërsa paga vjetore arrin në 33 mijë e 453 euro.

Duke iu referuar statistikave zyrtare që Ministria e Financave ia ka dhënë “Zërit”, kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala do të marrë pagën mujore bruto 2 mijë e 655 euro, nga 1 mijë e 364 euro sa ishte paga për një pozitë, ndërsa me 5-përqindëshin e propozuar ajo do të arrijë në 2 mijë e 788 euro. Paga vjetore do të jetë 33 mijë e 453 euro.

Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit do të marrin pagë mujore bruto 2 mijë e 788 euro, nga 1 mijë e 227 euro sa llogaritej më parë.

Paga mujore bruto e propozuar e prokurorëve me mandat të përhershëm në Prokurorinë Speciale llogaritet të jetë 2 mijë e 943 euro, nga 1 mijë e 364 euro sa ishte më parë.

Po ashtu pagën sa të kryeministrit do ta ketë edhe kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi e kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Blerim Isufaj.

Me vendimin e ri për paga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi pagën mujore bruto do ta ketë 3.098 euro.

Të tilla përfitimet krejtësisht të ngjashme do t’i gëzojë edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Blerim isufaj, i cili në muaj do të marrë pagë bruto 3.098 euro.

Po ashtu 70 për qind të pagës së kryeprokurorit do ta marrin edhe ish-kryeprokurorët. Paga mujore bruto do të arrijë në 2.168 euro.

Pagë mujore bruto prej 2 mijë e 943 eurosh nga 1 mijë e 439 euro sa merrte më parë do ta përfitojë aktualisht kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku. Paga vjetore për një pozitë kap vlerën e 35 mijë e 312 eurove.

Edhe prokurorët me mandat të përhershëm në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit do të marrin 90 për qind të pagës së kryeprokurorit.

Paga mujore bruto arrin në 2 mijë e 788 euro, nga 1 mijë e 364 euro sa llogaritej më parë, 33 mijë e 453 euro do të jetë paga vjetore e propozuar me numër të aprovuar të punëtorëve.

Gazeta “Zëri” i ka kërkuar përfitimet e ngjashme edhe të kabinetit qeveritar të kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Donjeta Gashi, zyrtare për Informim në kabinetin e kryeministrit, ka thënë se vendimet janë publike. I ke në uebfaqen e kryeministrit vendimit dhe të gjitha sqarimet se kush janë përfituesit”, pa i dhënë detajet e kërkuara.

Përndryshe, deri tani pagën me rritje kanë refuzuar ta marrin ministri i Financave Bedri Hamza, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj e ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri. 

Image

Image