Ndërtohet impiant i ujërave të zeza, vlera 30 milionë euro

Ekonomia July 02, 2018 - 08:45
Mësoni më shumë shumë detaje

Projekti kapital, i cili përfshin edhe Mitrovicën e Veriut, Vushtrrinë, Zveçanin dhe Zubin Potokun, financohet nga BERZH-i dhe nga Banka Evropiane Investive nëpërmes Qeverisë së Kosovës. Kapaciteti i impiantit të ujërave të zeza është 1 mijë litra në sekondë, ndërsa parashikohet që ujërat e zeza të trajtohen buzë lumit Ibër, prej Ujmanit deri në Mitrovicë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në komunën e Mitrovicës do të fillojë realizimi i një projekti të rëndësishëm, në të cilin përveç Mitrovicës së Jugut do të përfshihen edhe Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Zveçani dhe Zubin Potoku. BERZH-i dhe Banka Evropiane Investive kanë siguruar se do të investojnë në ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza, në të cilin do të trajtohen ujërat e zeza jo vetëm të Mitrovicës së Jugut, por edhe të komunave të tjera veriore prej Ujmanit (Zubin Potok) e deri në Mitrovicë.

LEXO EDHE: Spitalet me mungesë të CT-ve

Përfaqësues të BREZH-it dhe të Bankës Evropiane Investive, dr. David Tyler, Lijana Jancauskiene, Konstatinos Mastroglanopulos, Bekim Muaremi dhe Arianit Blakaj, kanë takuar kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtirin, me të cilin kanë biseduar për projektin për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, shkruan më tutje "Zëri".

Përfaqësuesit e BERZH-it dhe të Bankës Evropiane Investive thanë se Mitrovica dhe Gjilani do të jenë përfitues të kredisë nga këto dy banka për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, pasi që Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse janë parapërcaktuar për këtë.

BERZH-i dhe Banka Evropiane Investive mjetet e tyre do t’ia ndajnë Qeverisë së Kosovës, e cila është investitor i projekteve kapitale të këtyre dy komunave, kështu që komunat nuk do të kenë fare punë me bankat sa i përket çështjes së financimit, por vetëm të bashkëpunimit të ngushtë për realizimin e projekteve.

Përfaqësuesit e BERZH-it dhe të Bankës Evropiane Investive si financuese të projekteve thanë se kanë ardhur në Mitrovicë për një vizitë për të mbledhur të dhëna konkrete të nevojshme për realizimin e projektit të ujërave të zeza dhe për të parë se çka është e nevojshme për ndryshim në projektin e ofruar më parë, por jo për ndryshimin e tërësishëm të tij.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u shpreh me mirënjohje për përfaqësuesit e të dyja bankave për gatishmërinë për ta mbështetur realizimin e projektit të ujërave të zeza, ndërsa vlerësoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm për Mitrovicën dhe për qytetarët e saj.

Ai shtoi se edhe institucionet e komunës, duke përfshirë edhe kompaninë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica”, në kuadër të së cilës do të funksionojë impianti i ri, do të jenë të gatshme për ta mbështetur projektin që të realizohet në kohen e paraparë.

“Ne kemi ndërtuar liqenin artificial në Ibër dhe e kemi rregulluar mirë dhe do t’i rregullojmë akoma hapësirat përgjatë lumit Ibër, prandaj i kemi paraparë me kohë veprimet që duhet bërë për të mos i derdhur ujërat e zeza në lumë. Liqeni duhet të ketë ujë të pastër. Për këtë arsye ne shpresojmë se edhe Komuna e Zubin Potokut do të jetë e gatshme për bashkëpunim për t’i derdhur ujërat e zeza në këtë impiant, duke ndërtuar kanalizimet përgjatë lumit Ibër, që nga liqeni i Ujmanit e deri këtu në Mitrovicë”, tha ai.

Ndryshe, projekti që parashihet të kushtojë rreth 30 milionë euro ka kapacitet të trajtimit të ujërave të zeza prej 1 mijë litra në sekondë. Parashihet që në këtë projekt të përfshihen edhe komunat e tjera, Vushtrria, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Në anën tjetër, në Komunën e Skenderajt është funksional impianti për trajtimin e ujërave të zeza të qytetit të Skenderajt dhe ai menaxhohet nga kompania e ujësjellësit rajonal “Mitrovica”.

Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza në Skenderaj ka pasur koston fillestare prej 5 milionë eurosh, por në fund, sipas investitorëve (KE), janë investuar vetëm 2.5 milionë euro.

Nga përpunimi i ujërave të zeza nxirret edhe një lloj i plehut artificial, i cili zakonisht përdoret për plehërimin e luleve.