Kosova e Mali i Zi premtojnë heqjen e barrierave tregtare

Ekonomia June 28, 2018 - 09:37
Mësoni më shumë shumë detaje

Shteti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi nuk po mjaftohen vetëm me raportet e mira në politikë. Të njëjtin kah po duan t’ia japin edhe sektorit të ekonomisë për t’i eliminuar barrierat tregtare në mes vete, kërkesa këto të adresuara në forumin biznesor Kosovë - Mal i Zi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kosova e Mali i Zi shumë shpejt pritet t’i largojnë barrierat tregtare mes vete. Raportet e mira politike në mes dy vendeve po shihen si shpresëdhënëse për bashkëpunimin e mëtejmë në fushën e ekonomisë.

Kështu janë shprehur përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës e ata të Malit të Zi.

Kryetari në largim i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin me shtetin malazez, duke u shprehur se këto raporte të mira duhet të jenë modeli që duhet ndjekur nga institucionet e tjera.

“Sot nënshkruhet një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës mes Kosovës dhe Malit të Zi për eliminimin e barrierave kufitare, që ndikon pozitivisht në ekonominë e dy vendeve. Raportet e mira politike të shndërrohen në favore të mira ekonomike”, ka deklaruar Gërxhaliu.

LEXO EDHE: Borxhet e Komunës së Rahovecit arrijnë në 2.2 milionë euro

Më tutje ai ka theksuar se bashkëpunimi me këtë vend nuk do të shihet asnjëherë nga aspekti konkurrues.

“Bashkëpunimi ekonomik me Malin e Zi nuk duhet të shikohet si bashkëpunim konkurrues, por së bashku duhet të gjejmë forma të bashkëpunimit që ekonominë tonë ta shtrijmë edhe në vendet e tjera”, ka përfunduar mes të tjerash përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, shkruan më tutje "Zëri".

Por, me kërkesa të ngjashme janë drejtuar edhe përfaqësuesit e shtetit të Malit të Zi.

Kosova, partner i rëndësishëm i Malit të Zi

Kosova vazhdon të mbetet partnere e rëndësishme e Malit të Zi në fushën e bashkëpunimeve. Kështu është shprehur nënkryetari i Odës Ekonomike në Malin e Zi, Ivan Saveljic.

Saveljic në fjalën e tij gjatë mbajtjes së forumit Kosovë - Mal i Zi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjisë e të turizmit.

“Duhet t’i identifikojmë sfidat dhe të gjejmë zgjidhje që t’i tejkalojmë. Shtetet tona janë të interesuara për fuqizimin e subjekteve ekonomike. Ne vërtet nuk jemi konkurrentë në rajon, duhet të krijojmë lidhje që ta përmirësojmë ekonominë. Kosova është partner ekonomik i rëndësishëm për Malin e Zi. Ne mund të bashkëpunojmë në energji, në turizëm dhe të tregojmë që të dyja vendet jemi të gatshme për bashkëpunim ekonomik”, ka deklaruar Saveljic.

Rëndësinë e lidhjes ekonomike të vendeve e ka përmendur edhe koordinatori rajonal i Zyrës së Kryeministrit, Gazmend Abrashi.

“Unë e përkrah marrëveshjen që do ta nënshkruajmë ditëve të ardhshme lidhur me policat e sigurimit. Numrat tregojnë që disponimi është i mirë për bashkëpunim”, është shprehur Abrashi.

Ndërsa sekretari shtetëror në Ministrinë e Financave të Malit të Zi, Branislav Todorovic, është shprehur i gatshëm për largimin e barrierave ekonomike.

“Ne kemi tregje të vogla dhe gjeografikisht jemi të drejtuar nga njeri-tjetri. Ne kemi pasur takim me ministrin e Financave dhe kemi shprehur gatishmërinë se duhet t’i heqim barrierat mes dy vendeve”, ka thënë Todorovic. /ZËRI/