Sindikatat ''kërcënojnë'' me grevë

Ekonomia June 26, 2018 - 08:52
Kjo është arsyeja

Sindikata e Pavarur e Judikaturës ka paralajmëruar se do të hyjë në grevë javën që vjen, duke kërkuar paga më të larta, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Bojkotimin e punës së tyre e ka nxitur vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për t’ia rritur pagën vetes e kabinetit qeveritar.

Punëtorët administrativ të Sindikatës po ankohen se nuk janë të përfshirë në përfitimet e rritjes së pagave për qeveritarët.

Sipas tyre, përmes këtij vendimi beneficionet do t’i gëzojnë  vetëm prokurorët e gjyqtarët.

Lajmin për gazetënZërie ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës, Asllan Rusinovci.

LEXO EDHE: Komuna e Gjilanit lë pa punë 12 punëtorë

Ai për gazetënZëri ka transmetuar pakënaqësitë e punëtorëve në lidhje me vendimin e kryeministrit për rritjen e pagave, në të cilin mënjanohet stafi administrativ i kësaj sindikate.

“Më datën 22 qershor e kemi mbajtur mbledhjen me Kryesi dhe kemi marrë vendim që Sindikata e Judikaturës të hyjë në grevë javën tjetër. Arsyeja e grevës është rritja e pagave të qeveritarëve. Aty janë përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa stafi administrativ dhe i ndihmës nuk është përfshirë fare në atë rritje. Kështu që punëtorët janë të pakënaqur me atë rritje dhe të shqetësuar sepse dallimi është bërë shumë i madh”, është shprehur ai.

Më tutje Rusinovci ka theksuar se ky vendim është marrë prej kohësh, por i njëjti ka pushuar përkohësisht pas pezullimit të vendimit për pagat e qeveritarëve.

“Te këto kategori është rritur paga 100 për qind, kurse te punëtorët vetëm 4 për qind. Dallimi ka arritur 1 me 10 ose 1 me 15. Ne do të presim deri në javën tjetër, deri me të dytin e kemi vendimin e Kryesisë si të merren pagat. Nëse pagat e qeveritarëve do të dalin me rritje ne do të hyjmë në grevë. Vendimin e kemi kaherë, e kemi pezulluar atëherë se u pezullua edhe vendimi i Qeverisë”, ka shtuar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Judikaturës.

Sindikata e Shëndetësisë paralajmëron kolaps

Rritje pagash po ashtu po kërkojnë edhe përfaqësuesit e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë.

Por, ata nuk janë duke ngulmuar aq shumë me këtë kërkesë aq sa janë dhënë pas procedimit të ligjit për paga në Qeveri.

Në rast të mosprocedimit të këtij ligji në Qeveri deri në fund të muajit ose në fillim të muajit të ardhshëm Sindikata e Shëndetësisë do t’i hyjë grevës së përgjithshme ose do ta presë një kolaps i vërtetë.

Kështu ka paralajmëruar kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

Syla në një prononcim për “Zërin” ka thënë se nuk do të ngrihen në protestë për rritje pagash, por për procedimin sa më të shpejtë të ligjit të pagave, me të cilin parashihet edhe nivelizimi i tyre.

“Sa për rritje të pagave ne nuk mund të çohemi në protestë për rritje pagash, por protesta do të bëhet për ligjin e pagave që të procedohet më shpejt dhe ku shihet nivelizimi. Ky është vendimi i Kryesisë. Ne pakënaqësitë tona i kemi dhe normalisht që duam të rriten pagat”, ka deklaruar ai.

Greva do të mbetet opsioni i vetëm për këtë sindikatë nëse ligji për paga nuk procedohet në Qeveri brenda afatit të caktuar kohor.

“Nëse ligji për pagat nuk procedohet në Qeveri deri në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm, atëherë shëndetësia futet në grevë të përgjithshme dhe në kolaps. Unë po kërkoj ligjin për pagat, ku punëtori shëndetësor do të marrë pozitën e merituar. Jemi në negociata. Nëse kjo nuk shkon, atëherë normalisht do të ballafaqohemi me grevë”, ka përfunduar i pari i Sindikatës së Shëndetësisë.

Probleme thuajse të ngjashme kanë ngritur edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

SBASHK-u: Në shtator në vend të mësimit mund të ketë grevë

Nxënësve të shkollave fillore e të mesme në vend mund t’u zgjasë pushimi edhe në shtator.

Kjo pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka gjetur pakënaqësi të shumta në ligjin për paga.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i ka thënë “Zërit” se në shtator në vend të mësimit mund të ketë grevë nëse ligji për pagat procedohet si i tillë në Qeveri e në Kuvend.

“Ne sot u takuam me ministrin Jagcilar dhe ia paraqitëm versionin tonë të bazuar me fakte për ligjin për pagat. Ai u shpreh se do të angazhohet brenda mundësive dhe kompetencave. Por, unë po them nëse ligji shkon si i tillë, duke mos u përfillur mirë, atëherë në shtator në vend të mësimit do të ketë grevë. Ne nuk lejojmë që punëtorët e arsimit të jenë të ranguar aq në nivel të ulët, nuk lejojmë të jenë të degraduar dhe të nënçmuar me ligjin e pagave”, ka deklaruar Jasharaj.

Por, ngritja e pagave nuk është se i ka shpëtuar kësaj sindikate pa ankesa. Kjo sindikatë kompetencat për këtë çështje ia ka kaluar Bashkimit të Pavarur të Sindikatave të Kosovës (BSPK) me arsyetimin se kanë pasur kërkesa të tjera.

“Çështjen e pagave e kemi bartur në BSPK, në mënyrë që atje të merret një vendim meritor. Kjo ngritja që është bërë tash nuk do të zgjasë shumë pasi është duke u punuar ligji për pagat, ku ne jemi shumë aktivë. Sepse edhe në këtë ligjin për pagat kemi vërejtje të mëdha, sepse arsimi është i ranguar tepër ulët dhe është nënçmues. Veprimet që do t’i marrë BSPK-ja në lidhje me çështjen e pagave, ne do të jemi pjesë e atyre angazhimeve”, ka theksuar në mes të tjerash përfaqësuesi i SBASHK-ut.

Sindikata e Sektorit Privat: Paga e kryeministrit, çmenduri

Sektori i cili është lënë në harresë e vazhdon të shquhet si i tillë ka adresuar kritika të shumta për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn dhe për vendimin e tij për t’ia rritur pagën vetes.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një prononcim për “Zërin” e ka kritikuar Qeverinë se asnjëherë nuk ka zgjuar vëmendje të merret me këtë sektor.

“Është parë edhe më herët që Qeveria e Kosovës, po flas për sektorin privat, absolutisht nuk ka zgjuar vëmendje të merret me ta. Vetë fakti kur nuk është nënshkruar paga minimale prej 250 eurosh përkundër asaj që jemi marrë vesh të nënshkruhet dhe ka mbetur në njëfarë forme vetëm Qeveria t’ia bëjë aminin, por këtë nuk ia kanë bërë me një arsyetim që nuk qëndron, se po prishet balanca e buxhetit të Qeverisë së Kosovës, tregon se qëllimi i tyre ka qenë dhe është që të bëjnë përfitime të tyre personale”, ka thënë Azemi.

Më tej ai ka komentuar edhe rritjen e pagës së kryeministrit, të cilën e quan çmenduri.

“Paga e kryeministrit për momentin është paga më e madhe në rajon kur dihet që jemi shteti më  i varfër, paga e dytë më e madhe në rajon tregon për një paqëndrueshmëri dhe një joseriozitet. Unë këtë mund ta quaj çmenduri. Edhe po ta kishte nevojën kryeministri ta kishte këtë pagë për hir të nevojës së punëtorëve të sektorit privat nuk ishte dashur ta bëjë këtë rritje”, ka shtuar më tutje kryetari që mbron sektorin privat në Kosovë.

Përfitimet me rritjen e pagave

Ndryshe, me vendimin e kryeministrit Haradinaj për rritje pagash,të cilin e nënshkroi me të marrë mandatin, paga e zëvendëskryeministrit do të jetë 2 mijë e 500 euro, e ministrit 2 mijë, e shefit të stafit të kryeministrit e njëkohësisht e këshilltarit 1 mijë e 850, e zëvendësshefit të stafit e njëkohësisht e këshilltarit 1400 euro. 1 mijë e 670 euro llogaritet të jetë tash e tutje paga e shefit të kabinetit të kryeministrit e njëkohësisht e këshilltarit. Këshilltari politik i kryeministrit do ta ketë pagën 1 mijë e 340 euro, këshilltari i lartë politik i zëvendëskryeministrit 1 mijë e 200, shefi i protokollit të kryeministrit 1 mijë e 1150, ai i Njësisë për Siguri 900, zyrtari i lartë i protokollit i asistentit të lartë të kryeministrit 970. 750 euro do ta kenë pagën mujore zyrtari i asistentit, zyrtari i sigurimit, shoferi, truproja e kryeministrit, zyrtari i lartë dhe asistenti i zëvendëskryeministrit, ndërsa paga e zyrtarit të lartë dhe e asistentit të lartë të ministrit do të jetë diku 600 euro.

Nga vendimi i nënshkruar do të përfitojnë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, që me rritje do të marrin pagë 3 mijë e 400 euro, nga 1 mijë e 653 sa llogaritej pa shtesa e mëditje.

Në anën tjetër, Agjencia Kundër Korrupsionit vazhdon ta cilësojë si konflikt interesi vendimin për rritjen e pagave të qeveritarëve. Publikisht AKK-ja ka deklaruar se qëndron prapa opinionit të lëshuar më datën 29.01.2018, atëherë kur kjo rritje konsiderohej konflikt interesi.

“Agjencia Kundër Korrupsionit në përputhje me Aktgjykimin 1258/18 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht piken 113, mbetet prapa opinionit të vet, të lëshuar më datën 29.01.2018, lidhur me Vendimin nr. 04/20 për caktimin e pagës mujore për kategori të caktuara të pozitave, duke përfshirë ngritjen e pagës së kryeministrit, të zëvendëskryeministrave, të ministrave, të këshilltarëve dhe të një kategorie të shërbyesve civilë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 20.12.2017. E njëjta do të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi”.