Komuna e Gjilanit lë pa punë 12 punëtorë

Ekonomia June 26, 2018 - 08:37
Lexoni më shumë detaje

12 punëtorë të kompanisë “Tregu” në Komunën e Gjilanit pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga vendi i tyre i punës fillimisht nga kompania “Ecohigjiena” e pastaj edhe nga kompania “Tregu”, pjesë e së cilës kanë qenë që nga qershori i vitit 2017, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komuna e Gjilanit, e cila drejtohet nga Lutfi Haziri, ka lënë pa punë 12 punëtorë të ndërmarrjes “Tregu”.

Të njëjtit punëtorë më herët po ashtu ishin larguar edhe nga kompania tjetër publike private “Ecohigjiena” pasi që kompania “Tregu” në atë kohë kishte qenë pjesë e kësaj kompanie.

Selim Selimi, ish-punëtor në të dy kompanitë, ka thënë për gazetën Zëri se ky largim është bërë për shkak të parregullsive që janë duke ndodhur mes kompanive dhe vetë Komunës së Gjilanit.

LEXO EDHE: Delawie: Kuvendi t’i zgjedhë tre anëtarët e Kushtetueses

“Në vitin 2017 na ka larguar prej punës ‘Ecohigjiena’ për shkak që ne e kemi penguar shitjen e aseteve, të cilat i ka pasur kompania. Aty janë shitur 11 kamionë, janë shitur mbi 200 kontejnerë të hekurit, ku vlera e tyre ka qenë afër 85 mijë euro. Janë shitur kamionët e regjistruar në gjendje të rregullt, i kanë shitur sikur të ishin të prishur për hekurishte. Ne si punëtorë kemi kundërshtuar dhe për këtë edhe na kanë larguar”, ka treguar Selimi.

Më tutje ai ka treguar që edhe në kompaninë “Tregu”, kompani kjo në të cilën u bartën pas largimit nga “Ecohigjiena”, kanë ndodhur të njëjtat parregullsi.

“Ne kemi qenë të transferuar prej ‘Ecohigjienës’ në kompaninë ‘Tregu’. Kemi zbuluar një parregullsi të drejtorit, i cili prapë ka shitur mjete pa shpallje e tender dhe ne e kemi vërejtur dhe për këtë na ka larguar. Me një qershor të këtij viti nuk na janë vazhduar kontratat tona, të cilat kanë qenë kontrata mbi vepër, kjo është bërë me qëllim të Lutfi Hazirit, i cili po na mban varur për shkak të qëllimeve të tij”, ka thënë ai.

Kurteshi: Punëtorët e kanë pësuar nga gabimet e kompanisë

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Komuna e Gjilanit, Ismajl Kurteshi, në prononcimin e tij për gazetën “Zëri” ka thënë që punëtorët e “Ecohigjienës” e kanë pësuar për shkak të parregullsive, të cilat ia kanë bërë kompanitë, si dhe vetë Komuna.

“Punëtorët që punojnë në ‘Ecohigjienë’ janë punëtorë shumëvjeçar e pa asnjë vërejtje në punën e tyre, kompania po e zvogëlon numrin e punëtorëve duke mos e zvogëluar volumin e punëve dhe kjo që po ndodh me ata punëtorë është shumë e padrejtë”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, për shitjen e aseteve të kompanisë, si dhe për parregullsi të tjera Komuna është fajtore së bashku me kompaninë austriake “Ecohigjiena”.

“Në Gjilan flitet për shumë keqpërdorime në këtë kompani edhe për shitjen e mjeteve të punës, edhe kompania austriake është dashur të investojë dhe në emër të mjeteve të reja të punës ka sjellë mjete të vjetra të punës, që i ka vlerësuar me një çmim shumë më të lartë se që ato vlejnë. Faji kryesor bie mbi kryetarin e Komunës jo vetëm për shkak të shitjes së 51% të aksioneve, por edhe për shkak të mosmbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, këtu përveç përfitimeve të kompanisë austriake kanë përfituar edhe burokratë komunalë edhe përmes nepotizmit dhe projekteve, të cilat ata i kanë keqpërdorur”, ka përfunduar Kurteshi.

Komuna e Gjilanit: Punëtorëve u kanë skaduar kontratat

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me nënkryetarin e Komunës së Gjilanit Arber Ismajlin, i cili ka thënë që këta punëtorë nuk janë më pjesë e kompanisë “Tregu” për arsye se kontratat e tyre kanë qenë kontrata mbi vepër dhe vazhdimi i tyre ka qenë në kundërshtim me proceduat ligjore.

“12 nga këta punëtorë nuk janë larguar, ata kanë qenë në kontratë në vepër, që e kanë një afat kohor për vazhdimësinë e tyre për shkak të mundësive në ato momente që kanë qenë, përndryshe, sipas informatave që ne i kemi nga menaxhmenti i ‘Tregut’ është hapur konkursi publik edhe ata janë të barabartë për të konkurruar dhe për të iu nënshtruar kritereve që i përcakton konkursi për vende të punës”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, Komuna është në dijeni për parregullsitë e lartcekura, mirëpo është duke pritur vendimin e Prokurorisë së Shtetit dhe të organeve kompetente.

“Këto janë gjëra evidente që kanë ndodhur, e them me përgjegjësi të plotë se shumica prej tyre janë pjesë e hetimeve, të cilat është duke i zhvilluar Prokuroria e Shtetit, sa kemi ne informata si Komunë tashmë Prokuroria, Policia dhe të gjitha organet e shtetit janë duke i zhvilluar hetimet për pretendime të tilla, që në këtë rast partneri ynë privat ‘Ecohigjiena’ pretendohet se e ka bërë një keqpërdorim të tillë”, ka thënë ai.

Ecohigjiena: Punëtorët janë larguar për mospërmbushje të detyrës

Saranda Jusufi, zyrtare nga kompania “Ecohigjiena”, ka thënë që ky largim nuk ka ndodhur vetëm për një arsye, por mosefikasiteti në punë, si dhe mosdisiplina e këtyre punëtorëve ka bërë që këtyre të fundit të mos u vazhdohen kontratat.

“Organet e kompanisë për arsye të mospërmbushjes e performancës sipas rregullave të kompanisë dhe sipas Ligjit të Punës, respektivisht për shkaqe disiplinore (sulme fizike, vjedhje,  organizime të paligjshme të grevave etj.) kanë pasur arsye të mjaftueshme për mosvazhdim të kontratave te punës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ky vendim nuk ka qenë i papritur sepse punëtorët janë lajmëruar një muaj më parë për këtë gjë dhe hapja e një konkursi të ri, vlerëson ajo, nuk është parë i nevojshëm nga kompania.

“Secili veç e veç ka qenë i njoftuar me gojë dhe me shkrim 30 ditë para skadimit të kontratave të tyre se nuk do t’u vazhdohen kontratat e punës, kompania “Ecohigjiena” SHPK nuk ka hapur konkurs pune deri më tani, sepse mbulon shërbimet me kapacitetet teknike dhe me fuqinë punëtore ekzistuese”, ka përfunduar ajo.