Pezullohen punimet në ndërtimin e garazheve nëntokësore

Ekonomia June 25, 2018 - 09:40
Mësoni më shumë shumë detaje

Inspektorët komunalë të Mitrovicës kanë urdhëruar kompaninë “Tropik” që t’i ndërpresë punimet në ndërtimin e garazheve nëntokësore pas ankesave të banorëve të dy ndërtesave në afërsi se u është cenuar siguria. Inspektorët komunalë kanë vlerësuar se kompania nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për evitimin e rrezikshmërisë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Banorët e dy ndërtesave në afërsi të objektit të Gjykatës Themelore në jug të Mitrovicës janë ankuar se kompania që ka fituar tenderin për ndërtimin e garazheve nëntokësore NTP “Tropik” ua ka vështirësuar jetën dhe ka cenuar sigurinë e tyre, pasi që nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për evitimin e rrezikut.

Ata kanë thënë gjithashtu se u është pamundësuar qasja në banesat e tyre.

Ata janë ankuar se punët që janë duke u bërë në ndërtimin e garazheve nëntokësore përveçqë kanë vështirësuar lëvizjen në atë pjesë paraqesin rrezik për jetën e banorëve e sidomos të fëmijëve, por edhe të kalimtarëve.

LEXO EDHE: Në dy Mitrovicat, 9575 ndërtime pa leje

Përfaqësuesit e familjeve që banojnë në dy ndërtesat shumëkatëshe përreth zonës së paraparë për ndërtimin e garazheve nëntokësore në qendër të qytetit, afër ish-ndërtesës ku tani është vendosur Gjykata Themelore e Mitrovicës, kanë kërkuar të takohen me zyrtarët komunalë të Mitrovicës dhe ata kanë takuar nënkryetarin Faruk Mujka dhe drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit, Hysni Ahmeti, shkruan më tutje "Zëri".

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me punimet që po bëhem në atë zonë nga operatori ekonomik NTP “Tropik”, që është përfitues i tenderit për ndërtimin e garazheve nëntokësore.

Ata thanë se po u rrezikohen pronat, përkatësisht banesat e tyre dhe u është vështirësuar qasja në to, ndërsa siç thanë ata “shqetësues është edhe siguria e banorëve dhe qytetarëve të tjerë e në veçanti siguria e fëmijëve”.

“Ne nuk jemi kundër punimeve që po bëhen për ndërtimin e garazheve, por jemi duke kërkuar siguri. Nuk po mund të lëvizim lirshëm, frikohemi se dikush mund të pësojë ndonjë lëndim ose edhe që mund t’i rrezikohet jeta. Punëkryerësi duhet që krahas punimeve për ndërtimin e garazheve nëntokësore të bëjë betonimin e duhur, në mënyrë që të mos ketë rrëshqitje të dheut, siç është duke ndodhur tani. Ka shembje të mëdha të dheut fare afër ndërtesave ku ne banojmë, kështu që rreziku është real që ato të shemben dhe neve të na rrezikohet jeta. Para se të ndodhë më e keqja duhet të ndërmerren masa të menjëhershme sigurie për ne banorët, por edhe për kalimtarët, duke e detyruar punëkryesin që t’i respektojë rregullat e ndërtimit dhe ligjin”, kanë thënë ata.

Nënkryetari Mujka në anën tjetër i njoftoi banorët se udhëheqja komunale dhe drejtoritë përkatëse kanë debatuar rreth problemit të tyre dhe madje e kanë shtruar çështjen edhe në Kuvendin e Komunës për diskutim.

“Kjo çështje do të diskutohet sërish në seancën e radhës së Kuvendit për ta bërë një zgjidhje të drejtë, por para së gjithash për ta evituar rrezikun që u kanoset banorëve dhe pronave të tyre”, tha nënkryetari Mujka.

Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti, siguroi se inspektorët do të dalin menjëherë në vendin e ngjarjes dhe se do të ndërmarrin masa të menjëhershme për ta evituar rrezikun.

Menjëherë pas takimit të banorëve të këtyre dy ndërtesave, afër të cilave janë duke u ndërtuar garazhet nëntokësore, inspektorët komunalë kanë dalë në vend dhe kanë urdhëruar punëkryesin që t’i ndërpresë punimet.

Ata kanë arsyetuar këtë vendim me faktin se punëkryesi nuk ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për evitimin e rrezikshmërisë së qytetarëve dhe pronave të tyre.