Në dy Mitrovicat, 9575 ndërtime pa leje

Ekonomia June 25, 2018 - 08:50
Lexoni më shumë detaje

Sipas një hulumtimi të organizatave partnere CDO (Civil Development Organization) në jug dhe CWD (Center for Women Development) në veri, në jug të Mitrovicës nga 8.134 objekte të ndërtuara pa leje janë legalizuar vetëm 17 sosh, ndërsa në veri nga 1.441 objekte të ndërtuara pa leje nuk është legalizuar asnjë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndërtimet pa leje në periudha të ndryshme kohore dhe që vazhdojnë edhe tani janë bërë problemi më i madh për dy komunat e Mitrovicës, jugun dhe veriun.

As ligji për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, që është aplikuar në fazën e parë, nuk ka dhënë ndonjë rezultat, pasi që janë legalizuar minimalisht ndërtime pa leje në jug dhe asnjë në veri të Mitrovicës.

Sipas një hulumtimi të organizatave partnere CDO (Civil Development Organization) në jug dhe CWD (Center for Women Development) në veri, në jug të Mitrovicës janë evidencuar 8.134 ndërtime pa leje, ndërsa në veri të Mitrovicës 1.441.

LEXO EDHE: Spitalet me autoambulanca të amortizuara, Qeveria me vetura luksoze

Gjatë procesit të aplikimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje në jug të Mitrovicës janë legalizuar vetëm 17 objekte të ndërtuara pa leje, ndërsa në veri asnjë.

Por, gjendje e njëjtë është në të gjithë Kosovën, pasi që, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në të gjithë Kosovën janë regjistruar 353.685 ndërtime pa leje, ndërsa procedurat për legalizimin e tyre në fazën e parë i kanë vazhduar shumë pak pronarë të objekteve, shkruan më tutje "Zëri".

“Në Mitrovicën e Jugut procedurat i kanë vazhduar vetëm 42 pronarë të objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa janë legalizuar vetëm 17 objekte, ndërsa në pjesën veriore të Mitrovicës kanë aplikuar mbi 1400, por nuk është legalizuar asnjë”, ka thënë Migjen Abrashi, përfaqësues i organizatës CDO, që ka kryer hulumtimet në jug të Mitrovicës.

Në një tryezë që është mbajtur në veri të Mitrovicës, të organizuar nga organizatat partnere CDO (Civil Development Organization) në jug dhe CWD (Center for Women Development) në veri, u tha se edhe në fazën e dytë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje në jug të Mitrovicës dhe në veri do ta përcjellin problemet e njëjta.

Sipas hulumtuesve, legalizimi i ndërtimeve pa leje do t’i marrë të paktën edhe dy vjet kohë. Në këtë tryezë merrnin pjesë edhe nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka dhe shefja e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq.

Siç përcjell “Radio Kontakt Plus”, Mujka dhe Hoxhiq kanë sqaruar për problemet që kanë përcjellë procedurat e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje në Mitrovicë në fazën e parë të zbatimit të Ligjit për Legalizimet.

Nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, tha se shkaqet kryesore pse ka dështuar legalizimi i ndërtimeve pa leje në fazën e parë është çmimi i lartë për aplikim.

Gjithashtu edhe kushtet e tjera, siç është domosdoshmërisht hartimi i planit për shtëpitë që janë ndërtuar shumë vjet më përpara, për të cilët kërkohej të paguheshin edhe nga 1 mijë euro, ka bërë që legalizimi të dështojë.

"Ndërtimet pa leje janë një sfidë, e cila fatkeqësisht edhe sot është duke vazhduar dhe duke u shkaktuar probleme qeverisjeve lokale. Mund të them se ne si qeverisje lokale kemi përfunduar të gjitha obligimet që na janë dhënë. Kemi respektuar afatin, pranimin e kërkesave të qytetarëve. Fatkeqësisht për legalizim të objekteve kemi hasur në një problem tjetër, përkatësisht kushtet tepër të pavolitshme për qytetarët”, ka thënë nënkryetari i Mujka, i cili ka siguruar se çmimi për legalizimin e objekteve gjatë fazës së dytë do të jetë shumë më i favorshëm.

Në anën tjetër, shefja e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, ka përkujtuar se deri te legalizimi i objekteve të ndërtuara pa leje nuk ka ardhur për shkak se nuk është nënshkruar memorandumi në mes të Komunës Veriore të Mitrovicës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas saj, memorandumi ka munguar pasi nuk është arritur marrëveshja për kufirin në mes të Komunës Jugore dhe asaj Veriore të Mitrovicës.

“Fatkeqësisht qytetarët tanë shumë shpesh janë viktima të politikave të larta. Është e domosdoshme që Komuna jonë të nënshkruajë memorandumin me MMPH-në, i cili është i kontestueshëm për Qeverinë lokale. Kemi pasur afate që është dashur t’i respektojmë, kemi pranuar të gjitha kërkesat dhe tani të gjitha ato kërkesa presin të realizohen. Kemi kuadër të vogël të zyrtarëve në Kadastër, Urbanizëm dhe në Gjeodezi. Kemi pak zyrtarë, të cilët edhe tani kryejnë trajnimet dhe ne nuk kemi hasur as në mbështetjen adekuate të Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Shpresoj që këtë problem do ta zgjidhim. Në muajt e kaluar nuk kemi mundur t’u ofrojmë shërbime qytetarëve tanë, secilin rast e kemi kthyer parapa”, ka thënë Hoxhiq.

Ajo ka shtuar se në 5 vjetët e fundit Komuna ka toleruar në një formë ndërtimet pa leje të atyre objekteve që kanë karakter ekonomik, në mënyrë që të zvogëlohen rastet sociale.

“Në të njëjtën kohë Komuna përkujdeset për njerëzit që kanë biznese. Përkujdesemi për ata njerëz, të cilët deri më tani kanë pasur bizneset e tyre, në mënyrë që të vazhdojnë me ushtrimin e tyre. Njerëzit kanë bërë kapital dhe në këtë mënyrë mund të bëjnë objekt tjetër, ku do të vazhdojnë t’i ushtrojnë bizneset e tyre”, ka thënë ajo.

Hoxhiq shfaqi shpresën se ligji për trajtimin e objekteve të ndërtuara pa leje do të miratohet dhe siguron se Komuna do të përpiqet t’i kryejë obligimet e veta.