Lëmshi me çmimet e dokumenteve të gjendjes civile nëpër komunat e Kosovës

Ekonomia June 23, 2018 - 21:43
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Secila nga 38 komunat e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për përcaktimin e çmimeve të dokumenteve të gjendjes civile.

Me vendim të Kuvendit Komunal të secilës komunë përcaktohen taksat për shërbimet që ofrohen nga niveli lokal për qytetarët.

“Prandaj kjo çështje, përcaktimi i taksave është në përgjegjësinë e komunave të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme kur KALLXO.com ka pyetur se kush është përgjegjëse për përcaktimin e çmimeve të dokumenteve të gjendjes civile.

Kallxo.com ka marrë përgjigje nga 29 komuna të Republikës së Kosovë për çmimet e dokumenteve të gjendjes civile, prej të cilave 27 komuna shqiptare dhe dy komuna me shumicë serbe.

Çmimi i certifikatës së lindjes dhe ekstraktit të lindjes është nga 1 euro nëpër të gjitha komunat.

Dallime më të mëdha në çmime nëpër komunat e Kosovës ka te certifikata familjare. Në Mitrovicë, Pejë, Malishevë dhe Rahovec, çmimi i certifikatës familjare është 5 euro. Në Dragash, Klinë e Podujevë ky çmim është 3 euro, në Prizren është 2.5 euro. Kurse në 21 komunat e tjera ky çmim varion në 2 dhe 1 euro.

Certifikata e martesës më së shtrenjti paguhet nga qytetarët e komunës së Klinës dhe Drenasit. Për të marrë një dokument të tillë në Gjendjen Civile, qytetarët duhet të paguajnë nga 5 euro. Në komunën e Shtimes, certifikata e martesës mund të merret për 2 euro kurse në 26 komunat e tjera, ky dokument mund të sigurohet për vetëm 1 euro.

Në qytetin e Klinës edhe për të nxjerrë një certifikatë të vdekjes duhet të paguhet po ashtu 5 euro, më shtrenjtë se në 28 komunat e tjera nga të cilat KALLXO.com ka marrë përgjigje. Kurse në Viti dhe Suharekë për të siguruar një dokument të tillë, qytetarët nuk kanë nevojë të paguajnë fare. Në komunën e Mitrovicës, certifikata e vdekjes e ka çmimin 3 euro, në Drenas 2 euro, në Kamenicë 0.50 cent dhe në 23 komunat e tjera kjo certifikatë nxirret për vetëm 1 euro.

Qytetarët e komunës së Vushtrrisë, Deçanit, Ferizajit, Gjakovës, Hanit të Elezit, Obiliqit dhe Skenderajit mund të nxjerrin të pesë dokumentet me vetëm 5 euro, duke paguar për secilin nga 1 euro.

Suhareka i ka çmimet më të ulëta për dokumentet e gjendjes civile. Ajo është e vetmja komunë që certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën familjare, certifikatën e martesës i ka nga 1 euro kurse certifikatën e vdekjes e lëshon pa asnjë cent, që gjithsej xhepit të një qytetari i kushtojnë 4.5 euro.

Komuna me çmimet më të larta të dokumenteve të gjendjes civile është Klina. Një qytetar i komunës së Klinës duhet të ketë me vete 15 euro për të paguar 5 dokumentet. 1 euro për një certifikatë të lindjes, 1 euro për një ekstrakt, 3 euro për certifikatën familjare dhe nga 5 euro për një certifikatë të martesës dhe një certifikatë të vdekjes.

Nëse krahasojmë çmimet e dokumenteve të gjendjes civile në Klinë dhe Suharekë, atëherë shohim se për të pesë dokumentet në Klinë paguhet 10.5 euro më shumë se në komunën e Suharekës.

Në grafikën e mëposhtme mund të gjeni çmimet e dokumenteve të shërbimit civil në 29 komunat e Kosovës.

Image