Deputetët mungojnë në seanca, prijnë me shpenzime

Ekonomia June 22, 2018 - 12:54
Lexo detajet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, tash e sa kohë nuk kanë arritur të miratojnë as pikat e rendit të ditës të parapara me rregullore, për shkak të mungesës së kuorumit, raporton “Zëri.info”.

Por, këto mungesa në rast të marrjes së vendimeve nuk vërehen edhe tek shpenzimet që ata realizojnë për udhëtime jashtë vendit.

Listës së udhëtimeve zyrtare i prin nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili ka realizuar katër udhëtime jashtë vendit, që buxhetit të shtetit i kanë kushtuar 1 mijë e 863 euro.

Menjëherë pas Halitit, i dyti renditet deputeti i partisë turke (KDTP), Fikrim Damka i cili ka shpenzuar 910 euro, në tri shpenzime të realizuara jashtë vendit.

Bashkë partiakja e Damkës, Mufera Srbica-Sinik, ka udhëtuar tri herë jashtë vendit. Shpenzimet e së cilës kanë arritur në 734 euro.

Lideri i Partisë së Pavarur Liberale, (SLS) Slobodan Petrovic ka shpenzuar nga buxheti i shtetit 1 mijë e 663 euro për 2 shpenzime jashtë vendit.

Ndërsa, deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në dy udhëtime të realizuara ka shpenzuar 1 mijë e 332 euro.

Këta emra janë renditur në listën e deputetëve që kanë udhëtuar më së shpeshti jashtë vendit, në platformën “Vota ime” të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Shumë prej deputetëve të Kuvendit, shpeshherë  janë nënshkruar në listën e evidencave dhe janë larguar nga salla vetëm për të përfituar mëditje. /ZËRI/