Komuna e Prizrenit angazhoi 78 punëtorë me kontrata të veçanta

Ekonomia June 22, 2018 - 08:01
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se gjatë vitit që lamë pas Komuna e Prizrenit kishte angazhuar 78 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta. Pagesa për këto shërbime është bërë nga kategoria “Mallra dhe shërbime”. Sipas Auditorit, nga tetë rastet e testuara, të gjitha kontratat janë lidhur për pozita të rregullta të punës si nëpunës arkivi, nëpunës në tatimin në pronë, nëpunës për shërbime me qytetarë, roje të pyllit, etj, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Plot shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Komunën e Prizrenit.

Sipas Auditorit, Komuna gjatë vitit 2017 kishte angazhuar 78 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta.

LEXO EDHE: Kërkohet verifikimi i imamëve që do të ligjërojnë nëpër burgje

Pagesa për këto shërbime është bërë nga kategoria “Mallra dhe shërbime”.

Nga tetë rastet e testuara, të gjitha kontratat janë lidhur për pozita të rregullta të punës, nëpunës arkivi, nëpunës në tatimin në pronë, nëpunës për shërbime me qytetarë, roje të pyllit etj. e jo për ekspertë të fushave përkatëse.

Sipas Auditorit, mbulimi i pozitave të zakonshme me kontrata për shërbime të veçanta ndikon në rritjen e shpenzimeve të shërbimeve kontraktuese dhe shpenzimin e parregullt të buxhetit për këtë kategori.

“Kryetari duhet të sigurojë se punonjësit përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike. Angazhimi të bëhet në përputhje me kërkesat ligjore përmes një procesi konkurrues e transparent dhe periudha e angazhimit të bëhet në kuadër të afateve të parapara me ligj. Ndërsa për të gjitha pozitat e rregullta të punës duhet të sigurohet se buxhetohen nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, si dhe paguhen nga sistemi i pagave”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Prizrenit.

Pagesa për mallra dhe shërbime pa procedura të prokurimit

Po ashtu sipas Auditorit, pagesa në vlerë 4,000€ për sigurimin e automjeteve është bërë pa procedura të prokurimit pasi Komuna nuk ka kontratë me ndonjë operator ekonomik për sigurimin e automjeteve.

Ligji i Prokurimit Publik nuk përjashton këtë lloj të shpenzimit nga procedurat. Në pagesën në vlerë 10,578 euro për mirëmbajtën e automjeteve Komuna ka paguar shumën prej 5,504 eurosh për artikujt, të cilat nuk janë të parashikuar në kontratë.

Sipas kontratës së nënshkruar në mes të Komunës dhe OE-së në pamundësi të përfshirjes së të gjitha pjesëve të cilat janë objekt i furnizimit dhe i ndërrimit, formohet një komision nga ana e Komunës për furnizimin e tyre sipas çmimeve të tregut që bie në kundërshtim me Nenin 1 dhe 4 të kontratës.

Gjatë testimit të pagesës nuk kemi gjetur dëshmi të formimit të komisionit, por vetëm faturim nga ana e OE-së.

“Anashkalimi i procedurave të prokurimit rrezikon konkurrencën e lirë të tregut dhe transparencën në përzgjedhjen e OE-së. Pagesat jashtë kontratës mund të ndikojnë në humbje financiare për Komunën dhe të rrezikojnë arritjen e duhur të vlerës për paranë e shpenzuar. Kryetari duhet të sigurojë se nuk janë anashkaluar procedurat e prokurimit aty ku janë të zbatueshme, si dhe me rastin e përgatitjes së kërkesave për mirëmbajtjen e automjeteve mundësisht të përfshihen të gjitha autopjesët e nevojshme”, thuhet më tutje në raportin e auditimit për Komunën e Prizrenit për vitin që lamë pas.

Dobësi sistematike në menaxhimin e kontratave për investime kapitale

Po ashtu ZKA-ja ka evidentuar dobësitë sistematike lidhur me menaxhimin e kontratave për investimet kapitale, të cilat i ka prezantuar në vijim si Programi për Investime Publike përfshin disa projekte në vazhdim nga vitet e kaluara. Kontrata e nënshkruar në vitet e mëparshme në vlerë prej 100,000 eurosh për vazhdimin e projektit për ndërtimin e rrugës “Tranziti i vjetër” nuk është zbatuar pasi ka probleme pronësore me pronarin e një shtëpie.

Sipas ZKA-së ky rast ka përfunduar në procedurë gjyqësore dhe në këtë pozicion buxhetor janë zvogëluar mjete financiar në vlerë prej 50,000 eurosh. Po ashtu, te projekti “Rregullimi i shtratit të Lumëbardhit” në vlerë 100,000 euro, Komuna ka zhvilluar procedurat tenderuese, si dhe është nënshkruar kontrata, mirëpo paralelisht me ketë Drejtoria për Shërbime Publike ka bërë kërkesë në Urbanizëm për lejimin e kushteve ndërtimore (lejes së ndërtimit).

Si pasojë është kërkuar nga kontraktuesi të mos i fillojë punimet derisa të sigurohet leja ndërtimore. Po ashtu, te projekti “Efiçienca në ndriçimin publik” në vlerë prej 60,000 eurosh kanë filluar procedurat në tremujorin e fundit të vitit 2017 dhe ka pasur një ankesë në OSHP. Pavarësisht vendimit të OSHP-së në favor të OE-së ekonomik, kjo kontratë ende nuk është nënshkruar.

Sipas Auditorit, mjetet e buxhetuara në ketë projekt janë marrë nga Departamenti i Thesarit në bazë të Nenit 39.2 për Kryerjen e Obligimeve për OE-në tjerë.

Kostoja e projektit rritet për 460 mijë euro

Po ashtu projekti “Ndërtimi i rrugës ‘Faradin Hoti’” fillimisht ishte vlerësuar në vlerë 40,000 euro, mirëpo gjatë hartimit të projektit detal kostoja e këtij projekti ka dalë përafërsisht 500,000 euro. Menaxhmenti i Drejtorisë duke e analizuar këtë disproporcion në mes planifikimit buxhetor dhe kostos reale të këtij projekti ka vendosur që të mos  fillohet me procedura për këtë projekt.  

Po ashtu Komuna nuk i ka zhvilluar procedurat e prokurimit për projektet “Ndërtimi i QMF-së në fshatin Gjonaj” në vlerë 120,000€ dhe “Furnizimi me GPS për matje kadastrale” në vlerë prej 10,000 eurosh edhe pse ishin planifikuar me planin e prokurimit. 

Në katër raste Komuna ka lidhur kontrata publike jashtë planit vjetor të prokurimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe nuk janë ndjekur procedurat e rregullta për sigurimin e konfirmimit nga Autoriteti Qendror i Prokurimit për inicim të procedurave për projektet të cilat nuk janë të përfshira në planin e prokurimit publik.

Për kontratën “Ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Legjendë-Malësi e Re” në kuadër të faturës dhe të pagesës në vlerë 98,725 euro ishin edhe dy pompa zhytëse në vlerë 4,000 euro, të cilat nuk ishin funksionalizuar ende.

Ky pozicion i paraparë në kontratat është pranuar nga menaxheri i kontratës, organi mbikëqyrës dhe është certifikuar/është paguar sipas situatës nr. 4 për furnizim, transportim dhe montim të dy pompave zhytëse H=80m,Q=6.8 l/sek.

“Gjatë ekzaminimit të Auditorit me prezencën edhe të organit mbikëqyrës të kontraktuar nga Komuna, pompat nuk ishin montuar dhe nuk funksionin ende. Arsyetimi i organit mbikëqyrës ishte se për shkak të punimeve të papërfunduara montimi i tyre në aspektin fizik nuk ishte i sigurt dhe te kontrata ‘Furnizimi me material ndërtimor për raste emergjente’

Komuna ka pranuar faturën dhe ka kryer pagesën në vlerë 4,000 euro edhe pse sipas pozicioneve të materialit të faturuar nga OE-ja vlera e përgjithshme e pranimit të mallit ishte vetëm 2,198 euro (sipas fletëpranimit). Situata është nënshkruar nga menaxheri i kontratës dhe nga organi mbikëqyrës përgjegjës dhe pagesa është certifikuar për 1,802 euro më shume sesa mallrat e pranuara. Gjatë ekzaminimit në terren me prezencën edhe të organit mbikëqyrës vërtetuam se mallrat e pranuara ishin në vlerë 2,198 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Shmangie nga procedurat e rregullta të prokurimit

Në procesin e prokurimit “Furnizim me material ndërtimor për familjet skamnore” Komuna kishte eliminuar nga gara OE-në, e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë për arsyet se nuk kishte plotësuar dy kritere: “Projektet e ngjashme të realizuara në tre vjetët e fundit minimumi 370,000 euro” dhe “Pasqyrat financiare të kompanisë të shoqëruar me qarkullimin financiar nga banka për tre vjetët e fundit”.

Pas ankesës së OE-së, OSHP-ja ka vendosur që lënda të kthehet në rivlerësim sepse Komuna ka mundur të kërkojë sqarime shtesë sipas Nenit 59.2 të LPP-së. Pas vendimit të OSHP-së, Komisioni për Vlerësim të Tenderëve kishte shpallur përsëri të papërgjegjshëm OE-në më të lirë, edhe pse posedonte të gjitha dëshmitë, dhe kishte nënshkruar kontratë me OE-në e dytë me radhë në vlerë 199,344€ ose për 6,096€ më shumë sesa OE-ja më e lirë.

“Prej 350 procedurave të kryera në prokurim, në 220 raste ose 63% prej tyre, janë përdorur procedurat e kuotimit të çmimeve dhe të atyre me vlerë minimale. Për ‘Dezinfektim, deratizim, dezinsektimin në QKMF’ është nënshkruar një kontratë (26.04.2017) në vlerë prej 3,971€, pastaj kontrata tjetër me procedura të hapura është nënshkruar më 04.05.2017, në vlerë prej 34,016€, si dhe dy kontrata me vlera minimale. Ngjashëm ka ndodhur edhe me ‘Furnizimin me material zyrtar”, ‘Furnizimi me inventar’, ‘Furnizim me perde’, ku për furnizime të njëjta ishin nënshkruar nga tri ose më shumë kontrata me vlera minimale. Praktika e tillë shton rrezikun e mosarritjes së vlerës për para, dëmtimit të reputacionit të Komunës, dëmtimin e transparencën, eliminimin e konkurrencës dhe vejnë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve/produkteve të pranuara dhe përmbushjen e projekteve”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, “Kryetari duhet të sigurojë se kontrollet e vendosura janë funksionale gjatë vlerësimit dhe përzgjedhjes së operatorëve, aty ku ekziston mundësia t’i shqyrtojë në detaje rastet dhe të kërkojë sqarime shtesë. Me tutje të kërkojë një planifikim të hollësishëm dhe njësitë të vlerësojnë në mënyrë të drejtë kërkesat për prokurim, si dhe të respektohen në plotësi LPP-ja, si dhe UA-ja, në mënyrë që rastet e mësipërme të mos përsëriten”.

Dobësi në kontrollet menaxheriale

Rishikimi i kontrolleve menaxheriale të zbatuara në sistemin kryesor financiar të Komunës ka nxjerrë në pah një raportim joefektiv financiar mbi shpenzimet dhe të hyrat te menaxhmenti i lartë, si dhe analiza të pakompletuara.

Kjo ka ndodhur për shkak se formati i raporteve menaxheriale nuk ofron shpjegime rreth variancave në buxhet dhe se parashikimet buxhetore nuk janë azhurnuar në baza mujore. Si të tilla aranzhimet e përgjithshme të qeverisjes kërkojnë përmirësim.

Ne kemi identifikuar se kontrollet mbi të hyrat akoma nuk janë mjaft efektive dhe ka mangësi në kontrolle në disa fusha të shpenzimeve. Komuna gjithashtu nuk ka politika të shkruara dhe procedura për menaxhimin e rreziqeve, në veçanti të rrezikut të mashtrimit dhe të parregullsive.

Sipas Auditorit, mosazhurnimi i raportimit financiar dhe të aktiviteteve te menaxhmenti i lartë redukton aftësinë e menaxhmentit për t’i menaxhuar aktivitetet e Komunës në mënyrë pro aktive, si dhe ul efektin e kontrolleve buxhetore

. Kjo gjithashtu mund të ndikojë që të hyrat të mos arkëtohen siç pritet. Ngjashëm, mund të rezultojë në ofrimin e shërbimeve të dobëta.

“Kryetari duhet të sigurojë se është kryer një rishikim për të përcaktuar formën e raportimit financiar dhe operativ te menaxhmenti i lartë, nga i cili mund të nxirren të gjitha informatat relevante që ndikojnë në vendimmarrjen cilësore dhe me kohë të menaxhmentit. Ecuritë buxhetore, duke përfshirë të hyrat dhe shpenzimet, dhe plani i prokurimit duhet të jenë subjekt i raportimeve dhe i rishikimeve të rregullta nga ana e menaxhmentit. Gjithashtu për të reduktuar ndikimin e rreziqeve në nivele të pranueshme, organizata duhet të hartojë regjistrin e rreziqeve me të gjitha masat/veprimet e duhura për të vendosur nën kontroll kërcënimet e ekspozuara”, thuhet më tutje në rekomandimin e ZKA-së për Komunën e Prizrenit.

Dobësi në regjistrimin e pasurisë nën 1,000 euro

Neni 4.1 i Rregullores 02/2013 për Menaxhimin e Pasurisë Financiare thekson se “Zyrtari kryesor administrativ është përgjegjës për aprovimin e rregullave dhe të procedurave të brendshme për evidencën, ruajtjen dhe tjetërsimin e pasurisë jofinanciare”.

Por sipas Auditorit, Komuna nuk ka procedura të brendshme për menaxhimin e pasurisë pavarësisht se ishte rekomandim në raportin e vitit të kaluar.

Regjistri i E-pasurisë nuk është i saktë për arsye se blerjet nga sektori i shëndetësisë, i mirëqenie sociale dhe QKMF-së nuk regjistrohen në këtë softuer, siç është paraparë në Nenin 6, të Rregullores 02/2013 për Menaxhimin e Pasurive Financiare.

“Mungesa e procedurave të brendshme për ruajtjen dhe për tjetërsimin e pasurisë mund të ndikojë që pasuria e Komunës të mos menaxhohet si duhet dhe të mos prezantohet drejt në pasqyrat financiare. Ndërsa mangësitë në regjistrimin e plotë të pasurisë duke mos përfshirë të gjitha blerjet vështirësojnë identifikimin e pasurive për të konfirmuar ekzistencën, prejardhjen dhe pronësinë e tyre. Kryetari duhet të sigurojë hartimin e rregullave dhe të procedurave të brendshme për evidencën, ruajtjen dhe tjetërsimin e pasurisë jofinanciare sipas kërkesës së Rregullores 02/2013, si dhe të sigurojë se procesi gjithëpërfshirës i regjistrimit të pasurive do të vazhdojë dhe brenda një afati optimal do të nxirret një regjistër përfundimtar mbi pasurinë e Komunës. Po ashtu të gjitha hyrjet/daljet e pasurive të luajtshme me vlera nën 1,000€ të bëhen përmes sistemit e-pasuria në të gjitha dikasteret komunale”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Mungesë e dosjeve të personelit

Për 29 zyrtarë, të cilët janë të angazhuar në Drejtorinë për Emergjencë dhe Siguri, zyrtarët përgjegjës nuk ishin në gjendje të na ofrojnë dosjet e kompletuara dhe kontratat e këtyre zyrtarëve në bazë të të cilave kryhet kompensimi i pagave.

Sipas menaxherit të personelit, nuk ka dokumentacion relevant për këta zyrtarë dhe kjo dukuri është shfaqur si pasojë e një memorandumi të nënshkruar vite me parë pasi zyrtarët janë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa kompensimi i pagave dhe kompensimet e tjera kryhen nga Komuna.

Sipas Auditorit, kjo pasqyron një mungesë të specifikave të qarta për burimet njerëzore që ndërlidhen me zbatimin e kërkesave të UA-ve si pjesë e përshkrimit të detyrave të tyre të punës.

Për më tepër, identifikuam se një pjesë e listave të pagave nuk janë nënshkruar nga të punësuarit e Komunës.

“Pagesat për zyrtarët në mungesë të dokumentacionit relevant rezulton në pamundësinë për të justifikuar pagën/shtesat ose për të mundësuar shqyrtimin e rezultateve nga vlerësimet e performancës. Mosnënshkrimi i listës së pagave rrit rrezikun që gabimet e mundshme të mos identifikohen dhe shpenzimet e ndodhura për paga të mos arsyetohen. Kryetari të sigurojë rishikimin e mundësisë që këta zyrtarë të transferohen në institucionet ku ata punojnë ose të kompletohen dosjet e tyre në Komunë për të krijuar bazë ligjore për ekzekutimin e pagave të tyre. Po ashtu kryetari duhet të sigurojë që listat e pagave të nënshkruhen nga të gjithë të punësuarit e Komunës”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prizrenit për vitin 2017.