Lançohet tenderi për ndërtimin e termocentralit 1 miliard euro në Kosovë

Ekonomia June 21, 2018 - 21:24

Prodhuesi amerikan i energjisë elektrike, ContourGlobal tha se ka nisur një tender për ndërtimin e një centrali të qymyrit me fuqi 500 megavat (MË) në Kosovë, që pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro (1.2 miliardë dollarë).

Ky do të jetë investimi më i madh energjetik në gati tre dekada në Kosovë që lufton me mungesë të energjisë. Rreth 90 për qind e energjisë elektrike ne vend prodhohet në dy termocentrale të vjetra me qymyr, që janë ndër ndotësit më të mëdhenj të Evropës.

“Procesi i përzgjedhjes përbehet nga një tender ndërkombëtar konkurrues prej dy fazave, sipas Rregullorës së Prokurimit të Bankës Botërore”, thotë ContourGlobal në një deklaratë të dërguar në postën e Reuters, transmeton lajmi.net.

“Ai përbëhet nga një proces fillestar përzgjedhës, i pasuar nga kërkesat për propozime”, thotë kompania, duke shtuar se afati për aplikim përzgjedhjen fillestare është 2 gusht.

Banka Botërore tha javën e kaluar se ende nuk ka vendosur nëse do të mbështesë projektin.

Qeveria e Kosovës i kishte kërkuar huadhënësit më parë që të ofronin garancitë ndaj rrezikut për projektin që do të mundësonte kredi më të lira për ndërtim të termocentralit.

Kosova ka më shumë se 14 miliardë ton rezerva të provuara të linjitit, e pesta më e madhe në botë.

Nëse Banka Botërore nuk jep mbështetjen e saj, mbetet e paqartë se si do të vazhdojë projekti.

Qeveria më parë tha se projekti pritej të ndihmojë në rritjen ekonomike të Kosovës në 5 ose 6 për qind në vitet e ardhshme, nga 3.7 për qind në vitin 2017.

Ambjentalistët janë ankuar se termocentrali mund ta mbyllë Kosovën në një të ardhme të mundësuar nga linjiti – e cila është forma më e ndyrë e qymyrit.

Por, ContourGlobal ka thënë se termocentrali i ri do të përmirësojë cilësinë e ajrit, duke i reduktuar lëshimet nga dy termocentralet që aktualisht e ndotin zonën, njëri prej të cilëve do të mbyllet.

“Emetimet e pluhurit do të reduktohen me 93 për qind, ndërsa oksidet e squfurit dhe oksidet e azotit do të reduktohen me 84 për qind dhe 93 për qind, ndërkohë që dioksidi i karbonit do të ulet me 37 për qind”, thotë ContourGlobal.

Kompania gjithashtu tha se shpreson të sigurojë një partner të kapitalit neto deri në fund të vitit ose në fillim të vitit 2019.