Qeveria ende s’ia ka paguar 53 milionë euro 'Bechtel Enka'-s

Ekonomia June 21, 2018 - 08:40
Mësoni më shumë shumë detaje

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se deri më tash Qeveria e Kosovës ende s’ia ka paguar konsurciumit amerikano-turk “Bechtel Enka”-s 53 milionë euro si penallti për vonesa të pagesave, por edhe për zgjatje të punimeve për më shumë se një vit

Neglizhenca e krerëve shtetërorë po i kushton buxhetit të shtetit miliona euro.

Vetëm për shkak të keqmenaxhimit me paranë publike Kosova po detyrohet t’i mbulojë me miliona euro gabimet e saj.

Një herë 53 milionë euro kompanisë “Bechtel Enka” për mosrealizim të kontratës, e rreth një milion tjera si formë ndëshkimi për mostërheqjen e mjeteve financiare nga institucionet ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Brahiterapia që tre vjet jashtë funksionit, qytetarët shpenzojnë para në Shkup dhe në Tiranë

Të gjitha këto humbje po i faturohen buxhetit  si pasojë e dështimit  e të neglizhencës së përgjegjësve kryesorë që menaxhojnë me paranë publike.

Të paktën kështu ka deklaruar ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Haki Shatri, tashmë këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një prononcim për gazetënZëriShatri i ka quajtur humbje të pastra vonesat dhe mosfunksionalizimin me kohë të projekteve.

“Nuk e di dëmin se duhet punuar shumë për t’u gjetur të gjitha rastet kur janë lejuar mjetet e nuk janë bërë përgatitjet për shfrytëzim të tyre, kur janë marrë kreditë të jashtme pa përgatitje paraprake të nevojshme. Për vonesa që bëhen deri në fillim të realizimit të projekteve, këto janë një neglizhencë, një dështim në punë të atyre që janë kompetentë të menaxhojnë me paranë publike. Është humbje e pastër e parasë, por edhe nga vonesa, edhe nga mosfunksionalizimi me kohë i këtyre projekteve”, ka deklaruar këshilltari i kryeministrit.

Tutje, ai ka konfirmuar se kompanisë “Bechtel Enka” ende nuk i është kryer pagesa prej 53 milionësh eurosh.

“Kompanisë ende nuk i është kryer pagesa. Këto janë procedura, por janë vetëm disa veprime paraprake, nuk janë kryer sepse për t’i paguar 53 milionë duhet të gjenden burimet e mjeteve. Këto s’kanë qenë të parapara me buxhet. Ministria e Financave duhet t’i bëjë kursimet e nevojshme, shkurtime në projekte të ndryshme, kategori buxhetore të ndryshme për t’i ndarë këto 53 milionë euro”, ka përfunduar Shatri.

Qeveria t’i kryejë obligimet me kohë

Për t’i mënjanuar humbjet buxhetore Qeverisë po i kërkohet kujdes i shtuar në kryerjen e obligimeve me kohë.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, në një prononcim për “Zërin” ka kërkuar nga Qeveria që t’i kryejë obligimet me kohë, në mënyrë që të mos marrë ndëshkime nga kompanitë për shkak të neglizhencës.

“Qeveria duhet të jetë e kujdesshme t’i kryejë obligimet e veta me kohë dhe të mos marrë ndëshkime nga kompanitë e caktuara ose nga format tjera, të cilat bëhen për shkak të neglizhencës. Në rast se nuk ka mjete për të paguar duhet të hyjë në marrëveshje me kompani të caktuara dhe të mos ketë dëmtime të buxhetit”, ka theksuar në mes tjerash Hadërgjonaj.

Për 53 milionët e Qeverisë të ndarë për kompaninë “Bechtel Enka” ende nuk është bërë publike kontrata, për t’i zhdukur dyshimet e ngritura deri më tani.

Ndonëse ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj në konferencë për medie më 8 qershor premtoi se do të ofrohet dokumentacioni i nevojshëm, ende nuk është bërë publike kontrata, përveç disa letërshkëmbimeve mes Qeverisë e “Bechtel Enkas”.

Këtë neglizhencë e ka quajtur papërgjegjshmëri të Ministrisë menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi-Krasniqi.

“Sa i përket mosdhënies së përgjegjësisë mund të them se është papërgjegjësi e Ministrisë të mos e mbajë premtimin e dhënë nga vetë ministri më datën 8 qershor 2018 gjatë konferencës për medie në zyrat e MI-së”, ka deklaruar shkurt ajo.

Ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës nuk flasin për këtë çështje, pavarësisht insistimit në telefon dhe pyetjeve të përcjella në adresën zyrtare.

Mushkolaj: Prokuroria ka arsye të mjaftueshme për hetime

Njohësit e rrethanave politike në vend po kërkojnë angazhimin e Prokurorisë për t’i evituar gabimet e Qeverisë në ndarjen e shumave milionëshe për kompani të caktuara.

Analisti i njohur, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se gjithë kjo është rezultat i papërgjegjshmërisë së qeverisjeve të njerëzve pa marrë parasysh qeverinë me të cilën kanë udhëhequr.

“Vetë ideja se po dëmtohet buxheti duke u paguar miliona pa nevojë tregon ata zyrtarë që kanë pasur për detyrë të menaxhojnë, qoftë zbatimin e kontratës, qoftë situata të ndryshme, janë treguar të papërgjegjshëm dhe për këtë duhet të japin përgjegjësi. Por fatkeqësisht, duke pasur parasysh se çështja e sundimit të ligjit në Kosovë është në nivel shumë të ulët nuk mund të presim që këta njerëz të japin përgjegjësi as penale e as politike”, është shprehur Mushkolaj.

Më tej ai ka theksuar se Prokuroria ka arsye të mjaftueshme për t’i nisur hetimet, meqenëse bëhet fjalë për shuma të mëdha.

“Unë besoj se Prokuroria ka arsye të mjaftueshme që t’i nisë hetimet dhe të sjellë vendim për shkak se bëhet fjalë për shuma të mëdha, të cilat besoj me një menaxhim më të mirë dhe me kujdes të shtuar do të mundë të evitoheshin, respektivisht do të mundë të ruheshin në buxhetin e Kosovës”, ka përfunduar Mushkolaj.

Ditë më parë në medie është publikuar një raport konfidencial, i cili ka treguar detajisht shumën prej 53 milionë eurosh të cilën e kërkoi kompania amerikano-turke “Bechtel Enka”.

Me 53 milionët janë paguar ushqime të personelit, vetura të papërdorura të kompanisë, makineri e sigurim i objekteve. Kompania “Bechtel Enka” është duke ndërtuar autostradën Prishtinë - Hani i Elezit, që pritet të lidhë Kosovën me Maqedoninë, kostoja e së cilës do të kushtojë rreth 700 milionë euro.