''ATK-ja për pesë muaj mblodhi 205 milionë euro''

Ekonomia June 21, 2018 - 08:31
Lexoni më shumë detaje

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri tha sot se trendët e të hyrave në ATK janë pozitiv.

Imeri bëri të ditur se në secilin muaj kanë tejkalim të planit, ndërkaq për pesë muaj të vitit 2018 kanë pasur 205 milionë euro të hyra.

“Në secilin muaj kemi tejkalim të planit. Kemi pasur 205 milionë euro të hyra për pesë muaj të vitit 2018”, tha ai.

Ndryshe, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, sot mbajnë konferencë të përbashkët, në të cilin do të prezantohen rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2017 lidhur me transparencën, efikasitetin, korrektësinë dhe shërbimet e ATK-së.

Imeri, tha se rezultatet e anketës tregojnë se ka kënaqshmëri të tatimpaguesve për shërbimet e ATK-së gjatë vitit 2017.

“Ky është studimi i dytë që po bëhet për të njëjta çështje për ATK-në. Zot do të bëhet prezantimi i të gjeturave, përparësive  dhe rekomandimet”, tha ai sot në RTK.

Ai bëri me dije se studimi i parë është realizuar në vitin 2015.

“Ky studim i ka katër kategori. Janë përfshirë 38 komunat e Kosovës dhe është gjithëpërfshirëse. Ka konstatime. Katër fusha janë që është bërë studimi si :transparenca, pjesa e dytë barra e pajtueshmërisë, këtu ka përparime dhe ka konstatime ku kemi ngecur si ATK, pjesa e tret është trajtimi korrekt i tatimpaguesve, në këtë fushë perceptimi është se ka rritje të profesionalizmit dhe pjesa e katërt është shërbimet e ATK-së”, tha ai.

Sipas tij, bizneset dhe qytetarët kanë njohuri për shërbimet e ATK-së. 

“Në të gjitha fushat ka rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve ndaj ATK-së. Pra jemi të kënaqur me rezultatet”, theksoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, tha se janë pesë raporte që vlerësojnë punën e suksesshme të ATK-së.

“Vlerësimi i FMN-së për punën e ATK-së, pastaj ai i  UNDP-së, raporti i Komisionit Evropian, i Bankës Botërore në raportin e të Bërit Biznes, ku Kosova në është vlerësuar në vendin e 40 në botë sa i përket tatimeve, dhe kjo e fundit e GIZ ku ka pasur katër fokus grupe”, deklaroi ai.

Shërbimet elektronike në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), kanë sjellë shumë elemente pozitive.

“Në vite më parë kemi lansuar këtë formë dhe ka qenë shumë e suksesshme për tu lehtësuar tatimpaguesve punën. Me këto forma elektronike do të eliminohen kontaktet fizike”, pohoi Imeri.