Dallaveret me punësim në komunën e Pejës

Ekonomia June 20, 2018 - 11:32
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Në Komunën e Pejës punësimet bëhen pa i përfillur procedurat ligjore. Kandidatët e pranuar në pozita të caktuara, nuk kanë as dëshmi të dokumentojnë se janë adekuat për pozitën e përzgjedhur. Madje, u mungon edhe diploma e shkollimit.

Por këto nuk janë të vetmet shkelje në komunën e Gazmend Muhaxherit. Të tilla, janë evidentuar edhe tek kategoria e pagesave. Nuk ofrohet as dëshmi për udhëtimet e tyre që pretendojnë se janë zyrtare, raporton Zëri.Info.

“Në dosjen e pagesës të datës 27/04/2017 në vlerë 6,441€ për shërbime të transportit kemi vërejtur se në kuadër të kësaj pagese fatura në vlerë 1,968€ ishte për pjesëmarrjen e drejtorëve të shkollave dhe profesorëve në seminarin e organizuar në Vlorë, megjithatë nuk kishte ndonjë kërkesë të aprovuar apo listë të stafit që kishte marrë pjesë në këtë seminar”, thuhet në raportin e auditorit.

Ky institucion, ka gjetur se në dy raste të punësimit nuk janë respektuar procedurat ligjore.

“Te konkursi Nr.04/01 i datës 05/01/2017 për pozitën “Mësues/e klase” kandidati i përzgjedhur nuk kishte dokumentuar përvojën e punës. Po ashtu për pozitën “Mësimdhënës nga lënda e biologjisë” kandidati i përzgjedhur nuk kishte dokumentuar trajnimet arsimore në përputhje me kriteret e kërkuara sipas konkursit”, theksohet tutje.

Për këto dhe shkelje të tjera, auditori ka dhënë një varg rekomandimesh. /ZËRI/