Sindikalistët po mbajnë peng 'Trepçën'

Ekonomia June 20, 2018 - 08:14
Lexo detajet

Shyqri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, si dhe njëherësh anëtar i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, është i vetmi anëtar që edhe më tutje po vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm Draftstatutin e “Trepçës”. Ai po këmbëngul që në të futet njohja e stazhit të viteve ’90-ta, pensioni familjar, pensioni i parakohshëm, por një gjë të tillë po e kundërshtojnë anëtarët tjerë të këtij Bordi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në fillim ishin ankuar se autoritetet serbe po pengojnë formimin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, pas formimit të tij janë pikërisht përfaqësuesit e punëtorëve që tashmë po e mbajnë peng gjigantit metalurgjik “Trepça”.

LEXO EDHE: Pesë kandidatë në listën e ngushtë për drejtor të Mjekësisë Ligjore

Shyqri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, si dhe njëherësh anëtar i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” është i vetmi anëtar që edhe më tutje po vazhdon të kundërshtojë fuqishëm Draftstatutin e “Trepçës”.

Ai po këmbëngul që në të futet njohja e stazhit të viteve ’90-ta, pensioni familjar, pensioni i parakohshëm, por një gjë të tillë po e kundërshtojnë anëtarët tjerë të këtij Bordi.

Këta të fundit po vazhdojnë të insistojnë se kërkesat e sindikalistëve duhet të trajtohen nga Qeveria e Kosovës njëjtë sikurse për institucionet tjera, por jo të futen në statut.

Madje jozyrtarisht anëtarë të Bordit Mbikëqyrës thonë se kërkesat e sindikalistëve janë të motivuara politikisht dhe janë duke dëmtuar në masë të madhe zhvillimin e këtij gjiganti metalurgjik.

Por pavarësisht kësaj kryesindikalisti Sadiku po paralajmëron se nëse nuk merren parasysh vërejtjet e tyre, ai ka paralajmëruar eskalim të situatës.

“Nëse nuk merren parasysh vërejtjet dhe kërkesat tona në lidhje me këtë Draftstatut, atëherë situata mund të eskalojë. Ligji për ‘Trepçën’ precizon se Draftstatutin duhet ta hartojë Bordi dhe jo Ministria e Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë Sadiku të martën për gazetën “Zëri”.

Syla: Statuti duhet sa më parë të kalojë në procedurat e parapara

Ardian Syla, kryesues i Bordit Mbikëqyrës së “Trepçës”, ka thënë se Bordi Mbikëqyrës që nga emërimi nga Qeveria e Kosovës ka mbajtur takime intensive lidhur me draftimin e statutit të ndërmarrjes që është një nga prioritetet për të vazhduar me regjistrimin e ndërmarrjes, ashtu siç është paraparë me Ligjin për “Trepçën”.

“Bordi Mbikëqyrës ka shprehur vullnetin që të përkrahen kërkesat e sindikatave lidhur me çështjet sociale, të cilat duhet të zgjidhen përmes institucioneve përkatëse. Çdo formë tjetër në këtë fazë pengon seriozisht procesin e mëtutjeshëm të konsidimit të ndërmarrjes së re. Statuti duhet sa më parë të kalojë në procedurat e parapara në mënyrë që t’i hapet rrugë regjistrimit të ndërmarrjes dhe të zhvillimit të saj”, ka thënë ai.

Paralajmërojnë grevë

Sipas tij, ekziston rreziku që të gjitha burimet përreth minierave në të ardhmen të mbeten jashtë këtij procesi, ngase nuk janë përfshirë në njësitë biznesore.

Sadiku ka shpjeguar edhe për kërkesat tjera të sindikalistëve, si Ligjin për Pensionet me 70 për qind të pagës nga 50 deri 55 vjet, Ligjin për Invalidë, sigurimin shëndetësor. Sipas Sadikut, nëse Draftstatuti nuk kalon në këtë formë çfarë është, atëherë ky do të jetë fundi i “Trepçës”.

“Ne kemi dorëzuar edhe dy draftstatute në MZHE, ku Qeveria nuk i ka marrë për bazë vërejtjet e kërkesat tona dhe ka miratuar një draft që ka shkuar në Komisionin Parlamentar. Kërkesat tona janë nga Neni 6 i Ligjit, ku parashihen burimet përreth minierave të cilat nuk i kanë futur në njësitë biznesore. Ne jemi të rrezikuar që të gjitha këto burime të cilat janë të hulumtuara nga ‘Trepça’ që në të ardhmen të mbeten jashtë këtij procesi ose jashtë këtij Draftstatuti. Gjithsesi janë edhe kërkesat e minatorëve, si Ligji për Pensionet me 70 për qind të pagës, mosha 50 deri 55 vjet, Ligji për Invalidë, stazhi i punës të numërohet prej vitit 1989-1999, të numërohet stazhi i beneficuar, sigurimi shëndetësor dhe në punë, si dhe trashëgimia e pensionit familjar. Po besoj se nëse kalon ky Draftstatut me këto njësi biznesore, me vetëm minierën e Stan Tërgut dhe minierën e Artanës e të Kishnicës mendoj se ky do të jetë fundi i ‘Trepçës’, sepse ajo ka diku rreth 27 objekte. Nëse nuk merren për bazë këto kërkesa të cilat janë jetike për minatorët situata do të eskalojë, do të shkohet në grevë të përgjithshme ose protestë në rrugë para Qeverisë në Prishtinë”, ka siguruar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.

Sipas Sadikut, Qeverisë i është dhënë afat deri të hënën që statuti t’i përfshijë kërkesat e minatorëve të “Trepçës”, derisa ka siguruar se nëse ato nuk plotësohet atëherë nga e hëna do të fillojë greva e përgjithshme ose do të fillohet me protesta në rrugë.

Hyseni: Ka pasur mospajtime brenda Bordit

Në anën tjetër ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hyseni, i tha “Zërit” të martën se papajtueshmëria lidhur me kërkesat e punëtorëve që të futen në Draftstatutin e “Trepçës” kanë qenë kryesisht në mes të anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës.

Ai sqaroi se nuk janë përfillur kërkesat e përfaqësuesit të punëtorëve në Bord, Shyqyri Sadiku, para së gjithash kërkesa për zgjidhjen e çështjeve sociale të punëtorëve të “Trepçës”. 

“Statutin e harton Bordi, por në mes vetë anëtarëve të Bordit ka pasur mospajtime. Nuk janë përfillur kërkesat e përfaqësuesit të punëtorëve e i cili është kryetar i SP-së, Shyqyri Sadiku. Punëtorët e ‘Trepçës’ kërkesat e tyre për t’i përfshirë në statut i kanë adresuar nëpërmes Sadikut”, ka thënë Hyseni.

I pyetur nëse në gjithë këtë ka politikë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hyseni, tha se ai nuk e di nëse në këtë punë ka politikë, por ka sqaruar se menaxhmenti i “Trepçës” nuk po mund të punojë për shkak të këtyre problemeve.

“Ne kemi shumë probleme për t’i zgjidhur, kemi teknologjinë tepër të vjetruar, nuk ka asnjë investim në ‘Trepçë’ dhe ne në vend që të punojmë për ta shtuar prodhimin po përballemi me probleme që kanë mundur qëmoti të tejkalohen. Çështjet sociale të punëtorëve nuk do të duhej të ishin tani problem, për të cilin punëtorët detyrohen të bëjnë grevë ose të protestojnë”, tha Hyseni për “Zërin” të martën.

Ai tha gjithashtu se një nga çështjet që duhet patjetër të definohet edhe me Draftstatut është vetëm një “Trepçë”, jo që ajo të ndahet në jug dhe në veri.

“Ne jemi zotuar, edhe në Bord që ‘Trepça’ të jetë një, jo t’i kemi dy ‘Trepça’, veri dhe jug, sepse nuk janë dy. ‘Trepça’ është unike, është e Qeverisë dhe e shtetit të Kosovës, pavarësisht orekseve të serbëve të veriut dhe të shtetit të Serbisë, të cilët vazhdojnë ta cilësojnë ‘Trepçën’ pronë të tyre”, ka përfunduar ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hyseni.