Pesë kandidatë në listën e ngushtë për drejtor të Mjekësisë Ligjore

Ekonomia June 20, 2018 - 08:03
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) Arsim Gëxhaliu, Mursel Morina, Mustafë Shala, Naim Uka dhe Musa Gashi janë pesë kandidatët të cilët kanë arritur të futen në listën e ngushtë për të parin e IML-së. Komisioni pritet që së shpejti ta caktojë datën e intervistimit të pesë kandidatëve më të suksesshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pas dështimit të disahershëm të konkursit për drejtor të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) Komisioni Vlerësues në Ministrinë e Administratës Publike ka arritur ta bëjë përzgjedhjen e pesë kandidatëve më të suksesshëm, të cilët i ka futur në listën e ngushtë për të parin e IML-së.

LEXO EDHE: 'Uniteti' punësoi 20 punëtorë pa konkurs

Nga gjithsej dhjetë kandidatë sa kishin aplikuar për këtë pozitë, Komisioni Vlerësues fillimisht kishte përzgjedhur vetëm tre kandidatë si më të suksesshmit, ushtruesin aktual të detyrës së drejtorit të IML-së Arsim Gërxhaliun dhe dy kandidatët e tjerë, Mursel Morina dhe Mustaf Shala.

Mirëpo pak ditë më vonë kësaj liste i ishin shtuar edhe dy kandidatë të tjerë, Naim Uka dhe Musa Gashi, pas ankesës që këta të dy kishin bërë në Komisionin për Ankesa, i cili pas shqyrtimit të ankesave ka vlerësuar se dy kandidatët i plotësonin kriteret për të qenë pjesë e listës së ngushtë.

Pavarësisht shkeljeve që janë evidentuar në këtë konkurs me eliminimin e dy kandidatëve, edhe pse të njëjtit i plotësonin kriteret, zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike pohojnë se nuk do të ketë rishpallje të konkursit.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike, Arton Berisha, ka thënë se shumë shpejt Komisioni pritet ta caktojë datën e intervistimit të pesë kandidatëve.

“Komisioni Vlerësues ka selektuar fillimisht 3 emra (Arsim Gerxhaliun, Mursel Morinën dhe Mustaf Shalën) për listë të ngushtë. Dy kandidatë të pakënaqur kanë bërë ankesa për mospërfshirje në listën e ngushtë. Komisioni për ankesa i ka gjetur si të bazuara ankesat e tyre dhe i ka rekomanduar që të përfshihen në listë të ngushtë. Aktualisht janë 5 persona që presin të intervistohen dhe koha e intervistës caktohet nga Komisioni”, është shprehur Berisha.

Njëri nga kandidatët për të parin e IML-së, mjeku ligjor Naim Uka, beson se më nuk do të përsëriten gabime të tilla. 

Uka: Besoj që përzgjedhja do të bëhet pa shkelje ligjore dhe pa anime politike

Ai tregon se edhe pavarësisht faktit se i plotësonte kriteret e kërkuara në konkurs, duke përfshirë edhe përvojën menaxheriale, ishte eliminuar nga gara.

Mirëpo pasi kishte pranuar vendimin me shkrim nga Komisioni Vlerësues për pozitën e drejtorit të IML-së kishte bërë ankesën, e cila pas verifikimit ishte aprovuar nga Komisioni i Ankesave.

“Komisioni i Ankesave ka rekomanduar që emri im të futet në listën e ngushtë, duke qenë se kriteret e kërkuara në konkurs janë plotësuar ligjërisht. Procedurat e mëtutjeshme në këtë konkurs varen nga interpretimet ligjore të ekspertëve të fushës juridike”, është shprehur Uka.

Sipas tij, është koha e fundit që dikush nga zyrtarët kompetentë të Qeverisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë ta kthejë vëmendjen nga ky Institut dhe të ndihmojë në zhvillimin e tij.

Uka beson se përzgjedhja e kreut të IML-së do të bëhet pa shkelje ligjore dhe pa anime politike. 

“Nuk besoj që mund të ketë shkelje ligjore ose anime partiake nga Komisioni, i cili do të formohet për intervistim, pasi që është hera e tretë që një konkurs përsëritet pothuajse me kandidatët e njëjtë. Sinqerisht shpresoj që do të zgjidhet kandidati më i mirë që do të sillte risi dhe zhvillim të Institutit të Mjekësisë Ligjore duke u bazuar në standardet evropiane mjeko-ligjore”, ka thënë Uka. 

Gërxhaliu: U bë gati një vit që po shtyhet ky proces, shumë gjëra kanë mbetur peng

Ushtruesi i detyrës së drejtorit aktual të këtij Instituti, Arsim Gërxhaliu, pohon se nuk është njoftuar se është njëri nga kandidatët e futur në listën e ngushtë për këtë pozitë.

Ai ka shtuar se tashmë beson se s’ka më arsye për shtyrje të këtij procesi, sepse sipas tij është bërë gati një vit që kjo çështje po zgjat.

Gërxhaliu u shpreh se shumë gjëra që duhet të ecin para kanë mbetur peng i këtij procesi.

“Për të mirën e IML-së lutem që të përfundojë dhe të zgjidhet drejtori. Sa i përket përzgjedhjes nga Komisioni, unë nuk di kush është përzgjedhur dhe çfarë dokumentesh kanë dorëzuar. Me rëndësi le të përfundojë ky konkurs, se IML-ja duhet të ecën në hap me projektet që janë fituar, duke përfshirë projektin e BE-së, IPA II, të cilët veç janë stacionuar në këtë Institut, si dhe çështja e kompetencave që tash duhet të merren në EULEX”, ka thënë Gërxhaliu.

Dy konkurset e tjera ishin anuluar nga ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, sipas të cilit nuk kishte kandidatë të mjaftueshëm për këtë pozitë dhe për këtë ishte shkuar në ripërsëritje të konkursit.

Konkursi i parë për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo i njëjti ishte anuluar me arsyetimin se vetëm njëri nga gjashtë kandidatët i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë.

Garës për të parin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në konkursin e parë i kishin hyrë vetëm 6 kandidatë.

Numri i të interesuarve për këtë pozitë, i krahasuar me dy herët e para, ishte rritur në konkursin e tretë.

Në këtë konkurs, i cili është mbyllur në maj të këtij viti, kishin aplikuar dhjetë kandidatë, duke përfshirë Arsim Gërxhaliun, ushtrues aktual i detyrës së drejtorit në këtë Institut, Musa Gashin, Arben Selimin, Arben Eminin, Driton Krasniqin, Naim Ukën, Mustafë Shalën, Mursel Morinën, Arber Kutllovcin dhe Nagip Tahirin.