'Uniteti' punësoi 20 punëtorë pa konkurs

Ekonomia June 20, 2018 - 07:56
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se kompania regjionale e mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë gjatë vitit 2017 kishte punësuar 20 punëtorë pa shpallur konkurs fare. Dhjetë prej tyre ishin punësuar me marrëveshje të veçanta, derisa 10 të tjerë në pozita të rregullta, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Punësime pa konkurs, por edhe plot shkelje të tjera ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për kompaninë regjionale të mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë gjatë vitit 2017.

Sipas Nenit 8 të Ligjit të Punës, çdo punëdhënës në sektorin publik është i obliguar të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punonjës dhe themelon një marrëdhënie të punës.

LEXO EDHE: Anëtari i Agjencisë së Akreditimit reklamon kolegjin privat

Por, vetëm gjatë vitit 2017 kompania kishte pranuar 20 punëtorë, prej tyre 10 janë për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje tremujore (punëtorë fizikë), ndërsa 10 të tjerë janë për pozita të rregullta (zyrtarë të burimeve njerëzore, mbikëqyrës në shërbimin operativ, menaxherë transporti, vozitës) pa shpallje të konkursit publik.

Kjo për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme menaxheriale dhe në njësinë e burimeve njerëzore.

“Punësimi i punëtorëve pa shpallje të konkursit krijon papajtueshmëri ligjore dhe mungesë transparence, gjithashtu rrit rrezikun e mospërzgjedhjes së punonjësve më të mirë të mundshëm, që do të ndikonin në rritjen e performaces së kompanisë. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se janë marrë masat e nevojshme për zbatimin e procedurave të rekrutimit përmes shpalljeve të konkurseve për pranimin e punëtorëve në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e ligjit të punës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

1.3 milion euro borxh Administratës Tatimore

Më shumë se 1.3 milion euro ka arritur shuma e borxheve që s’ia ka paguar kompania regjionale e mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë deri në fund të vitit që lamë pas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se ka trend të rritjes së obligimeve të papaguara ndaj ATK-së.

“Në vitet e fundit kishte rritje të borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) si pasojë e mospagesës së obligimeve ndaj ATK-së nga vitet paraprake për të punësuarit në kompani. Gjithsej obligimet e papaguara, duke përfshirë edhe TVSH-në, deri në fund të vitit 2017 ishin si në vijim: Obligimet e papaguara për kontribute ndaj ATK-së deri më 31.12.2017 ishin 1.365.202 €, nga kjo shumë 105.969 € ishin për vitin 2017”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se sipas Ligjit nr. 4/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, (Nenit 6.3) Punëdhënësi zbret kontributin pensional të punonjësve nga rrogat e punonjësve dhe e bart në llogarinë e posaçme të fondit bashkë me kontributin e punëdhënësit në afatin e duhur në përputhje me rregullat e ATK-së.

“Obligimet e papaguara për tatimin në burim deri në fund të vitit 2017 ishin 471.166 €, nga kjo shumë 40.658 € ishin për vitin 2017. Sipas Nenit 6 të Ligjit nr. 05/L–028 për Tatim në të Ardhura Personale, secili punëdhënës është përgjegjës ta mbajë në burim tatimin nga pagat e tatueshme të paguara të punëtorëve të tij. Obligimet e papaguara për TVSH deri në fund të vitit 2017 ishin 646.994 €, nga kjo shumë 20.355 € ishin për vitin 2017 dhe obligimet nga deklarimet vjetore deri në fund të vitit 2017 ishin 83.170 €, nga kjo shumë 830 € ishin për vitin 2017”, thuhet më tutje në raport.

Auditori më tutje ka konstatuar se faktor kryesor që ka ndikuar në rritjen e obligimeve (borxhit) ndaj ATK-së ishte gjendja jo e mirë financiare e kompanisë.

Sipas Auditorit, mospagimi i borxheve me kohë ndaj ATK-së krijon detyrime shtesë për vonesa të pagesave dhe interesa, të cilat shkaktojnë në vazhdimësi rritje të këtyre borxheve.

“Kryesuesi i Bordit duhet t’i marrë masat e menjëhershme për shlyerjen e obligimeve ndaj ATK-së dhe sipas nevojës të hyjë në marrëveshje për programimin e shlyerjes së këtyre borxheve”, ka rekomanduar Auditori.

Furnizime pa procedura të prokurimit

Sipas Auditorit, ndërmarrjet publike me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve kanë për obligim që t’i respektojnë të gjitha procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). Kompania kishte përgatitur planin e prokurimit për vitin 2017. Në këtë plan kishte paraparë 23 aktivitete të prokurimit me vlerë të parashikuar 733.039 €. Ndërsa gjatë vitit 2017 ishin nënshkruar vetëm 6 kontrata në vlerë të përbashkët prej 19.025 €.

“Ne kemi vërejtur që kompania nuk kishte respektuar procedurat e prokurimit me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve gjatë vitit aktual. Kompania kishte vazhduar të furnizohet me kripë industriale për mirëmbajtjen e rrugëve me çmim për njësi 85 €, totali i furnizimeve për këtë kontratë bëhet varësisht prej kërkesës prej 25.000 € deri në 30.000 €. Këto veprime nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 4.2 të LPP-së. Zbatimi i pritur i procedurave të prokurimit nuk ishte arritur për shkak të mungesës së funksionimit të duhur të kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes efektive nga menaxhmenti për furnizimet që kërkojnë procedura të prokurimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se moszhvillimi i aktiviteteve të planifikuara të prokurimit dhe furnizimet duke anashkaluar procedurat e prokurimit rrisin rrezikun që shpenzimet e fondeve publike për blerje të përdoren në mënyrë joekonomike dhe joefikase, gjithashtu duke e shmangur transparencën dhe konkurrencën e tregut.

“Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë që shpenzimet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve bëhen në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e LPP-së për ta arritur shfrytëzimin efikas dhe transparent të parasë publike, si dhe realizimin e aktiviteteve sipas planit të prokurimit për përmbushjen e nevojave dhe të obligimeve të kompanisë”, ka rekomanduar ZKA-ja.

138 mijë euro paradhënie

Nga shqyrtimi i dokumentacionit ZKA-ja ka identifikuar pagesa të konsiderueshme si paradhënie për paga për një numër të punonjësve gjatë vitit 2017 në shumë të përgjithshme prej 138.693 €. Ndërsa nga ana tjetër menaxhmenti i kompanisë nuk kishte arritur t’i paguajë rregullisht pagat e një pjese të punëtorëve.

Vonesat për pagimin e pagave ishin për disa muaj, po ashtu pagat ishin paguar pa aprovim për pagesë nga kryeshefi i kompanisë. Kjo për shkak të menaxhimit dhe kontrolleve të brendshme të dobëta.

“Mospagesa e pagave të rregullta mujore për disa të punësuar dhe dhënia e pagave si paradhënie për disa të tjerë krijon trajtim jo të barabartë ndaj punonjësve. Pagesa e pagave pa aprovim për pagesë nga zyrtarët kompetentë rrit rrezikun e gabimeve dhe të keqpërdorimeve. Kjo mënyrë e menaxhimit të të punësuarve rrit rrezikun për performancë të dobët dhe ballafaqim me situata të procedurave ankimore dhe ndëshkuese ndaj kompanisë. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë funksionimin dhe rregullimin e sistemit për pagat e punonjësve, duke krijuar një trajtim të njëjtë ndaj të gjithë punonjësve. Po ashtu të ndërmarrë masa për realizimin e pagave mujore me kohë për të gjithë punonjësit dhe që aprovohen nga zyrtarët kompetentë. Gjithashtu të ndalet praktika e paradhënies së pagave ndaj punonjësve”, thuhet në raportin e Auditorit.

Mosfunksionimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm

Sipas ZKA-së, Njësia e Auditimit të Brendshëm (NJAB) në “Unitet” nuk ishte funksionale që nga viti 2014, pasi që kompania nuk ka arritur ta plotësojë pozitën e auditorit të brendshëm.

Kompania gjatë vitit 2017 kishte shpallur tri herë konkurs për plotësimin e pozitës për auditor të brendshëm dhe në mungesë të kandidatëve të kualifikuar sipas kërkesave të konkursit nuk ka arritur ta plotësojë këtë pozitë.

Mosfunksionalizimi i NJAB-së ul nivelin e sigurisë që i ofrohet menaxhmentit për funksionimin e kontrollit të brendshëm në kuadër të kompanisë. Kjo mund të rezultojë me çështje të paidentifikuara që kanë ndikime në menaxhimin e fondeve dhe të pasurive të kompanisë.

“Mosfunksionimi i NJAB-së rrit rrezikun që për shkak të kompleksitetit dhe madhësisë së kompanisë menaxheret e lartë të kenë vështirësi t’i kontrollojnë proceset dhe veprimtarinë e saj në mënyrë efektive. Kjo mund të rezultojë me dobësi të paidentifikuara dhe me vazhdimin e praktikave joefektive, që mund të përfundojnë me humbje financiare për kompaninë. Kryesuesi i Bordit duhet ta sigurojë funksionimin e kompanisë në mënyrë efektive dhe për ketë duhet ta themelojë dhe ta vërë në funksion NJAB-në sipas përcaktimeve ligjore për të ndihmuar menaxhimin në arritjen e qëllimeve dhe të objektivave të kompanisë”, thuhet në raport.

Dobësi në kontrollet menaxheriale dhe në menaxhimin e rreziqeve

Auditori ka gjetur se si pasojë e kontrolleve të dobëta menaxheriale disa nga objektivat e planit nuk janë arritur. Procedurat e prokurimit të filluara me vonesë dhe jashtë planit, vlerësimi i dobët i nevojave, mbikëqyrja e pamjaftueshme, ndarja e detyrave jo e mjaftueshme, mosrivlerësimi i pasurive dhe mungesa e planit të amortizimit të pasurive, si dhe mosfaturimi për minoritete nuk ishin trajtuar me kohë dhe në mënyrën e duhur nga ana e menaxhmentit.

Sipas ZKA-së, kompania gjithashtu nuk posedon ndonjë regjistër i cili identifikon rreziqet e ndryshme, që mund t’i kërcënojnë aktivitetet e saj. Këto kanë ndodhur shkaku i llogaridhënies dhe kontrolleve të brendshme jo të mjaftueshme.

“Kërkesat e dobëta të llogaridhënies dhe raportimi financiar i cilësisë së ulët reduktojnë efektivitetin e menaxhimit financiar. Kjo rezulton me dobësi në procesin e buxhetit dhe e zvogëlon aftësinë e menaxhmentit për të reaguar ndaj sfidave financiare me kohë. Po ashtu kjo ul efektin e kontrolleve buxhetore dhe rrit rrezikun për shpenzime të parregullta. Rrjedhimisht kjo mund të rezultojë edhe me ofrimin e shërbimeve jocilësore. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se është kryer një rishikim për ta përcaktuar formën e raportimit financiar dhe operativ te menaxhmenti i lartë. Gjithashtu duhet të hartojë një plan, i cili do të identifikojë të gjitha rreziqet e mundshme, të vlerësojë ndikimin e tyre në rast se ato ndodhin, si dhe të përcaktojë masat parandaluese dhe ato të mëvonshme si përgjigje ndaj tyre”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ndarje jo e duhur e detyrave - mungesë e zyrtarit certifikues

Sipas Nenit 14 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ndërmarrja publike duhet të ketë zyrtarin certifikues.

Zyrtari certifikues është përgjegjës të sigurojë që kushtet e zbatueshme të një kontrate publike janë përmbushur para bërjes ose autorizimit të pagesave sipas kontratës.

Kompania nuk kishte caktuar zyrtar certifikues për autorizimin e pagesave dhe në mungesë të tij aprovimin e pagesave e kishte bërë kryeshefi ekzekutiv.

Mungesa e zyrtarit certifikues ka rezultuar me dobësi në menaxhimin e shpenzimeve. Kontrollet menaxheriale të zbatuara në sistemin e menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm nuk kanë identifikuar delegim dhe ndarje të duhur të detyrave.

Sipas ZKA-së, mungesa e zyrtarit certifikues redukton nivelin e sigurisë së sistemit të kontrollit në realizimin e pagesave dhe rrit rrezikun e pagesave në mënyrë jo të rregullt dhe me gabime.

“Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë marrjen e masave të nevojshme për plotësimin e pozitës me zyrtar certifikues konform kërkesave ligjore dhe ndarje të duhur të detyrave. Kjo duhet të bëhet për ta forcuar sistemin e kontrollit të brendshëm për menaxhimin e parasë publike”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Realizimi jo i duhur i planit të biznesit

Në bazë të analizës që ZKA-ja ia ka bërë planit të biznesit dhe realizimit të këtij plani rezultoi se kompania nuk kishte bërë analiza të mjaftueshme dhe të sakta për identifikimin e nevojave reale të saj.

Në planin e biznesit ishin paraparë: pagesat e rregullta të punëtorëve për paga dhe kontribute pensionale, zvogëlimi i shpenzimeve të derivateve (shpenzimet e derivateve me të larta krahasuar me vitin paraprak, 81.711 €), zëvendësimi i automjeteve të vjetruara (këto investime ishin paraparë nga subvencionimi i Qeverisë ose ndonjë investitor tjetër) dhe investimet e tjera kapitale, të cilat nuk i ka realizuar.

“Për më shumë, gjatë vitit 2017 nuk ishin realizuar aktivitetet e planifikuara sipas planit të prokurimit, përderisa kompania ishte furnizuar pa kontrata. Përmbajtja e këtij plani nuk reflekton mundësitë reale të kompanisë. Kjo për shkak se gjatë hartimit të planit të biznesit nuk kishte marrë parasysh sfidat buxhetore dhe nuk kishte ushtruar kontrolle të mjaftueshme gjatë përgatitjes së planit. Moshartimi i planit të biznesit i bazuar në mundësitë reale të kompanisë rrit rrezikun që në fakt këto synime të mos realizohen në periudhën përkatëse. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë hartimin e planit të biznesit duke u bazuar në mundësitë reale të kompanisë me qëllim të realizimit të synimeve afariste të saja dhe ndryshimet ose devijimet e mëdha nga plani fillestar të reflektohen në një plan të rishikuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.