Serbia po pengon bashkëpunimin energjetik Kosovë - Shqipëri

Ekonomia June 19, 2018 - 09:36
Mësoni më shumë shumë detaje

Humbje milionëshe po i shkaktohen Kosovës nga moszbatimi i Marrëveshjes për Energji nga Serbia. Si rezultat i kësaj Kosova po vazhdon të mbahet peng nga shteti serb edhe në planet zhvillimore në sektorin energjetik me shtetet fqinje, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vetëm pse Serbia nuk po pranon të zbatojë Marrëveshjen për Energji, të nënshkruar me Kosovën para pesë vjetësh në Bruksel, vendi po ballafaqohet edhe me situata jo të lakmueshme në frymën e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Për këtë problem u alarmua në edicionin e dytë të forumit ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin energjetik midis Shqipërisë dhe Kosovës, roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”, të organizuar në mes të dyja vendeve.

Krijimin e një tregu të përbashkët energjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës po e pengon pikërisht Serbia, e cila nuk po zbaton Marrëveshjen e Interkoneksionit me Kosovën. Kështu është shprehur në këtë forum ndërkombëtar ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka.

“Në problemin që e kemi me Serbinë është mosimplementimi i Marrëveshjes së Interkoneksionit me Serbinë, ku integrimi i tregjeve i të të dyja vendeve dhe përfshirja e KOSTT-it në bursën shqiptare të energjisë pika kritike është zgjidhja e problemit me Serbinë. Kemi lëvizur përpara, po presim që deri në fund të këtij viti Kosova të jetë bllok i pavarur energjetik", ka theksuar në mes tjerash ministri Lluka, shkruan më tutje "Zëri".

Lluka në prezantimin e arritjeve të Kosovës në sektorin energjetik ka përmendur edhe marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, të nënshkruar me kompaninë "Contour Global", si dhe Ligjin për Efiçiencë, i cili parasheh kursimet e Kosovës.

"E kemi kaluar në Qeveri Ligjin për Efiçiencë të Energjisë, i cili parasheh kursimet që duhet të bëjë Kosova. Rreth 20 objekte publike janë ndryshuar me një kredi nga Bannka Botërore. Integrimi i tregut dhe bursa për energji mes Kosovës dhe Shqipërisë është arsyeja pse jemi këtu", ka thënë ministri Lluka.

Ai ka treguar se ideja është në krijimin e një tregu sa më konkurrues në rajon. Derisa ka përmendur tutje edhe efektet e kësaj marrëveshjeje të përbashkët, në mes tyre përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe rritjen e volumit të shkëmbimeve bashkë me rritjen e të hyrave.

Shqipëria, optimiste për tregun e përbashkët

Për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik përfaqësues nga Shqipëria po shprehen tejet optimistë. Këtë bindje e ka shprehur Dorina Cinari, zëvendësministre në Ministrinë e Energjisë dhe të Infrastrukturës së Shqipërisë, ndonëse ishte paralajmëruar me agjendë që pjesëmarrës të ishte vetë ministri i këtij Dikasteri, Damian Gjinkuri.

Zëvendësministrja Cinari ka deklaruar se kanë marrë angazhime serioze në rritjen e kapaciteteve gjeneruese të sektorit energjetik.

“Ne kemi marrë angazhime serioze në rritjen e kapaciteteve gjeneruese. Po punojmë në sigurimin e energjisë elektrike, themelimi i bursës së energjisë, grupet teknike po punojnë. Shqipëria ka 6 linja të interkoneksionit me vendet fqinje”, ka theksuar ajo.

Ndërsa përfaqësues nga Norvegjia u kanë bërë thirrje të dyja vendeve që të përshpejtojnë krijimin e tregut të përbashkët. Ky apel është bërë nga Hans-Arild Bredesen, përfaqësues i Norvegjisë për sektorin energjetik, i cili ishte pjesëmarrës në organizimin e këtij forumi ndërkombëtar.

“Ju keni qenë të parët dhe ju si fqinjë duhet ta shpejtoni këtë proces, përshpejtoni përparësitë që i keni”, ka rekomanduar përfaqësuesi norvegjez.

Kosovës po i kushtojnë shumë moszbatimet e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga pala serbe.

30 milionë euro në vit humb vendi vetëm pse Serbia nuk po e zbaton Marrëveshjen për Energji, të nënshkruar para 5 vjetësh. 

Për të njëjtën çështje para disa javësh kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ishte i ftuar edhe në interpelancë para deputetëve të Kuvendit për të raportuar lidhur me këtë problem.

Haradinaj kishte treguar se nuk ka kthim mbrapa nga kjo marrëveshje, përveç gjetjes së ndonjë alternative për të dalë nga kriza.

“Jemi tani në momentin më final, me diçka që jemi mburrur se kemi arritur diçka në dialog. Marrëveshja për Energji nga pala serbe nuk është zbatuar, pavarësisht kësaj ajo është bojkotuar. Motivi është shumë i thjeshtë dhe i qartë, ata fitojnë 30 milionë euro të pastra nga ne brenda vitit. Kosova tani nuk ka kthim mbrapa në këtë proces përpos ta gjejë një dalje nga kjo gjendje. Por kjo mund të marrë një muaj, dy ose tre”,  kishte thënë kryeministri në interpelancë.

Marrëveshja për Energji në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte nënshkruar në Bruksel në vitin 2013.

Lluka paralajmëron aktivizimin e bursës së energjisë

Bursa e përbashkët e energjisë shërben për të vendosur një çmim referent në tregun vendor, i cili mundëson likuiditet më të madh dhe zhvillim të konkurrencës në treg, ndërsa bashkimi i tregut të energjisë Kosovë - Shqipëri ndikon në mirëqenien ekonomike të të dyja vendeve dhe do të sjellë përfitime për to, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri sot gjatë forumit të dytë ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës - Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”, i cili u mbajt në Prishtinë nën organizimin e “AlbKonfindustria” me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, ndërsa morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sektorit të energjisë, USAID-i, TKE-ja, etj.

Duke folur për këtë proces Lluka tha se të dyja palët janë duke punuar në implementimin e Udhërrëfyesit për Integrimin Energjetik Evropian.

“Janë nënshkruar dy marrëveshje të mirëkuptimit, një në vitin 2014 për integrimin e tregut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe një marrëveshje tjetër është nënshkruar në vitin 2017 për krijimin e bursës energjetike”, tha ai.

Sipas tij, në këtë bursë energjetike do të jetë aksionare OSHE-ja dhe KOSTT-i, por u lihet hapësirë edhe operatorëve të tjerë që duan të jenë pjesë e saj.

Për këtë është formuar një grup i përbashkët, i cili është duke punuar në aktivizimin e këtij projekti të rëndësishëm për vendin. /ZËRI/