Asnjë kompani në Zonën Ekonomike në Frashër

Ekonomia June 18, 2018 - 09:40
Mësoni më shumë shumë detaje

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri në një takim me përfaqësues të bizneseve, që kanë përfituar pronë në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër, ka thënë se të gjithë atyre që nuk u përmbahen premtimeve dhe kontratave do t’u merret prona e dhënë në ZLR në Frashër. Bahtiri premton se projekti në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër do të përfundojë në vitin 2019, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Asnjë kompani deri më tani nuk ka filluar të punojë në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës.

Madje fabrikat që kanë përfituar tokë në këtë zonë nuk kanë filluar as të ndërtohen, përveç asaj “Bunjamini” të Mitrovicës, e cila ka filluar të ndërtojë në shtatorin e vitit 2016.

Por, edhe Komuna e Mitrovicës ka ngecur në ndërtimin e infrastrukturës bazike, pasi që përveç rrymës në Zonën e Lirë Ekonomike ende nuk ka ujë, ndërsa edhe rruga nuk është asfaltuar në tërësi, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: S’ka barna, anulohen operacionet në Klinikën e Urologjisë

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka takuar përfaqësuesit e kompanive që kanë përfituar tokë në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër për të biseduar me gjendjen aktuale, në veçanti për infrastrukturën, pa të cilën edhe nuk mund të kryhet asnjë punë e as të funksionalizohet Zona Ekonomike.

Bahtiri tha se ka dashur të takohet me pronarët e bizneseve përfituese për të vlerësuar gjendjen reale në hapësirën e Zonës Industriale, për të mësuar nga ata se ku qëndrojnë me investimet e premtuara për realizim në tokën komunale që u është dhënë nga Komuna, si dhe për të parë se cilat janë pengesat ose problemet eventuale dhe çka mund të bëjë Komuna për ta.

LEXO EDHE: 1 milion euro humbje nga keqmenaxhimi i kredive shtetërore

“Unë sa u përket obligimeve të Komunës lidhur me Zonën Industriale mund t’ju them se kemi punuar mjaft dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale që ato t’i kryejmë sa më shpejt. Deri më tani në Zonë e kemi sjellë rrymën elektrike, këto ditë do ta sjellim edhe ujin, një pjesë e rrugës është asfaltuar, ndërsa që do të asfaltojmë edhe tërë rrugën përreth hapësirës ku do të vendosen bizneset”, siguroi kryetari Bahtiri.

Ai shtoi se është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për të gjetur fonde për rrumbullakimin e infrastrukturës në këtë zonë.

“Jam i bindur se projekti i Zonës Industriale në Frashër do të përfundojë në tërësi në vitin 2019”, tha kryetari Bahtiri.

Në anën tjetër, pronarët e bizneseve që kanë përfituar tokë komunale në Zonën Industriale prej 47 hektarësh në Frashër treguan për projekte që kanë planifikuar t’i realizojnë aty.

Ata siguruan se tashmë kanë siguruar edhe mjetet financiare për të filluar me ndërtimet në këtë, në të cilën deri më tani janë vendosur ose që kanë marrë tokë 21 biznese, kryesisht vendore.

Madje disa sish thanë se tashmë i kanë filluar punimet për ndërtimin e objekteve, ndërsa disa të tjerë u zotuan se do t’i fillojnë ato në gusht ose më së largu në fillim të shtatorit të këtij viti.

Kryetari Bahtiri u inkurajua me zotimet e biznesmenëve se do t’i realizojnë projektet në bazë të të cilave edhe kanë përfituar pronë komunale, por gjithashtu i siguroi se nëse nuk i mbajnë premtimet, atëherë toka komunale do t’u merret.

Ndryshe, në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës nuk është realizuar asnjë investim i jashtëm, ndonëse disa kompanie të huaja patën shprehur interesimin për të investuar në Mitrovicë.

Kompania që pati premtuar të investojë në Mitrovicë, kompania suedeze-amerikane “Green 3Power”, është tërhequr, ndonëse Komuna e Mitrovicës ia kishte ndarë 10 hektarë të tokës në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike.

Kompania ishte planifikuar t’i investonte 45 milionë euro, por në momentin e fundit kompania suedeze-amerikane ishte tërhequr nga investimi.

Edhe një kompani tjetër e huaj kishte shprehur interesimin për të investuar në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës, por edhe ajo ishte tërhequr pasi i ishte ndarë trualli në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër me arsyetimin se Komuna e Mitrovicës nuk i ka përmbushur obligimet ndaj kompanisë.