Ekonomia

Me moton “Jo shpejtësisë, po sigurisë”, përurohet segmenti i tretë i Autostradës “Arbën Xhaferi”

Me moton “Jo shpejtësisë, po sigurisë”, përurohet segmenti i tretë i Autostradës “Arbën Xhaferi”
14 qershor 2018 • 13 : 38

Detajet

Sot,në Doganaj të Kaçanikut, në pranin e krerëve shtetëror  dhe qytetarëve të kësaj ane, është përuruar segmenti i tretë i Autoudhës R6, "Arbën Xhaferi", Prishtinë-Hani i Elezit, me gjatësi prej rreth njëmbëdhjetë kilometrash, segment ky që është i parafundit deri në përfundim të kësaj autoudhe, transmeton “Zëri.info”.

Prezent në këtë ngjarje ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i cili tha se kjo autoudhë përveç që shkurton distancën ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, ajo lidh edhe kulturën, artin, bukuritë natyrore të vendit dhe zhvillimit ekonomik, të qyteteve dhe qytetarëve që gravitojnë në këtë pjesë të Kosovës.

"Nën moton, "JO SHPEJTËSISË, PO SIGURISË", kampanjë e cila ka për qëllim vetëdijesimin për vozitje të sigurt të pjesëmarrësve në komunikacion , jemi takuar në ketë ditë të veçantë, që të bëjmë përurimin e këtij segmenti prej rreth 11 kilometrave të Autostradës "Arbën Xhaferi", që i bie të jetë segmenti i parafundit, ku do të përmbyllet i tërë projekti në fund të këtij viti. Sot, ashtu si para shtatë muajve, kur u bë inaugurimi i segmentit nga fshati Babush deri në Bibaj të Ferizajt, jemi akoma më të lumtur që me buxhetin e vendit po përmbyllim gradualisht edhe një projekt gjigant dhe shumë domethënës për vendin, për ekonominë dhe lidhjet e tij me korridore”, ka thënë Lekaj.

Lekaj tutje ka thënë se rrugët që po ndërtohen në vendin tonë janë rrugë me standarde dhe siguri të lartë dhe se ato mundësojnë lidhjen e ekonomisë vendore me ekonomitë e vendeve fqinje dhe atë të Bashkimit Evropian, duke saktësuar se këto rrugë janë duke u ndërtuar sipas standardeve të TENT-it dhe se nënkuptojnë më shumë vende pune për qytetarët tanë.

"Këto rrugë, me standarde e siguri të lartë, e bëjnë të mundur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht, e në të njëjtën kohë po mundësohet lidhja e ekonomisë së saj me vendet fqinje, por edhe me ato të BE-së. Ne po ndërtojmë rrugë sipas standardeve TENT-it. Këto rrugë që dikur ishin të gjata brenda për brenda Kosovës, sot po transformohen në rrugë që na dërgojnë më shpejtë në rajon dhe në Evropë. Këto investime, nënkuptojnë më shumë vende pune për qytetarët e vendit tonë, më shumë mundësi për zhvillim të biznesit, nënkuptojnë më shumë mishërim dhe arritje bazuar në vlerat evropiane që i ka si synim Kosova", tha Lekaj para të pranishmëve.

Më pas ministri Lekaj i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, kanë vizituar segmentin prej një kilometri deri në pikën doganore, segment ky që është përfunduar në kohë rekorde prej dy javësh dhe që ka lehtësuar shumë qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve tanë drejt dhe nga Maqedonia. /ZËRI

Image

Image

Image

 

© zëri.info