Qeveria rrit shpenzimet për mallra dhe shërbime për 20,2%

Ekonomia June 14, 2018 - 08:21
Lexo detajet

Në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë të këtij viti shpenzimet për paga janë rritur për 5,1%, për subvencione dhe transferime janë rritur për 17,7%, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime shënuan rritje për 20,2 për qind dhe arritën vlerën prej 48.9 milionë eurosh. Këto të dhëna janë prezantuar në raportin e vlerësimit tremujor të ekonomisë, të hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

Aty thuhet se shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 400.7 milionë eurove, që paraqet një rritje vjetore prej 20,2 për qind. Gjatë kësaj periudhe të gjitha kategoritë e shpenzimeve buxhetore u karakterizuan me rritje. Shpenzimet qeveritare për paga shënuan rritje prej 5,1 për qind dhe arritën vlerën prej 143.6 milionë eurove. Subvencionet dhe transferimet shënuan rritje për 17,7 për qind dhe arritën vlerën prej 127.3 milionë eurove. “Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime (përfshihen edhe komunalit) shënuan rritje për 20,2 për qind dhe arritën vlerën prej 48.9 milionë eurove. Investimet kapitale, të cilat përfaqësojnë rreth 20,2 për qind të gjithsej shpenzimeve buxhetore, shënuan rritje prej 44,0 për qind dhe arritën vlerën 80.9 milionë eurosh. Duke pasur parasysh rritjen më të lartë të shpenzimeve të krahasuar me të hyrat, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 38.6 milionë eurove (5.9 milionë euro suficit në TM1 2017)”, thuhet në raport.

Të hyrat për tre muaj, 362 milionë euro

Në raportin tremujor të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se gjatë tremujorit të parë të këtij viti sektori fiskal u karakterizua me performancë të mirë të të hyrave buxhetore dhe rritje të shpenzimeve buxhetore. Sipas BQK-së, të hyrat buxhetore arritën vlerën prej 362 milionë eurove, ose 6,7 për qind më shumë, të krahasuara me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Rritja e arkëtimit të të hyrave buxhetore erdhi si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik, por edhe reformave të ndërmarra nga agjencitë e të hyrave që kanë për synim ngushtimin e hendekut tatimor. Sa i përket llojit të tatimeve vërehet rritje më e lartë e të hyrave tatimore direkte, të cilat arkëtohen nga tatimi në të ardhura dhe pasuri. Këto të hyra në TM1 2018 shënuan rritje prej 26,5 për qind dhe arritën vlerën prej 72.5 milionë eurove. Me rritje u karakterizuan edhe të hyrat tatimore indirekte, të cilat janë të ndërlidhura me lëvizjen e importit, i cili ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë TM1 2018”, thuhet në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë së BQK-së. Aty më tutje thuhet se të hyrat indirekte arritën vlerën prej 261.5 milionë eurove, ose 3,5 për qind rritje. Po ashtu të hyrat jotatimore, që kryesisht janë të hyra nga organizatat buxhetore, shënuan rënie prej 8.3 për qind dhe arritën vlerën 41.1 milionë eurove.

170 milionë euro remitanca

Remitancat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, arritën vlerën prej 170.4 milionë eurove dhe shënuan një rritje vjetore prej 4,3 për qind. “Rritja e remitancave mund t’i atribuohet deri në një masë rritjes së aktivitetit ekonomik në Eurozonë dhe në Zvicër, duke qenë se remitancat që pranohen në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra. Remitancat që pranohen nga këto dy vende kanë një pjesëmarrje prej 39,3, përkatësisht 22,5 për qind në gjithsej remitanca. Një pjesë e konsiderueshme e remitancave është pranuar edhe nga SHBA-ja, gjegjësisht 7,0 për qind e gjithsej remitancave të pranuara në Kosovë. Llogaria financiare në TM1 2018 shënoi bilanc prej 61.6 milionë eurosh (103.1 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak). Detyrimet, por edhe asetet shënuan nivel dukshëm më të ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Detyrimet shënuan vlerën prej 39.3 milionë eurosh (161.1 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017), ndërsa asetet shënuan vlerën prej -22.3 milionë euro (58.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017)”, thuhet më tutje në raportin e tremujor të vlerësimit të ekonomisë nga muaji janari deri në fund të muajit mars të këtij viti.

Bien investimet e huaja

Në kuadër të detyrimeve kategoria kryesore ishin Investimet e Huaja Direkte (IHD), të cilat arritën vlerën prej 64.4 milionë eurosh dhe shënuan një rënie vjetore prej 1,0 për qind. Në kuadër të strukturës së IHD-ve me rritje u karakterizua kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, ndërsa investimet në instrumente të borxhit shënuan rënie.

“Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione arriti vlerën prej 80.1 milionë eurove dhe shënoi rritje prej 41,4 për qind. IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerë negative prej 15.6 milionë eurosh (8.4 milionë euro në TM1 2017). Rënia më lartë e IHD-ve u shënua në sektorin e shërbimeve financiare dhe të ndërtimtarisë (5.9, përkatësisht 3.4 milionë euro), përderisa në patundshmëri dhe në sektorin e tregtisë u shënua rritje e IHD-ve (2.1, përkatësisht 2.0 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar). Sa i përket origjinës së IHD-ve Gjermania paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti IHD në TM1 2018 (17.4 milionë euro), të pasuar nga Zvicra me 15.4 milionë euro, Austria me 8.4 milionë euro, etj.”, thuhet në raportin e BQK-së.