Zëvendëskryeministri sqaron 53-milionëshin dhënë 'Bechtel & Enkas'

Ekonomia June 13, 2018 - 08:32
Lexo detajet

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se dhënia e 53 milionëve për konzorciumin “Bechtel & Enka” është për shkak të keqmenaxhimit.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se duhet të tregohet deri në fund se çfarë ka ndodhur me kontratën.

“Është një situatë e keqmenaxhimit. Ky dëm nuk është i kësaj qeverie për faktin se jemi duke shikuar për kërkesat dhe nevojat e qeverisë së kaluar, do të thotë se diçka ka ndodhur rrugës. Pas marrjes së detyrës së ministrit Lekaj është vërejtur se aty ka pasur qeveria e kaluar në mosrespektimin e disa afateve kontraktuale”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, duhet të tregohet deri në fund se çfarë ka ndodhur me 53 milionë euro.

“Do të duhet edhe më tepër që nga kjo çështje të informohet dhe opinioni, të tregohet deri në fund se çfarë ka ndodhur me ato 53 milionë. Por, në tërësi arsyeja përfundimtare është keqmenaxhimi”, ka shtuar Limaj.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një konferencë për media ka thënë se Kosova mund të shpëtonte nga kjo, por sipas tij, keqmenaxhimi i ish-ministrit Lutfi Zharku, ka bërë që Kosova t’i humb milionat.