Paralajmërohet kallëzim penal për rritjen e pagave politike

Ekonomia June 13, 2018 - 08:12
Lexo detajet

Gjykata Kushtetuese e ka mbështetur vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për t’ia rritur pagën vetes. Ky institucion po pretendon se nuk ka gjetur asnjë shkelje të vetme të dispozitave kushtetuese nga 30 deputetët e Kuvendit, që iu drejtuan Gjykatës duke vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e vendimit për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë politikë në Qeverinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Nga vendimi i nënshkruar do të përfitojnë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, që me rritje do të marrin pagë 3 mijë e 400 euro, nga 1 mijë e 653 sa llogaritej pa shtesa e mëditje.

LEXO EDHE: Kryetarët e pasur të komunave të varfra

Për këtë vendim deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Vetëvendosjes, e cila njëkohësisht e ka përcjellë në Kushtetuese kërkesën për rishqyrtim të rritjes së pagave të zyrtarëve qeveritarë, ka paralajmëruar edhe kallëzim penal për kryeministrin, ministrat që morën pjesë në vendim, si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që vendosën në favor të tij.

Haxhiu në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” e ka konsideruar si abuzim të parasë publike faktin që Kushtetuesja i dha të drejtë kryeministrit për këtë çështje.

“Rrjedhimisht ne jemi duke shqyrtuar mundësinë të bëjmë kallëzim penal për kryeministrin, por edhe për secilin ministër që ka marrë pjesë në këtë vendim, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi është absurd dhe i papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje. Është skandaloze se si Gjykata Kushtetuese nuk e mbron Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në fakt është institucioni i cili në vazhdimësi po nxjerr vendime në shpërputhje me vetë Kushtetutën”, ka deklaruar ajo.

Me vendimin e kryeministrit Haradinaj, të cilin e nënshkroi me të marrë mandatin, paga e zëvendëskryeministrit do të jetë 2 mijë e 500 euro, e ministrit 2 mijë, e shefit të stafit të kryeministrit e njëkohësisht këshilltarit 1 mijë e 850, e zëvendësshefit të stafit e njëkohësisht këshilltar 1400 euro. 1 mijë e 670 euro llogaritet të jetë tash e tutje paga e shefit të kabinetit të kryeministrit, njëkohësisht e këshilltarit. Këshilltari politik i kryeministrit do ta ketë pagën 1 mijë e 340 euro, këshilltari i lartë politik i zëvendëskryeministrit 1 mijë e 200, shefi i protokollit të kryeministrit 1 mijë e 1150, ai i njësisë për siguri 900, zyrtari i lartë i protokollit i asistentit të lartë të kryeministrit 970. 750 euro do ta kenë pagën mujore zyrtari i asistentit, zyrtari i sigurimit, shoferi, truproja e kryeministrit, zyrtari i lartë dhe asistenti i zëvendëskryeministrit, ndërsa paga e zyrtarit të lartë dhe e asistentit të lartë të ministrit do të jetë diku 600 euro.

 

Ministria e Financave nuk tregon kur bëhet procedimi i pagave me rritje

 

Pagat e kryeministrit e të kabinetit qeveritar nuk dihet se a do të procedohen me rritje prej muajit që vjen. Ministria e Financave, ndonëse është përgjegjësja kryesore, nuk pranon të tregojë kur do t’i marrin pagat me rritje zyrtarët qeveritarë.

Gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim këtij institucioni, i cili ka rekomanduar t’i drejtohemi Zyrës së Kryeministrit.

“E nderuar, ju lutem që për këtë çështje të kërkoni përgjigje në Zyrën e Kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Por, as në Zyrën e Kryeministrit nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës.

Ndërsa në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili u publikua gjatë ditës së hënë, për pagat e zyrtarëve u tha se parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur prova bindëse për të mbështetur pretendimet se vendimi i kontestuar i Qeverisë ka prodhuar efekte kushtetuese në kuptim të cenimit të kompetencave kushtetuese të Kuvendit ose shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese, siç kanë pretenduar.

“Gjykata vuri në dukje se aktet nënligjore të Qeverisë duhet të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligjet. Për më tepër, Gjykata theksoi se në përputhje me natyrën ekzekutive të kompetencave të saj kushtetuese Qeveria është e detyruar të implementojë buxhetin shtetëror të miratuar nga Kuvendi. Andaj është obligim i Qeverisë që zbatimin e Vendimit të kontestuar ta mbështesë në ndarjet buxhetore të përcaktuara në Buxhetin e vitit 2018 dhe në ligjet përkatëse”, theksohej në vendimin e Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës erdhi me vonesë prej më shumë se 60 ditësh, duke kaluar edhe afatin ligjor, siç parashihet proceduralisht.

Mushkolaj: Qeveritarët nuk i meritojnë këto paga

Me vendimin e Kushtetueses nuk janë ndier të kënaqur as ekspertë të rrethanave politike e ekonomike në vend.

Analisti Imer Mushkolaj në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se qeveritarët nuk i meritojnë këto paga. Madje ai ka shtuar se po shpenzohen para kot nga buxheti i shtetit.

“Kjo çështje duhet të dërgohet deri në fund. Konsideroj se ka shkelje, pasi vendimet merren në Kuvend e jo në Qeveri, aq më pak prej kryeministrit. Problemi është se po shpenzohen para kot për shkak se ata njerëz si qeveritarët, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat e zëvendësministrat nuk e meritojnë një pagë kaq të madhe”, ka theksuar Mushkolaj.

Më tutje ai ka shtuar se një veprim i tillë nuk është dashur të ndodhë, pasi rritjet e pagave për qeveritarët bëhen në raport me fuqinë ekonomike financiare të vendit.

“Nëse e shohim sa i kanë pagat punëtorët e arsimit, të shëndetësisë ose të sektorëve të tjerë karshi këtyre pagave, është e papranueshme. Një veprim i tillë nuk është dashur të ndodhë. Edhe rritjet e pagave për qeveritarë ose për këdo tjetër duhet të bëhen në raport me fuqinë ekonomike financiare të vendit”, ka përfunduar mes të tjerash njohësi i rrethanave politike në vend.

Vendimin e Qeverisë në kundërshtim me Kushtetutën e vlerësuan dy gjyqtarët: Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka Nimani. Me të cilin vendim pajtohen edhe në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Diana Metushi Krasniqi, menaxhere projekti në (KDI), në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka treguar se janë të një mendimi me dy gjyqtarët që e kundërshtuan vendimin.

“Për sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese se vendimi i Qeverisë Nr. 04/20, i datës 20.12.2017, nuk paraqet shkelje kushtetuese, ne pajtohemi me mendimin e dy gjyqtarëve mospajtues A. Rodrigues dhe G. Caka-Nimoni, se vendimi i Qeverisë në të vërtetë është shkelje e Kushtetutës, duke i tejkaluar kompetencat e Qeverisë dhe cenimin e kompetencave të Kuvendit, sidomos kur ky vendim nuk është i bazuar në zbatim të ligjit ose propozim për amandamentim të ligjit ekzistues”, ka thënë ajo.

Pro vendimit të Qeverisë kanë votuar: Arta Rama Hajrizi, Ivan Çukaloviq, Altay Suroy, Snezhana Botusharova-Doicheva, Bekim Sejdiu dhe Selvete Gërxhaliu-Krasniqi.

Ndërsa dy gjyqtarët që kanë kundërshtuar: Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka- Nimani.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës votoi pro shfuqizimit të vendimit për pezullim të pagave të kabinetit qeveritar. Ky vendim për shfuqizim të pezullimit të pagave u miratua me shumicë votash nga kabineti qeveritar i Haradinajt pa asnjë votë kundër dhe një abstenim nga ministri Bedri Hamza.

Ministri i Financave Bedri Hamza me këtë rast tha se Zyra Ligjore e Kryeministrisë e ka shqyrtuar kompleksitetin e kësaj çështjeje dhe shpreson që të mos ketë ndonjë gabim në këtë aspekt.