Kryetarët e pasur të komunave të varfra

Ekonomia June 13, 2018 - 08:04
Lexo detajet

Pasuri prej miliona eurove kanë deklaruar kryetarë të komunave të Kosovës, derisa qytetarët që jetojnë nëpër komunat që ata i drejtojnë janë zhytur në varfëri të skajshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mytaher Haskuka përveçqë udhëheq komunën e dytë më të madhe në vend, Prizrenin, ai zotëron një pasuri prej më shumë se 2.7 milionë eurosh. Haskuka në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ka bërë publike pasurinë e tij marramendëse.

LEXO EDHE: Zharku: Jam kthyer ta zhvilloj Kosovën!

Haskuka ka vetëdeklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 300 mijë eurosh, shtëpi tjetër në vlerë prej 270 mijë eurosh, shtëpi me dy objekte në vlerë prej 300 mijë eurosh, shitore 150 mijë euro, shitore 120 mijë euro, ara punuese, toka 1.2 milion euro, ara punuese 300 mijë euro, banesë 54 mijë euro, tokë bujqësore 33 mijë euro.

Ai vozit dy vetura të 14 mijë eurove.

Në krijimin e milionave duket t’i ketë dhënë kontribut edhe bashkëshortja e tij, për të cilën ka deklaruar se është aksionare me 33 për qind në kompaninë “Aplikative Research Solutions, Konsulencë”.

Për nga milionat Haskukës nuk ia lëshon udhën as kryetari i Pejës Gazmend Muhaxhiri, i cili ka deklaruar një pasuri mbi 2 milionë euro.

Muhaxhiri nën pronësi të përbashkët ka një shtëpi 450 mijë euro, një tjetër të prindit 550 mijë euro, tokë po ashtu nën pronësi të babait të tij 750 mijë euro.

Vlera e tokave të prindit të Muhaxherit nuk del aq e lartë me tokat që ka nën pronësi vetë ai. Kryetari i Pejës ka deklaruar nën pronësi tokë 50 mijë euro, shtëpi dhe tokë 40 mijë euro. Ndërsa një tokë tjetër në vlerë të 600 mijë eurove është regjistruar si pronë e prindit të tij. Milioneri nuk ka nën pronësi asnjë veturë për ta vozitur. Dy vetura që i ka regjistruar në formularët e pasurisë në vlerë të 26 mijë eurove janë nën pronësi të bashkëshortes së saj. Paga vjetore e Muhaxherit kap shumën e 15 mijë eurove.

 

MST: Haziri e Bahtiri, trashëgimtarë të milionave

 

Ndryshe prej bashkëpartiakëve të tij, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri nuk i ka krijuar milionat. Ai ka deklaruar se është trashëgimtar i milionave nga prindi i tij. Një milion e gjysmë euro ai i ka të trashëguara, ku përfshihen toka e një banesë. Njësoj sikur Muhaxheri, as Haziri nuk ka deklaruar veturë në pronësi. Një veturë e tipit “Hynday” është regjistruar si pronë e bashkëshortes. Miliona euro pasuri ka trashëguar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Mbi një milion e gjysmë euro ka nën pronësi të përbashkët ai. Shtëpi 860 mijë euro, shtëpi tjetër 200 mijë, shtëpi 150 mijë, shtëpi në vlerë të njëjtë, tokë 6 milionë e 200 mijë të përbashkëta.

Bahtiri vozit “Audi Q7” të 10 mijë eurove, ndërsa paga vjetore e tij arrin në 15 mijë e 753 euro.

Lladrovci, “merakli” i orëve

Mbi 800 mijë euro kap vlerën pasuria e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. N

ë formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit Lladrovci ka deklaruar shtëpi 150 mijë euro të përbashkët, banesë 105 mijë, tokë 182 mijë e 250 euro, lokal 100 mijë euro, toka mbi 300 mijë euro dhe një banesë 40 mijë euro. Lladrovci ka nën pronësi veturë “Golf”, e cila ka vlerë prej 9 mijë e 500 eurosh, “Mercedes” 15 mijë euro dhe një “Audi Q7”, e cila sipas tij ka vlerë prej 40 mijë eurosh. Por kryetari i Drenasit po del të jetë merakli i madh i orëve. Ai ka deklaruar dy orë dore. Një orë “Rolex” të 9 mijë eurove, si dhe një tjetër “Cartier” në vlerë prej 3 mijë eurosh. Në formularët e AKK-së ai ka vetëdeklaruar se të hyrat e tij mujore janë 1 mijë e 127 euro.

Pasuri mijëra euroshe ka të deklaruar kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Ky ka nën pronësi shtëpi me oborr në vlerë prej180 mijë eurosh, shtëpi 80 mijë euro, tokë 50 mijë, veturë “Passat” 15 mijë , tjetër veturë 4 mijë euro.

Ndërsa merr pagë vjetore nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut 14 mijë e 875, si dhe ka deklaruar një ordinancë, nga e cila fiton 8 mijë euro brenda vitit.

Kryetari i Hanit të Elezit, që njihet si më kursimtari, Rufki Suma ka deklaruar shtëpi prej 59 mijë eurove, 4 mijë e 860 euro tokë, tokë 2 mijë e 580 euro, të 8 mijë e 700 eurosh, të 31 mijë e 800, tokë të 17 mijë e 760. Ndërsa ka bërë publike edhe veturë të tipit “Golf” të 5 mijë eurove si pronë të fëmijëve. Paga vjetore e tij është 14 mijë e 470 euro.

Berisha me pemishte në Shqipëri

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, ka nën pronësi një pemishte në Shqipëri, e cila sipas tij ka vlerë prej 40 mijë eurove. Ai po ashtu ka vetëdeklaruar se ka në pronësi 186 mijë euro toka, si dhe një veturë “Golf 6” në vlerë prej 10 mijë eurove. Paga e tij vjetore arrin në 15 mijë e 600 euro. I pasur me toka, shtëpi e banesa po del të jetë edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti. Ky ka deklaruar shtëpi 80 mijë, oborr 30 mijë, truall 20 mijë, tokë 60 mijë, banesë 75 mijë euro.

Kryetari i Lipjanit nget veturë “Audi A4” në vlerë prej 6 mijë e 500 eurove dhe një “Golf 4” 4 mijë euro. Paga mujore e tij është 1 mijë e 300 euro. Por, ka edhe prej kryetarëve që nuk kanë të deklaruar shtëpi e banesa.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë publike një pronë të paluajtshme për qirambajtje 99 vjet, që ka vlerë të 12 mijë e 125 eurove, në të cilën është bashkëpronar, aksionar me 20 për qind të aksioneve.

Gjini me shtëpi të papërfunduar

Por, disa prej kryetarëve nuk kanë arritur t’i përfundojnë as shtëpitë e tyre. Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini e ka deklaruar një shtëpi të papërfunduar të 40 mijë eurove, një banesë 30 mijë e 500 euro, shtëpi të 150 mijë eurove dhe dyqan 190 mijë. Gjini ka nën pronësi një veturë të tipit “Mercedes” të 15 mijë eurove, si dhe një veturë të tipit “Opel Corsa” 3 mijë euro.

Ndërsa kryetari i Istogut Haki Rugova ka të deklaruar banesë të 70 mijë eurove, truall 24 mijë euro, veturë 6 mijë. Ndërsa paga e tij mujore 1 mijë e 323 euro.

Kryetarët pa “kulm mbi kokë”

Për dallim prej shokëve të tyre që kanë nën pronësi miliona. Disa prej kryetarëve të komunave nuk kanë deklaruar as kulm mbi kokë.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit pavarësisht se ka të deklaruar tokë të punuar, shtëpi me oborr, banesë, truall, vlera e tyre është regjistruar zero. Veliu është në detyrime financiare për truall 25 mijë euro. Pagën si kryetar i Komunës e merr 1 mijë e 197 euro. Sikur Veliu shtëpi nën pronësi nuk ka bërë publike as kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti. Në formularët e pasurisë nuk ka deklaruar asnjë pasuri të paluajtshme. Ndërsa si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë të tipit “Skoda” e “Superb” të 9 mijë eurove.

Ahmeti mban në banka para të gatshme 3 mijë euro. Paga vjetore e Ahmetit është 16 mijë e 696 euro.