Projekti me kosto 100 mijë euro në prag të dështimit

Ekonomia June 12, 2018 - 08:54
Mësoni më shumë shumë detaje

Drejtues të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë thonë se janë duke e rishikuar projektin e vendosjes së rrethojave dhe shitjen e biletave hyrëse, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vendosja e rrethojave në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë dhe projekti për shitjen e biletave hyrëse në këtë stacion kishte ngjallur ankesa të shumta si nga qytetarët, ashtu edhe nga kompanitë e autobusëve.

Ky projekt tani siç duket është në prag të dështimit. Prishjet e makinave të cilat i identifikojnë kuponët fiskalë që i lëshon ndërmarrja Stacioni i Autobusëve kanë filluar t’i frustrojnë edhe më shumë qytetarët, të cilët paguajnë për një kupon që nuk fund as nuk regjistrohet, por hidhet në shportë.

Tani drejtuesit e Stacionit të Autobusëve thonë se ky projekt do të rishikohet, shkruan më tutje "Zëri".

Komuna e Prishtinës: Ky projekt është duke u rivlerësuar

Muhedin Nushi, drejtor i Administratës së Komunës dhe anëtar i Komisionit të Aksionarëve të NPL Stacioni i Autobusëve, për gazetën Zërika thënë që janë duke e bërë rivlerësimin e këtij projekti.

LEXO EDHE: Helmim masiv nga ushqimi në Gjilan

“Këto mjete arkëtohen në ndërmarrje dhe destinohen për mbulimin e shpenzimeve operative, mbarëvajtjen e punëve dhe për investime kapitale. Bordi i Drejtorëve me kërkesë të Komisionit të Aksionarëve është në fazën e rivlerësimit të këtij vendimi, si dhe po i shqyrton edhe modalitetet e tjera që do të kenë ndikim pozitiv te qytetarët”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komuna ka qenë në dijeni për defektin e njërës nga aparaturat dhe kjo nuk është në kompetencë të tyre, por të ndërmarrjes.

“Aparati i cili identifikon kuponët për hyrje në hapësirën e stacionit nuk ka qenë në funksion nga data 15 maj deri më 17 maj si pasojë e një defekti teknik. Aktualisht është rregulluar nga kompania përgjegjëse për mbikëqyrjen e pjesëve teknike. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër ndërmarrja ka angazhuar personel shtesë për t’i menaxhuar hyrje-daljet. Ndërmarrja ka pasur mbikëqyrje strikte të këtij shërbimi”, ka thënë ai.

Çitaku: Projekti nuk është shpikje imja

Projekti “Rrethoja me Tripod” ishte bërë gjatë vitit 2017, kur ndërmarrja udhëhiqej nga ish-drejtori Ylber Çitaku, i cili për gazetën “Zëri” ka treguar për idenë e këtij projekti.

“As unë dhe askush nga menaxhmenti i asaj periudhe nuk kemi pretenduar se projekti si i tillë ka qenë shpikje jona. Projekti për shitjen digjitale të biletave ka qenë edhe më herët si ide nga menaxhmenti i mëparshëm i Ndërmarrjes, kjo ide, ky projekt, ka qenë edhe kërkesë e kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit qysh në mandatin e tij të parë. Kostoja e projektit si tërësi ka qenë rreth 100.000 euro”, ka thënë Çitaku.

Sipas tij, të hyrat që bëhen nga këto pagesa shfrytëzohen për pagesa të personelit të Ndërmarrjes.

“Gjatë kohës kur unë kam qenë në pozitën e KE-së (besoj edhe tani) të  hyrat e Ndërmarrjes kryesisht shkojnë në paga, mirëmbajtje, shpenzime administrative dhe në investime”, ka thënë ai.

Sylejmani: Pritet të merret një vendim për këtë projekt

Emin Sylejmani, ushtrues detyre i drejtorit të NPL Stacioni i Autobusëve, për gazetën “Zëri” ka thënë që në bazë të ankesave do të marrin një vendim për këtë projekt.

“Ankesat kanë qenë të adresuara, rrethojat janë në proces dhe jemi duke e shqyrtuar problemin dhe ndoshta ose do të modifikohen, ose edhe mund të marrim një vendim që t’i largojmë, sepse nëse është në dëm të udhëtarëve ose të operatorëve, të cilët i shfrytëzojnë shërbimet në stacion, atëherë ne sigurisht jemi për qytetarët, udhëtarët dhe operatorët”, tha Emini.

Ai po ashtu përmendi edhe defektin e laurës në hyrje të stacionit, për të cilët tha se kompania kontraktuese vetëm sa e ka rregulluar, kurse për tripodin i cili i evidenton kuponët fiskalë tha që tani kompania përgjegjëse vetëm se është duke u marrë me problemin.

“Në lidhje me këtë situatë kompania jonë ka një marrëveshje me kompaninë BVC, e cila merret me evidentimin e çfarëdo prishjeje e cila ndodh në rastin e prishjeve të laurave ose të ndonjë aparature e cila ka të bëjë me sistemin e operativës në lidhje me hyrje-daljet e automjeteve dhe shitjen e biletave”, ka thënë ai.