Në luftën kundër keqpërdoruesve të ujit kyçet edhe Policia

Ekonomia June 11, 2018 - 09:23
Mësoni më shumë shumë detaje

Derisa Komuna e Vushtrrisë ka formuar një Task Forcë, që parasheh ndëshkimin e qytetarëve të cilët keqpërdorin ujin e pijes, por edhe për veprime të tjera të ndaluara, Komuna e Mitrovicës duke e angazhuar edhe Policinë e Kosovës gjatë gjithë verës 24 orë në ditë do të jetë në aksion për parandalimin e keqpërdorimit të ujit. Borxhet e veriut për ujë arrijnë në 13 milionë euro, shkruan sot gazeta "Zëri"

Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Vushtrrisë kanë filluar aksionin e gjerë kundër keqpërdoruesve të ujit të pijes.

Dy komunat kanë vendosur që në aksionin për parandalimin dhe keqpërdorimin e ujit të pijes dhe ndëshkimin e keqpërdoruesve të ujit ta angazhojnë edhe Policinë.

LEXO EDHE: PAN-i dhe Thaçi e mbajnë të bllokuar KQZ-në

Derisa Komuna e Vushtrrisë ka formuar një Task Forcë, që parasheh ndëshkimin e qytetarëve të cilët keqpërdorin ujin e pijes, por edhe për veprime të tjera të ndaluara, Komuna e Mitrovicës duke e angazhuar edhe Policinë e Kosovës gjatë gjithë verës 24 orë në ditë do të jetë në aksion për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijes, shkruan më tutje "Zëri".

Nga e hëna ndaj të gjithë keqpërdoruesve të ujit të pijshëm në komunën e Mitrovicës do të ndërmerren masa të rrepta ndëshkimore administrative dhe të tjera, është vendosur në një takim, që ka mbajtur nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Faruk Mujka me komandantin e Stacionit Policor të Mitrovicës Jugore Ahmet Gjoshën, me drejtorin teknik të kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” Kadri Istrefin dhe me inspektorët komunalë.

Ata konstatuan se masat ndëshkuese ndaj keqpërdoruesve të ujit të pijes janë të domosdoshme dhe se ato do të zbatohet rigorozisht nga inspektorët komunalë dhe zyrtarët e ujësjellësit. Në aksion do të asistojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Aksioni për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm do të zgjasë gjatë tërë verës dhe 24 orë në ditë.

Drejtori teknik i Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë, Kadri Istrefi, njoftoi për keqpërdorimin tej mase të ujit për pije nga ana e disa qytetarëve dhe disa pronarëve të pandërgjegjshëm të bizneseve, për ç’arsye shumë lagje në qytet dhe në fshatra po kanë probleme me furnizimin me ujë.

Sipas tij, në këto ditë me vapë qytetarë të pandërgjegjshëm po e shfrytëzojnë ujin e pijshëm për ujitje të rrugëve, kopshteve dhe të arave, ndërsa që pronarët e pandërgjegjshëm të bizneseve po e keqpërdorin atë për përfitime personale, duke shkaktuar kështu probleme të mëdha në furnizim të rregullt të qytetarëve me ujë për pije, edhe pse kapaciteti i fabrikës për prodhimin e ujit është i mjaftueshëm për nevojat elementare të qytetarëve.

Ata u dakorduan që të bashkërendisin aktivitetet për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm për nevoja të tjera dhe që nga e hëna të dalin në terren dhe të ndërmarrin masa ndëshkimore administrative dhe të tjera ndaj të gjithë atyre qytetarëve dhe bizneseve që i hasin duke keqpërdorur ujin e pijes.

Ndërkaq Komuna e Vushtrrisë ka themeluar një Task Forcë, e cila parasheh ndëshkimin e qytetarëve që keqpërdorin ujin e pijes, por edhe për veprime të tjera të ndaluara.

Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë Besim Muzaqi dhe inspektorët komunalë të Vushtrrisë kanë nisur kontrollin në të gjithë qytetin e Vushtrrisë për ndalimin e keqpërdorimit të ujit të pijes.

Puna e inspektorëve ka filluar nga disa autolarje të qytetit për të parë nëse pastrimin e veturave e bëjnë me ujë të ujësjellësit. Në raste kur autolarjet bënin pastrimin e veturave me ujë të ujësjellësit inspektorët shqiptonin gjobë prej 100 eurosh për keqpërdorim të ujit të pijes. Inspektorët komunalë të Vushtrrisë kanë hasur edhe në raste ku subjektet afariste kanë keqpërdorur ujin e pijes, ndonëse nuk i kanë pasur bizneset e regjistruara.

Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë Besim Muzaqi ka thënë se inspektorët komunalë të Vushtrrisë do të kryejnë kontrollin për çdo ditë dhe ndaj keqpërdoruesve të ujit do të shqiptohen masa ndëshkuese.

Në anën tjetër, kompania e ujësjellësit rajonal “Mitrovica” i ka bërë të ditura problemet me të cilat është duke u përballur në realizimin e projekteve për furnizim me ujë për pije për fshatrat Zasellë, Koshtovë, Vërrnicë dhe Çabër.

Drejtori i KUR “Mitrovica” Sami Istrefi ka thënë se gjatë realizimit të projektit kanë hasur në probleme të mëdha.

Duke ndërlidhur, nënkryetari i Mitrovicës Fruk Mujka tha se Komuna i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë fuqishëm këto projekte, duke premtuar se Komuna do të jetë shumë e përkushtuar që nga buxheti vetjak dhe në mënyra të ndryshme përmes gjetjes së donacioneve të sigurohen mjete të mjaftueshme materiale për përfundimin e tyre.

Drejtori Miftari ka folur edhe për borxhet që veriu i Kosovës ka ndaj Ujësjellësit Rajonal. Sipas tij, ato kanë arritur në 13 milionë euro.