Telekomi në konsultim me ndërkombëtarët për kodin +383

Ekonomia June 11, 2018 - 08:28
Mësoni më shumë shumë detaje

Implementimi i kodit shtetëror të Kosovës +383 ishte paraparë të përfundonte në fillim të këtij muaji. Mirëpo Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike Postare (ARKEP) me kërkesë të operatorëve e ka shtyrë implementimin deri më  datën 31 tetor. Në rast se ky afat nuk do të zbatohet ky institucion ka paralajmëruar dënime për operatorët në pajtueshmëri me Ligjin për Komunikime Elektronike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kodi i Monakos +377 dhe ai i Sllovenisë +386 ende nuk janë larguar në tërësi nga përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike Postare ka paralajmëruar 31 tetorin si afat përfundimtar për heqjen e këtyre kodeve nga përdoruesit e telefonisë mobile.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, në një prononcim për gazetën Zërika paralajmëruar se nëse kjo datë nuk do të respektohet nga operatorët do të ketë penalti për operatorët në pajtueshmëri me Ligjin për Komunikime Elektronike.

LEXO EDHE: Tryeza e katërt mbahet këtë javë, diskutohet për dialogun

“Afati i fundit i dhënë nga ARKEP-i për implementimin e kodit +383 në kuptimin në largimin e kodeve aktuale +386 dhe +377 është data 31 tetor dhe ky do të jetë afati i fundit i përcaktuar. Në rast të moszbatimit të këtij afati do të ketë penalti ose dënime për operatorët në pajtueshmëri me Ligjin për Komunikime Elektronike”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka thënë se implementimi i kodit shtetëror të telefonisë po bëhet në pajtueshmëri me planin e migrimit me kodin +383 të përgatitur nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike Postare, në konsultim me operatorët.

“Implementimi i kodit shtetëror të telefonisë është duke u bërë në pajtueshmëri me planin e migrimit me kodin +383 të përgatitur nga ARKEP-i, në konsultim me operatorët. Në telefoninë fikse implementimi është bërë tërësisht, në telefoninë mobile është bërë pjesërisht. Ndërsa hapi përfundimtar i heqjes së kodeve të huaja që janë në përdorim të kodeve të Monakos dhe të Sllovenisë është shtyrë me kërkesë të operatorëve nga data 1 qershor deri më datën 31 tetor të vitit 2018”, ka përfunduar drejtori i Bordit të këtij institucioni.

Telekomi në konsultim me ndërkombëtarët

Telekomi i Kosovës (TK) ende nuk ka arritur ta bëjë kalimin në kodin e ri shtetëror të Kosovës për shkak të krizës financiare në të cilën gjendet aktualisht.

Ky operator ka kërkuar nga ARKEP-i që të shtyjë kohën e implementimit deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Arsim Bilalli, zëdhënës për Informim në Telekom, i ka thënë gazetës se Telekomi është në konsultime me partnerë ndërkombëtarë për gjetjen e një zgjidhjeje të mirë për implementimin e kodit të ri.

“Situata aktuale në Telekomin e Kosovës dhe kompleksiteti operativ dhe teknik në relacionet me partnerët tanë ndërkombëtarë si faktorë kyç në implementimin e tërësishëm të kodit shtetëror e kanë bërë tejet të paparashikueshme arritshmërinë e afateve sipas planit të migrimit të ARKEP-it. Kjo do të thotë se ky proces është i varur nga specifikacionet operative, të cilat nuk mund të përfundohen vetëm duke u bazuar në resurset teknike të Telekomit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Bilalli thotë se Telekomi i ka angazhuar të gjitha resurset për ta gjetur një zgjidhje, qoftë edhe të improvizuar, por që përmbushet afati i paraparë nga ARKEP-i.

“Për këtë arsye Telekomi i Kosovës ka qenë në vazhdimësi dhe vazhdon të jetë në konsultime dhe në asistencë teknike me partnerët ndërkombëtarë dhe së shpejti do të gjejë një zgjidhje të mirë për implementimin e kodit të ri. Aktualisht Telekomi i Kosovës ka të angazhuara të gjitha resurset për ta gjetur një zgjidhje, qoftë edhe të improvizuar, për ta përmbushur afatin e paraparë nga ARKEP-i. Më së voni deri më datën 31 tetor 2018 duhet të përfundojë në tërësi implementimi i kodit +383 në rrjetin e telefonisë mobile dhe të ndërpriten kodet e tjera”, ka shtuar më tutje zëdhënësi për Informim në Telekom.

Nga data e paralajmëruar Bilalli thotë se +383 duhet të jetë kodi i vetëm për origjinim dhe terminim të trafikut ndërkombëtar në Kosovë.

Kodi +383 funksionon në telefoninë mobile, por jo në atë fikse

Drejtori i ARKEP-it Kreshnik Gashi ka bërë të ditur se kodi +383 është në përdorim të plotë në telefoninë mobile, por ende nuk ka arritur të funksionalizohet në plotni në telefoninë fikse.

Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Haki Shatri, thekson se kodi nuk po arrin të funksionalizohet si pasojë e krizës financiare në Telekomin e Kosovës.

“Ka ende probleme që kodi telefonik shtetëror nuk po funksionalizohet për disa procedura që nuk po plotësohen. Kanë obligime financiare këta, nuk mund t’i përmbushin ato obligime, e dimë që janë telashe të mëdha, kanë operuar me humbje në vitin që shkoi dhe nuk mund t’u përgjigjen obligimeve që ndalin prej ndryshimeve në teknika të operimit”, ka treguar Shatri.

Nga mungesa e plotë e këtij kodi vlera e dëmit që po i shkaktohet buxhetit të shtetit, në bazë të shifrave të publikuara, thuhet të ketë arritur në mbi 200 milionë euro.

Kodi telefonik i Kosovës arriti të funksionalizohet pas përpjekjeve disavjeçare për shkak të mospajtueshmërisë mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ky kod u miratua nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit në dhjetor të vitit 2016.