T’u njihet punëtorëve e drejta pa dallime

Ekonomia June 09, 2018 - 16:33
Lexo detajet

Miratimi i Projektligjit për Mësimdhënësit e Viteve të ’90-ta, si dhe shqyrtimi i tij në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur “luftë” mes punëtorëve të sindikatave tjera që po kërkojnë njohje të njëjtë kontributesh. Përfaqësuesit e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë kanë paralajmëruar padi për institucionet shtetërore nëse votojnë pro Ligjit për Mësimdhënësit e Viteve ’90-ta. Ndërsa përfaqësues të Sindikatës së Policisë po e ndiejnë veten të diskriminuar me veprimet seleksionuese të Qeverisë, shkruan "Zëri". 

Kryesindikalisti i Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovës (BSPK), i cili përfaqëson tërë sindikatat kërkon njohje të njëjtë të kontributeve për të gjitha kategoritë pa dallime.

“Ne konfederatat, unë si kryesindikalist kërkoj që t’u njihet të gjithëve punëtorëve, pa dallim të sektorëve. Sepse punëtori është i barabartë para ligjit, para punës dhe para Zotit. Quhet diskriminim nga Qeveria nëse ajo dëshiron të diskriminojë punëtorin nga Qeveria jonë jo nga askush, së cilës punëtori i beson dhe Qeveria jonë ushqehet me djersën e tyre. Unë jam për të gjithë punëtorët që t’u njihet e drejta e viteve të okupatorit. Pa dallime”, ka thënë Ajdini në një prononcim për “Zërin”.

Gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim Zyrës së Kryeministrit për të kuptuar numrin e kërkesave që kanë marrë nga sindikatat tjera deri më tani, por nuk ka marrë përgjigje.

Rrezikun nga skemat pensionale të paralajmëruara për mësuesit që kanë punuar në vitet e ’90-ta dhe pensionet e parakohshme për Policinë e Kosovës e kishte paralajmëruar shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermuelen, në një intervistë dhënë “Zërit” muaj më parë.

“Në të njëjtën kohë ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për iniciativat e shpenzimeve sociale, siç është skema e propozuar e pensioneve për mësuesit që punonin në sistemin paralel në vitet 1990 ose skemën e pensionit të parakohshëm për forcat policore”. Këto do të krijonin detyrime të mëdha të pensioneve të pafinancuara, të cilat sistemi i pensioneve tashmë i pafinancuar në Kosovë thjesht nuk mund ta përballojë. Për më tepër, kërkesa për skema të ngjashme për profesione të tjera me siguri do të pasojë, duke vënë në rrezik buxhetin e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, pati deklaruar ai.

Kritika për të njëjtin projektligj kishte adresuar edhe Instituti për Studime të Avancuara (GAP) në një hulumtim të nxjerrë për ndikimin buxhetor të Ligjit për Punëtorët e Arsimit Shqip të Viteve ’90-ta, ku kostoja e ligjit për periudhën 2019-20 për këtë kategori pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro ose për 16.1 milionë euro (114%) më e lartë se kalkulimet e MF-së.

Të zëshëm kishin qenë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, që alarmuan se mund të rrezikohet stabiliteti makrofiskal i buxhetit shtetëror.