Projekti i rrugës së Komaranit ngec për shkak të uzurpatorëve

Ekonomia June 09, 2018 - 08:14

Nisma Socialdemokrate ka akuzuar Komunën e Drenasit se po i zvarrit qëllimisht punët në asfaltimin e rrugës kryesore “Mentor Morina” në Komaran, se ka ndryshuar pikat gjeodezike (orientuese) dhe shënjuese të rrugës duke shfrytëzuar mundësinë e hakmarrjes politike, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nisma Socialdemokrate e Kosovës, Dega në Drenas, dhe Komuna e Drenasit janë përplasur për rrugën e Komaranit, e cila ndonëse ka filluar nuk po kryhet. Derisa Nisma pretendon se zvarritja bëhet për hakmarrje politike, në Komunën e Drenasit kanë thënë se projekti i rrugës nuk mund të kryhet për shkak të uzurpatorëve, të cilët kanë uzurpuar pronën publike dhe nuk lejojnë të realizohet projekti.

Nisma Socialdemokrate e Kosovës ka akuzuar Komunën e Drenasit se me qëllim është duke i neglizhuar punët në asfaltimin e rrugës kryesore të Komaranit “Mentor Morina” dhe në këtë mënyrë u ka shkaktuar dëme të mëdha bizneseve dhe qytetarëve. Në një reagim të Nismës, Dega në Drenas, thuhet mes tjerash se Komuna ka lëvizur edhe pikat gjeodezike dhe në këtë mënyrë “u ka shkuar në derë disa familjeve, të cilave u janë rrënuar shtëpitë”.

“Nisma Socialdemokrate, Dega në Drenas, po i përcjell me vëmendje të shtuar punimet në asfaltimin e rrugës ‘Mentor Morina’ në Komaran e cila po përcillet me shqetësime dhe dëme të mëdha për banorët dhe bizneset e kësaj zone. Asfaltimi i kësaj rruge, e cila është njëra ndër rrugët kryesore në Komaran, si dhe e cila është jo më gjatë se 1 kilometër ka filluar tash e disa muaj dhe po përcillet me probleme të shumta për banorët, duke filluar nga neglizhenca e Komunës së Drenasit dhe operatori ekonomik i përzgjedhur që kjo rrugë të rregullohet në afat sa më të shkurtër, sepse kjo rrugë është arteria kryesore në Komaran ku operojnë bizneset kryesore të Komaranit por edhe të Drenasit në përgjithësi.

Pikërisht në ketë kohë, kur edhe është sezoni i bizneseve në Komaran, Komuna e Drenasit ende nuk merr kurrfarë masash që kjo rrugë, e cila është shumë e shkurtër për nga gjatësia, por shumë e madhe për nga rëndësia e qarkullimit rrugor, por akoma më e rëndësishme në aspektin ekonomik të asfaltohet. Prandaj qytetarët, por edhe bizneset në Komaran me të drejtë janë thellësisht të shqetësuara sepse zvarritja e punimeve në ketë rrugë po shkakton humbje të mëdha ekonomike për bizneset, pastaj pluhur të vazhdueshëm për banorët e zonës, probleme në qarkullimin e banorëve e po ashtu edhe probleme tjera me vërshime të ujit gjatë të reshurave”, thuhet në reagimin e Nismës.

Nisma Socialdemokrate thotë se ndihet e shqetësuar edhe me ndryshimin e kohë pas kohe të pikave gjeodezike (orientuese) dhe shënjuese të rrugës në Komaran duke e shfrytëzuar edhe mundësinë e hakmarrjes politike, duke përmendur rasti e anëtarit të Nismës Naim Gjoshit, të cilit siç thotë i është rrënuar një pjesë e shtëpisë, shkruan Gazeta "Zëri".

Por ndryshe thonë në Komunën e Drenasit. Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj, i tha “Zërit” se rruga në Komaran nuk mund të asfaltohet dhe projekti nuk mund të realizohet për shkak të uzurpatorëve, të cilët nuk lejojnë operatorin t’i zhvillojë punimet. “Ata po e përziejnë me politikë dhe kjo nuk është aspak mirë. E dinë ata që rruga nuk po mund të punohet për shkak se njerëzit kanë uzurpuar pronën publike nëpër të cilën duhet të kalojë rruga dhe ata pengojnë të realizohet projekti. Operatori ka probleme, sepse është në presion dhe nuk po mund të punojë. Ne kemi biseduar me njerëzit që kanë uzurpuar pronën publike dhe të cilët nuk lejojnë të kryhet asnjë punë, por ata refuzojnë ta lirojnë pronën komunale të uzurpuar. Ata thonë ta shtyjmë rrugën në anën tjetër, ndërsa ata të anës tjetër thonë ‘mos e shtyni rrugën këtej, sepse janë pronat tona e ato andej të shtetit’. Për këtë arsye projekti nuk po mund të realizohet. Gjeodetët tanë kanë shkuar disa herë, i kanë vendosur pikat prej nga duhet të kalojë rruga, por uzurpatorët shkojnë dhe i heqin. Nuk është aspak e vërtetë që Komuna i ka lëvizur pikat orientuese, ato po i largojnë uzurpatorët. Derisa është kështu, projekti nuk mund të realizohet”, ka thënë Hysenaj.

Sipas drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj, me projektin që duhet të realizohet disa shtëpi duhet të rrënohen sepse ndryshe projekti nuk mund të realizohet. “Disave rruga u bie për mjedis shtëpive, disave trotuari ua zë dyert e shtëpive. Kjo është gjendja”, ka shpjeguar drejtori Hysenaj./ZËRI