S’ka më targa civile në veturat zyrtare

Ekonomia June 08, 2018 - 07:56
Lexo detajet

Veturat që merren me qira nga institucionet e Kosovës nuk mund të lëvizin pa  targa zyrtare. Agjencia Qendrore e Prokurimit, duke iu referuar Udhëzimit Administrativ për marrjen me qira të automjeteve për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka kërkuar që të gjitha institucionet duhet të bartin automjete me tabela zyrtare. Por në rast se ato vlerësojnë se ndonjë automjet duhet të ketë vetëm tabelë civile duhet t’i drejtohen institucionit kompetent, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), përmes një procedure prokurimi për marrjen me qira të automjeteve për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka kërkuar që të gjitha veturat të jenë të pajisura me targa zyrtare.

Në Udhëzimin Administrativ, të cilit i referohet ky institucion thuhet se për regjistrimin e automjeteve është e përcaktuar që përveç librezës së regjistrimit të pronarit të automjetit është edhe shfrytëzuesi i automjetit.

LEXO EDHE: Qeveria tërhoqi platformën nga dështimi i sigurt

Në dokumentin, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, bëhet e qartë se ky Udhëzim hyn në fuqi menjëherë pas fillimit të implementimit të kontratave, por si rrjedhojë e kësaj të gjitha institucionet duhet t’i bartin automjetet me tabela zyrtare siç rregullohet me Udhëzimin Administrativ.

Këtë vendim drejtori i përgjithshëm në (AQP) Behxhet Rrukiqi thotë ta ketë marrë duke iu referuar Udhëzimit Administrativ pa ndonjë qëllim tjetër. Rrukiqi i ka thënë “Zërit” se nuk ka ndonjë qëllim tjetër lidhur me vendimin, përveçse ka respektuar Udhëzimin të cilit i referohet.

“Ky vendim është me Udhëzues Nr.01/2018 për Shfrytëzuesit e Automjeteve, shërbim i cili duhet t’i ketë automjetet zyrtare. Shumë është e thjeshtë kjo. Vendimi shumë është i qartë, nuk ka kurrë farë qëllimi tjetër. Unë jam shërbyes civil, kryej procedura administrative, nuk kam qëllime”, ka deklaruar drejtori i AQP-së.

Por në rast se institucionet vlerësojnë se ndonjë automjet duhet të ketë vetëm tabela civile, atëherë duhet t’i drejtohen MPB-së, që rregullohet në bazë të Udhëzimit.

Tutje në vendim kërkohet nga kontraktuesi që të dërgojë listën e automjeteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në mënyrë që të përgatiten targat zyrtare për çdo institucion.

“AQP-ja do të informojë t’i gjitha njësitë kërkuese që shpenzimet prej 30 eurove t’i barten institucioneve që shfrytëzojnë automjetet për kalim nga tabelat civile në ato zyrtare brenda 15 ditëve. Kontraktuesit duhet të informohen me kohë për ndërrimin e tabelave, por jo më vonë se 15 ditë nga dita e marrjes së këtij njoftimi”, theksohet tutje.

Kjo procedurë prokurimi është aprovuar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Vendimi është nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i AQP-së Behxhet Rrukiqi, ndërsa u është përcjellë autoriteteve kontraktuese, më saktësisht njësitë kërkuese dhe kontraktuesve.

Ndryshe, veturat zyrtare shpesh janë keqpërdorur e vazhdojnë të keqpërdoren tutje nga zyrtarët që punojnë në institucione publike, për qëllime private pas përfundimit të orarit zyrtar.