Mehmeti: BQK-ja, e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e çështjes së Kartonit të Gjelbër

Ekonomia June 07, 2018 - 20:12
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti bashkë me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë së Kosovës të ngarkuar për zgjidhjen e çështjes së Kartonit të Gjelbër, kanë takuar përfaqësuesit e lartë të “Uniqua Group Austria”, me të cilët është diskutuar mundësia e mbulimit të Kosovës nga shteti i Austrisë.

Në këtë takim, të iniciuar nga guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ai ka njoftuar përfaqësuesit e “Uniqua Group Austria”, me masat që i ka ndërmarrë BQK-ja, me qëllim të ndihmës ndaj të gjitha institucioneve të përfshira në proces, në mënyrë që kjo çështje përfundimisht të zgjidhet.

“Që nga fillimi Banka Qendrore e Kosovës ka qenë e përfshirë në zgjidhjen e kësaj çështjeje që ka një rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës, të cilët në mungesë të tij nuk mund të lëvizin lirshëm me automjetet e tyre, si dhe në heqjen e pagesave që mërgimtarët duhet të paguajnë posa të hyjnë në Kosovë edhe pse të njëjtit janë të pajisur me Karton të Gjelbër”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Në këtë takim të mbajtur është arritur të aranzhohet një takim në Vjenë me përfaqësuesit e Byrosë Austriake me qëllim të finalizimit sa më të shpejtë të këtij procesi.