Fabrikat për prodhimin e vajrave motorikë lejohen të kryejnë vetëm punë testuese

Ekonomia June 07, 2018 - 15:51
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Dy fabrikat për prodhimin e vajrave industrialë, të cilat janë mbyllur nga inspektorët e Mitrovicës për shkak se nuk kanë pasur leje mjedisore për punë, do të mund t’i kryejnë testet e pajisjeve prodhuese, por obligohen që për çdo test provues ta njoftojnë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe inspektorët e komunës së Mitrovicës, raporton "Zëri.info". 

Mitrovicë. Dy fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë do të mund t’i kryejnë testet provuese të pajisjeve për prodhim, por jo edhe që të prodhojnë vajrat motorikë, njëra nga përpunimi i gomave dhe tjetra nga riciklimi i vajit të përdorur më parë.

Paraprakisht, pronarët e këtyre fabrikave që ndodhen në jug të Mitrovicës, në afërsi të “Lagjës së Boshnjakëve” do të duhej të pajisen me leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në komunën e Mitrovicës, kanë biseduar me Inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), për situatën lidhur me dy fabrikat e mbyllura më 15.05.2018, atë për përpunimin e gomave deri në përfitimin e vajrave industriale “BN 01 Rycikling”, sh.p.k dhe për fabrikën për riciklimin e vajit të përdorur më parë, deri në përfitimin e vajit industrial “Bass Partners”, sh.a. për shkak të ndotjes së ambientit dhe të veprimtarisë pa leje përkatëse.

U konstatua se të dyja fabrikat kanë pasur vetëm pëlqime mjedisore, për të vazhduar kompletimin e dokumentacionit dhe pajisjeve përkatëse, por e jo edhe leje mjedisore, raporton tutje "Zëri.info". 

Ata thanë se kanë mirëkuptim për shqetësimet e qytetarëve, por që në Kosovë nuk ka instrumente për të caktuar saktësisht se prej nga po vjen ndotja e ambientit.

Sipas inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pronarët e fabrikave kanë qenë të obliguar që çdo herë kur kanë për të testuar pajisjet për prodhim, të njoftojnë më parë organet komunale dhe inspektorët e MMPH-së, gjë të cilën ato nuk e kanë bërë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe inspektorët e MMPH-së u pajtuan që pronarët e dy fabrikave të lejohen të kenë qasje në repartet e tyre për të vazhduar instalimin e pajisjeve të nevojshme për plotësimin e kushteve për të marrë lejen mjedisore për punë prodhuese.

Mirëpo, sërish u tha se fabrikat janë të obligueshme që të njoftojnë autoritet komunale dhe ato të MMPH-së para çdo pune testuese, në mënyrë që përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve të përcjellin punën dhe të konstatojnë se a është apo jo procesi i prodhimit i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Nëse eventualisht pronarët e fabrikave nuk lajmërojnë me kohë për punët testuese që do t’i bëjnë, atëherë inspektorët komunalë dhe ata të MMPH sërish do të ndërpresin punën e fabrikave.

Ndryshe, fabrika për përpunimin e gomave deri në përfitimin e vajrave industriale “BN 01 Rycikling”, sh.p.k dhe fabrika për riciklimin e vajit të përdorur më parë, deri në përfitimin e vajit industrial “Bass Partners”, sh.a, janë mbyllur nga inspektorët komunalë të Mitrovicës pas një peticioni të banorëve të “Lagjes së Boshnjakëve” në veri dhe të lagjeve në afërsi të fabrikave në jug, të cilët kishin kërkuar që fabrikat të mbyllën për shkak se kanë ndotur ambientin me materie toksike dhe në këtë mënyrë kanë rrezikuar shëndetin e banorëve.

Në anën tjetër, pronarët e këtyre dy fabrikave kanë këmbëngulur se asnjëherë nuk kanë prodhuar vajra motorikë, se kanë kryer vetëm teste provuese të pajisjeve për prodhimin e vajrave motorikë dhe se testet e ndotjes së mjedisit nga prodhimi i vajrave motorikë në fabrikat e tyre i ka kryer një kompani nga Novi Sadi, e cila sipas tyre, ka konstatuar se ndotja nuk bëhet mbi nivelin e lejuar. /Zëri/