Vetëvendosje kërkon nga Prokuroria suspendimin e kontratës së Telekomit me Z-mobile

Ekonomia June 07, 2018 - 13:05
Lexoni më shumë detaje

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit hetimin dhe suspendimin e menjëhershëm të kontratës së Telekomit të Kosovës, ish (PTK)-së, të nënshkruar me kompaninë Z-Mobile.

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga kjo parti, eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti e quan të dhimbshme historinë e Telekomit derisa prezanton raportin për gjendjen në ndërmarrje duke përmendur shkaqet dhe zgjidhjet si të shpëtohet Telekomi nga falimentimi, raporton Zëri. Info

"Të hyrat e Telekomit plaçkiten, vidhen. Përmes një mekanizmi si Z-mobile sot Telekomit i plaçkiten së paku 30 për qind të hyrave. Në Telekom janë bërë shumë keqpërdorime. Prokuroria e ka në duar t'i jap fund plaçkitjes së Telekomit. Konkretisht duhet të suspendojë kontratën  me Z-mobile dhe të hetoj kontratën deri në ditët e sotme", ka thënë Hamiti.

Në anën tjetër, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti pretendon se krimi dhe korrupsioni në Telekom nuk janë ndalur asnjëherë.

"Dikur Telekomi i sillte me dhjetëra milionë euro dividentë buxhetit ndërsa sot e ka të vështirë të paguaj pagat e punëtorëve. Gjatë këtyre viteve nuk janë lejuar investimet në Telekom dhe është kërcënuar vazhdimisht me privatizim. Prej tenderëve të kurdisur prej Z-mobile e deri te ushtruesi detyrës më i ri i kryeshefit ekzekutiv nga radhët e AAK-së, korrupsioni e krimi nuk janë ndalur në Telekom", ka theksuar tutje Kurti.

Në tryezën e organizuar nga VV, po marrin pjesë edhe ekspertë te kësaj lëmie, profesorë të universiteteve të ndryshme si dhe deputetë të Kuvendit nga e njëjta parti./ZËRI

Image