Zharku: 'Bechtel-Enka'-s është dashur t’i paguhen 14.8 e jo 53 milionë euro

Ekonomia June 07, 2018 - 08:00
Flet për Zërin ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku

Ministri aktual i Infrastrukturës Pal Lekaj e quan “bakshish” të trashëguar detyrimin për koston shtesë ndaj kompanisë, ndërsa ish-ministri Lutfi Zharku po kërkon sqarime nga Qeveria për ndarjen e lartë të shumës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qeveria e Kosovës të martën i ndau 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel Enka” për mosrealizim të kontratës.

Shuma prej 53-milionësh po konsiderohet e lartë nga ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, i cili po kërkon sqarime shtesë nga Qeveria për ndarjen e kësaj shume.

Zharku në një prononcim për gazetën Zërika deklaruar se alternativa e vetme kontraktuale është vendimi i Komisionit Ndërministror në shumën prej 14.78 milionë eurosh.

LEXO EDHE: Nisen 'trimat' për lobim

Çdo shumë tjetër, ai thotë se duhet sqaruar nga Qeveria.

 “Alternativa e vetme kontraktuale është vendimi i Komisionit Ndërministror në shumën prej 14.78 milionësh. Çdo shumë tjetër duhet të sqarohet nga Qeveria. Qeveria duhet ta argumentojë dallimin”, ka thënë shkurt ish-ministri i Infrastrukturës.

Për të njëjtën çështje ish-ministri Zharku ka paralajmëruar një konferencë për medie të enjten.

“Shumë herë i kemi sqaruar këto, por përsëri do t’i sqaroj në konferencë për shtyp besoj nesër”, ka shtuar tutje ai.

Gjatë kohës sa dikasterin e Infrastrukturës e drejtonte Lutfi Zharku ishte arritur marrëveshja me kompaninë “Bechtel Enka” për kosto shtesë prej 14.7 milionë eurosh, duke llogaritur kohën e qëndrimit të kompanisë në Kosovë.

Por tani kjo kompani i mori nga Qeveria edhe 53 milionë euro të tjera, nga 63 milionë euro sa i kërkoi me fillim për të vazhduar punimet në autostradën që lidh Kosovën me Maqedoninë, e cila do të duhej të përfundonte në janar të këtij viti.

Mushkolaj: Nuk janë milionat e Zharkut e të Lekajt, por të taksapaguesve

Për t’i zbardhur dyshimet e këtij rasti po kërkohet edhe përfshirja e Prokurorisë në hetimin e kontratës milionëshe.

Analisti i njohur Imer Mushkolaj ka kërkuar angazhimin e Prokurorisë së Shtetit, pasi thotë se shuma milionëshe nuk u nda personalisht nga asnjëri ministër, por nga taksapaguesit.

“Kjo është çështje për Prokurorinë. Prokuroria e ka një rast të mirë që të hetojë çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Nëse një herë është përmendur shuma prej 14.8 milionë eurosh e tash po na del 53 milionë euro, atëherë dallimi është jashtëzakonisht i madh. Po flasim për miliona. Po të ishin vetëm 53 mijë euro do të ishte problem. Kështu që Prokuroria duhet të hetojë rastin dhe të shohë ku qëndron problemi”, ka deklaruar ai.

Mushkolaj thotë se para se të merrej vendimi për ndarjen e 53 milionë eurove do të duhej të verifikohen dokumentet e kontratës për të parë se a është e nevojshme ndarja e asaj shume.

“Është një situatë jashtëzakonisht e dyshimtë dhe nuk duhet askush të pajtohet me konstatimin se po i japim 53 milionë euro dhe po shpëtojmë nga Arbitrazhi. Përpara se të jepen 53 milionë euro është dashur të shikohet saktësisht çfarë kanë bërë, të verifikohen të gjitha dokumentet dhe tek pastaj të vijë deri te ky konstatim nëse ka nevojë ose jo. Nuk mbulohet asgjë me ‘shpëtimin’ e Arbitrazhit, por duhet që Prokuroria të hetojë në detaje këtë situatë. As që diskutohet se do të duhej të bëhej publike sepse nuk po flasim për 53 milionë euro personale as të Lutfi Zharkut e as të Pal Lekajt, por jemi duke folur për 53 milionë euro të qytetarëve të Kosovës edhe është e domosdoshme që gjithçka të bëhet transparente”, ka theksuar tutje analisti i rrethanave politike në vend.

Shatri: Përgjegjësia është e atyre që kanë dokumentacionin

Por ndryshe po shprehet këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinajt.

Ish-ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Haki Shatri, njëkohësisht këshilltar i Haradinajt arsyeton vendimin e Qeverisë për t’u ikur vendimeve gjyqësore.

Shatri i ka thënë “Zërit” se Qeveria për të mos ardhur në një situatë ku paguan ndëshkimet përmes vendimeve gjyqësore është detyruar që me rekomandim të Komisionit Drejtues të Autostradës të ndajë këtë shumë.

“Komiteti Mbikëqyrës i Autostradës ka pasur takime të rregullta edhe ata i kanë bërë krejt dokumentacionin. Nga e kaluara në bazë të kontratës shihet se është krijuar një obligim për shkak të vonesave që janë bërë në të kaluarën. Deklaratat e tyre janë pingpong për t’i gjuajtur topin njëra-tjetrës. Ata dëshirojnë ta largojnë fajin prej vetes”, ka shtuar ai.

Sipas Shatrit, alternativa e vetme që të mos vijë deri te ndarja e kësaj shume të majme ka qenë monitorimi i kontratës në vazhdimësi, si dhe kryerja e punës e pagesave për kompaninë.

“Alternativa e vetme ka qenë që vit për vit të përcillet kontrata dhe situata që të kryhen punët e të bëhet pagesa. Kjo nuk është përcjellë këto tre-katër vjet dhe obligimet janë kryer në bazë të vonesave. Është e vetmja rrugë për të shpëtuar më së lehti kështu. Përndryshe sa më shumë vonojnë kjo shumë mund të rritet kot. Ata që i kanë bërë letrat, dokumentacionin e kanë përgjegjësinë”, ka theksuar ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave.

Për këtë çështje nuk është deklaruar ministri aktual i Infrastrukturës Pal Lekaj. Pavarësisht tentimeve të shumta për të marrë një qëndrim të tijin, gazeta nuk ka mundur të kontaktojë me ministrin.

Lekaj i gëzohet vendimit të Qeverisë për 53 milionë eurot e ndara

Lajmin me entuziazëm duket se e kishte pritur ministri Pal Lekaj. Publikisht ai këtë vendim e kishte vlerësuar si zgjidhjen më të mirë të mundshme.

“Është zgjidhja më e mirë e mundshme nga çka e si e kemi gjetur ne kur kemi ardhur në krye të detyrës. Keqmenaxhimi nga ish-Qeveria na ka lënë këtë ‘bakshish’, aspak të lehtë për t’u trajtuar”, kishte shkruar Lekaj.

Madje deklarohej se bashkë me Qeverinë kishin marrë përgjegjësi për t’i shtyrë përpara proceset jo të lehta.

“Si Ministri e Infrastrukturës, e rrjedhimisht si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi marrë përgjegjësitë për t’i shtyrë përpara proceset (edhe ato që nuk janë të lehta, siç është rasti me këtë projekt), që në të kaluarën nuk është bërë as më i vogli veprim dhe prandaj shpesh jemi gjendur në pozita aspak të dëshirueshme, për vendime aspak populliste, por shumë të domosdoshme për të mos e rënduar edhe më tutje imazhin e vendit tonë në raport me investitorët që potencialisht janë të gatshëm të investojnë në vendin tonë”.

Kostoja totale e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, që lidh Kosovën me Maqedoninë, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 700 milionë euro me kosto shtesë nga 608 milionë euro sa ishte planifikuar në fillim.